Hetuesit kanë urdhëruar verifikimin e plotë të pasurisë së mjekut dhe pedagogut të arrestuar, Kastriot Dautaj
Prokuroria: Nuk përjashtojmë pistën e hetimit se Dautaj operonte njerëz që shisnin veshkat
TIRANË- Prokuroria e Tiranës nis verifikimin e pronave dhe llogarive bankare që figurojnë të regjistruara me emrin e doktorit urolog Kastriot Dautaj. Burime zyrtare pranë organit qendror të akuzës konfirmuan për “Shekullin” se është kërkuar nga të gjitha filialet e bankave të nivelit të dytë, që ndodhen në Shqipëri t’i vënë në dispozicion prokurorisë të gjitha llogaritë në emrin e doktorit Dautaj dhe pjesëtarëve të familjes së ngushtë të tij. Përveç shkresave të dërguara në banka, organi i akuzës i ka kërkuar edhe Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme të verifikojë pasuritë apo tjetërsimet e tyre që janë bërë nën emrin e doktorit dhe anëtarëve të familjes së tij. “Vetëm pak minuta pas arrestimit të shtetasit Kastriot Dautaj, kemi filluar punën për të zbuluar gjithë pasuritë e tij, përveç dy llogarive të majme bankare që tashmë janë verifikuar”,-bënë me dije burime nga Prokuroria e Tiranës.
***
Arrestimi me 500 mijë lekë në xhep i pedagogut Dautaj nuk është e vetmja provë që prokuroria ka kundër tij. Në Prokurorinë e Tiranës janë depozituarkatër kallëzime nga shtetas të ndryshëm, të cilët akuzojnë mjekun Dautaj për mitmarrje gjatë kryerjes së operacioneve. “Katër kallëzimet janë verifikuar dhe po punohet për zbardhjen e rasteve të tjera, ku shtetasi Kastriot Dautaj, duke shfrytëzuar ambientet e spitalit publik ka bërë pazare me qytetarët për kryerjen e operacioneve të ndryshme. Prokuroria, ka filluar hetimet mbi këto kallëzime, ndërsa nuk përjashtojmë mundësinë e dyshimeve të heqjes së organeve për transplant”,-pohuan dje burime nga grupi hetimor. Mësohet se ai është hetuar njëherë për heqjen e organeve, me dëshirën e pacientit, me qëllim shitjen, por ky hetim është pezulluar.
***
“Në vitin 2005, ndaj Kastriot Dautajt ka pasur një kallëzim në prokurorinë e Tiranës nga shtetasja Zyra Ago, e cila denoncoi doktorin për heqjen e veshkës pa pëlqimin e saj dhe dyshimin se ia ka shitur atë. Kjo dosje tashmë është pushuar nga prokuroria, pasi nuk është provuar denoncimi. Nga hetimet që do kryejmë, nuk do të përjashtojmë as pistën e heqjes së organeve për transplant”,-thanë burimet e prokurorisë. Sipas këtyre dyshimeve, ka informacione operative se doktori Dautaj bashkë me kolegët e tij kryente operacione të heqjes së veshkave, me dëshirën e pacientëve që i shisnin ato kundrejt 80 deri në 120 mijë eurove.
I akuzuari për korrupsion, Kastriot Dautaj, ka pohuar se pasurinë e ka vënë nga djemtë në SHBA dhe puna si mjek
Mjeku Dautaj: Paratë m’i dhanë për të më dëmtuar
TIRANË- “Nuk e di se kush person m’i ka vendosur paratë në xhep. Nuk i kam kërkuar askujt para, kanë dashur të më bëjnë keq”. Mjeku urolog, Kastriot Dautaj, ka mohuar faktin se ai ka kërkuar para për të kryer një operacion. Doktori i veshkave pranë repartit të Urologjisë në spitalin “Nënë Tereza” në Tiranë, Kastriot Dautaj, ka deklaruar para oficerëve të policisë se nuk ka marrë asnjëherë shuma parash në këmbim të operacioneve. Megjithëse nuk ka pranuar të dëshmojë gjatë pa praninë e avokatit, mjeku ka treguar se pasurinë nuk e kishte vendosur në sajë të rryshfeteve, sipas dyshimeve të policisë. “Kam dy fëmijë në Amerikë, ndërkohë që kam titull profesor dhe punoj edhe në klinikë private. Jam pedagog edhe mjek urolog në QSUT. Të gjitha paratë i kam vendosur në rrugë të ligjshme”, -mësohet të ketë thënë para oficerëve të policisë mjeku Dautaj, duke mohuar faktin se bënte pazare me të afërmit e pacientëve për të kryer operacione. Gjithashtu ai ka deklaruar se me Ibrahim Hoxhën ishte takuar të premten e javës së shkuar, kur kishte vizituar vajzën e tij, por nuk i kërkoi para. “Shumë i qetë, mjeku urolog tregoi se në asnjë rast nuk ka pranuar para, ndërsa për shumën prej 500 mijë lekësh të vjetra që iu gjetën të