Dosja “Delijorgji” sjell përplasje mes Alibeajt dhe Kreshnik Spahiut. Këshilli i Lartë i Drejtësisë rrëzoi kërkesën e ministrit
Konflikti mes ekzekutivit dhe drejtësisë shpërthen në KLD. Alibeaj: Të verifikohet mandati i Spahiut
TIRANË- Dosja e gjyqtarëve që i dhanë pafajësinë Mihal Delijorgjit ka nxjerrë mbi sipërfaqe konfliktin mes ministrit të Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, dhe nënkryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu.Debate të ashpra kanë shoqëruar mbledhjen e djeshme të KLD-së, ku në mënyrë krejt të papritur, Alibeaj ka kërkuar verifikimin e mandatit të Spahiut. Një shkresë e ministrit të Drejtësisë, Alibeaj, drejtuar presidentit Bamir Topi për verifikimin e mandatit të Spahiut ka nxjerrë nga rendi i ditës procedimet disiplinore për gjyqtarët dhe ka hapur debatin më të ashpër, të bërë deri më sot në KLD. Ministri Alibeaj në relacionin e tij ka kërkuar përpara KLD-së ngritjen e Komisionit të Verifikimit të Mandateve mbi ligjshmërinë e ushtrimit të detyrës të zvkryetarit të KLD-së, por kjo kërkesë është rrëzuar me shumicë votash nga anëtarët e këtij Këshilli.
***
“Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, u shpreh se Spahiu ka tejkaluar kompetencat dhe ka paragjykuar çështjen e një procedimi të mundshëm të tre gjyqtarëve ushtarakë që kanë deklaruar të pafajshëm Mihal Delijorgjin. Ndërkaq, Spahiu ka ndërhyrë disa herë, duke argumentuar se prononcimi i tij në media është bërë brenda tagrave dhe limiteve të lejuara nga vetë pozicioni i posaçëm brenda strukturës së Këshillit, duke cilësuar kërkesën e ministrit si një sjellje antagonizmi para opinionit”,-pohojnë të pranishëm në mbledhjen e Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Nga ajo sa kuptohet, Alibeaj nuk ka mundur ta fshehë shqetësimin e tij për lajmet e publikuara në media mbi konfliktet mes KLD-së dhe Ministrisë së Drejtësisë, kryesisht në çështjen e Delijorgjit. “Kjo luftë është shpallur tashmë mes Ministrisë së Drejtësisë dhe Këshillit të Lartë të Drejtësisë nga zvkryetari i këtij këshilli, Kreshnik Spahiu”-ka thënë ministri Alibeaj, gjatë debatit të djeshëm në KLD.
***
Në këtë mbledhje të tensionuar, presidentit të Republikës, Bamir Topi i është dashur të luajë rolin e “moderatorit”, duke iu kërkuar anëtarëve të këshillit tolerancë profesionale në lidhje me trajtimin e kërkesës së ministrit për verifikimin e mandatit të nënkryetarit të KLD-së. Në përfundim të këtyre debateve disa orëshe, anëtarët e Këshillit vendosën që kërkesa e ministrit të hidhet në votim. Nuk ka qenë e vështirë kjo betejë për nënkryetarin e KLD-së, Spahiu. Anëtarët e Këshillit rrëzuan me votë kërkesën e Alibeajt, duke e argumentuar si të pabazuar në ligj si dhe duke i cilësuar deklarimet mediatike të Spahiut brenda tagrit që i lejon detyra. Kulmi i konfliktit mes dy institucioneve të drejtësisë është arritur për shkak të nismës së KLD-së për të hetuar tre gjyqtarët e Apelit Ushtarak, që i dhanë pafajësinë Mihal Delijorgjit, të akuzuarit kryesor për tragjedinë e Gërdecit. Alibeaj e ka cilësuar këtë inspektim si tejkalim kompetencash nga Spahiu, duke marrë indirekt në mbrojtje tre gjyqtarët e mësipërm. Megjithatë, ai ka premtuar se do t’i dërgojë KLD-së kërkesën për procedimin penal të tyre dhe të 24 gjyqtarëve të tjerë që akuzohen për shkelje.
PASARDHËSI I RAMËS
Debati i ashpër mes Alibeajt dhe Spahiut ka shtyrë çështjen e rendit të ditës, që duhej të shqyrtoheshin dje në KLD. Zgjedhja e një gjyqtari për një vend vakant në Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda, për të zëvendësuar ish-gjyqtaren Ina Rama, që tashmë mban postin e Prokurores së Përgjithshme dhe zgjedhjes së dy inspektorëve të KLD-së u shty për mbledhjen e ardhshme.