hënën në xhep ai tha se dikush ia kishte vendosur qëllimisht për ta shkatërruar”, -thanë për “Shekullin” burimet policore. Ndërkohë që vetëm pak orë pas arrestimit të mjekut dy ditë më parë, përfundoi në qeli edhe babai i pacientes, Ibrahim Hoxha, pasi akuzohet për mitdhënie. Burime nga policia thanë se Hoxha ka deklaruar në polici se mjeku nuk i kishte kërkuar para, por ai ia kishte dhënë vetë. “U takova ditën e premte me mjekun dhe vendosëm që vajza ime të bëhej operacion ditën e hënë. Gjatë kësaj kohe unë pyeta se sa para duhen për të kryer operacionin e veshkave dhe disa persona më thanë se duhen rreth 500 mijë lekë të vjetra. Pasi sigurova paratë ia dhashë doktorit pas operacionit”- mësohet të ketë thënë para oficerëve të policisë Ibrahim Hoxha, babai i pacientes Luljeta Hoxha. Mjeku Urolog Kastriot Dautaj dhe Ibrahim Hoxha u arrestuan dy ditë më parë në ambientet e spitalit “Nënë Tereza” në Tiranë. Antikrimi ekonomik-financiar pranë policisë së shtetit në bashkëpunim me prokurorinë nisi hetimet rreth gjashtë muaj më parë për të verifikuar denoncimet se mjeku Dautaj kryente korrupsion, duke shpërdoruar detyrën. Pas hetimeve, ditën e hënë fill pas përfundimit të një operacioni, policia kapi në flagrancë Dautajn me një shumë parash në xhep, të cilat ia kishte dhënë babai i pacientes së tij. K.Kotorri
PASURIA
Mjeku Dautaj, 635 mijë dollarë depozitë
Pas dyshimeve se mjeku urolog dhe njëkohësisht pedagogu i fakultetit të mjekësisë, Kastriot Dautaj, ushtronte korrupsion pasiv, policia nisi hetimet duke verifikuar edhe pasurinë e tij. Burime zyrtare nga policia e shtetit thanë se mjeku ka bërë një depozitë të konsiderueshme në një nga bankat e nivelit të dytë,268.247 USD, duke deklaruar si burim të ardhurash ushtrimin e profesionit të tij si mjek dhe si pedagog pranë Fakultetit të Mjekësisë. Policia bëri të ditur gjithashtu se pas verifikimeve të një tjetër llogarie rrjedhëse në të njëjtën bankë, i dyshuariKastriot Dautaj së bashku me bashkëshorten e tij kishin edhe 365.819 USD të depozituara. Ndërsa nga verifikimet e kryera pranë organeve tatimore ka rezultuar se i dyshuari nuk ka qenë i regjistruar për ushtrimin e ndonjë aktiviteti privat ligjor fitimprurës në territorin e Republikës se Shqipërisë. K.K
Prokuroria: Mjeku Xhevahir Hoxhallari ka gabuar në operacion, duke i dëmtuar arterien
Vdekja e Matildës, mjeku merret i pandehur
TIRANË- Prokuroria e Tiranës, pas tre muajsh hetime merr në cilësinë e të pandehurit doktorin e Qendrës Spitalore Universitare të Tiranës, Xhevahir Hoxhollari për veprën penale të “mjekimit të pakujdesshëm”. Ky lajm konfirmohet nga burimet zyrtare të organit qendror të akuzës, të cilët pohuan se me përfundimin e akt-ekspertimit mjeko-ligjor të trupit të 17- vjeçare Matilda Petriti,e cila gjeti vdekjen 22 ditë pas operacionit të bajameve nga mjeku Hoxhallari është ngritur edhe akuza.“Ekspertët e Mjekësisë Ligjore kanë nxjerrë përfundimin se mjeku Xhevahir Hoxhallari ka gabuar vetëm disa milimetra në ndërhyrjen kirurgjikale për heqjen e bajameve, duke i prekur arterien kryesore, e cila ka sjellë më pas hemorragji tëmadhe, çka solli edhe vdekjen e vajzës nga Korça”,-thuhet nga prokuroria.
Po këto burime konfirmuan se hetimet janë zgjeruar edhe për dy mjekë të tjerë të kësaj qendre spitalore, të cilët kanë qenë roje nate kur vajza ndërroi jetë dhe tjetri ka asistuar në operacionin e dytë për mbylljen e arteries së dëmtuar. Mësohet se gjatë kësaj faze hetimore, mjeku Hoxhallari është paraqitur disa herë në organin e akuzës ku ka dhënë shpjegime mbi ngjarjen e 7 prillit të këtij viti,kur Matildau operua për herë të parë dhe më pas datën 29 prill kur ajo ndërroi jetë. Ndërkohë, mjeku Hoxhallari edhe pse është marrë në cilësinë e të pandehurit, vazhdon të ushtrojë detyrën e tij si mjek otorino-laringolog pranë QSUT-së. Sipas akuzës, në fund të prillit vajza Matilda Petriti gjeti vdekjen si pasojë e hemorragjisë, pas tre ndërhyrjeve kirurgjikale të kryera.