GJYKATA E STRASBURGUT
Gjatë mbledhjes së djeshme është zhvilluar edhe një seancë dëgjimore ndaj problematikave të konstatuara nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut. Përfaqësuesja e shtetit shqiptar në këtë institucion ka raportuar mbi nevojën e reflektimit të disa çëshjeve që ndodhen dhe janë gjykuar në Gjykatën e Strasburgut kundër shtetit shqiptar, të cilat duhet të merren për bazë.
Apeli për njerëzit e drejtësisë: Qëndroni jashtë retorikës që sjell përplasje institucionale
Topi: Politika të mos infektojë drejtësinë
TIRANË- “Problemet politike të një shteti nuk duhet të infektojnë sistemin e drejtësisë”. Kështu e filloi fjalën e tij, Presidenti Bamir Topi gjatë mbledhjes së djeshme në Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Ai ka pohuar se drejtësia bazohet në parime universale, parimet vlejnë në çdo kohë dhe nuk lidhen me legjislatura apo mandate. Gjatë fjalës së tij, Topi nënvizoi nevojën e zbatimit të këtyre parimeve, si shprehje e nevojës për përmbushjen e angazhimeve që shteti ynë ka marrë 12 vjet më parë kur anëtarësohej në Këshillin e Evropës. Presidenti Topi u shpreh se: “historia e shoqërisë njerëzore ka treguar se suksesi i një shteti nuk qëndron në retorikat e qëndrimit personal, që mund të çojnë në një acarim tensionesh ndërinstitucionale, dhe madje, edhe në përkeqësim të tyre. Përkundrazi, dialogu dhe kompromisi, ndërmjetësimi dhe mirëkuptimi janë pjesë e vizionit të demokracisë, pasi kjo e fundit, aq sa reflekton soliditet, aq ka edhe brishtësi”. Ai nuk ngurroi t’i rikthehet përplasjeve mes institucionit që ai drejton dhe mazhorancës, duke deklaruar se është i angazhuar për të sjellë një balancim institucional. Gjatë mbledhjes së KLD-së, Presidenti Topi njëkohësisht si kreu i këtij institucioni iu drejtua njerëzve të drejtësisë të qëndrojnë larg retorikës që çon në përplasje institucionale. “Mos të lejojmë ndërvarjen mes institucioneve”-përfundoi ai.F.V.
Pas 59 seancash gjyqësore, prokuroria ka tërhequr dosjen për plotësim provash
Prokuroria tërhiqet, mbyllet gjyqi kundër Hamdi Haklajt
TIRANË- Pas 59 seancash gjyqësore, Prokuroria e Tiranës vendos të tërhiqet përballë azilantit politik, Hamdi Haklaj duke mbyllur procesin gjyqësor. Pasditen e djeshme, përfaqësuesi i prokurorisë ka vendosur të tërheqë akuzën dhe aktet për plotësimin e dosjes. Hamdi Haklaj është akuzuar për vrasjen eRamë Hoxhës dhe mbesës së tij, Fatimes në qershor të vitit 2004 në Tropojë. Në kohën kur pritej që prokurori i çështjes, Milan Laskaj, të lexonte konkluzionet përfundimtare dhe kërkesën drejtuar gjykatës për masën e dënimit ndaj të pandehurit Haklaj, prokurori kërkoi që Gjykata të vendosë tërheqjen e akteve, për mungesë provash. I papërgatitur për këtë kërkesë, avokati mbrojtës kërkoi nga gjykata që kjo kërkesë mos të pranohet dhe klienti i tij të deklarohet i pafajshëm.
“Për 34 muaj me radhë, prokuroria nuk arriti të vërtetojë ligjërisht se shtetasi Hamdi Haklaj është autor i kësaj vrasjeje. Unë kërkoj shpalljen e pafajësisë për të”,-ka thënë avokati, gjatë seancës së djeshme.Pas dëgjimit të pretendimeve të palëve, gjykata u tërhoq për këshillim dhe vetëm pak minuta më pas vendosi të shprehet me vendim në lidhje me këto kërkesa. Sipas gjykatës, pranohet kërkesa e prokurorisë dhe dosja tërhiqet për plotësim dhe hetim të mëtejshëm. Sipas akuzës, i pandehuri Haklaj, më 10 qershor të vitit 2004 ka kryer vrasjen e shtetasit Ramë Hoxha dhe mbesës së tij, Fatime Hoxha, në vendin e quajtur “Qafa e Rumikut” në Tropojë. Kjo vrasje është cilësuar si e motivuar nga hakmarrja, pasi familja Haklaj dhe Hoxha ishin në hasmëri për një sërë konfliktesh të përgjakshme, të nisura që prej vitit 1997. Hamdi Haklaj tashmë ndodhet në gjendje të lirë, në Goteborg të Suedisë, ku ka fituar azilin politik.