Ai u arrestua 3 ditë më parë teksa lëvizte me një pistoletë në brez. Kelmendi: Policët ushtruan dhunë ndaj meje
TIRANË- Gjykata e Tiranës ka vendosur dje masën e sigurisë arrest me burg deri në përfundim të hetimeve për Ylli Kelmendin, i cili është arrestuar tre ditë më parë nga policia. Sipas prokurorisë, Kelmendi ka kryer veprat penale të kundërshtimit të punonjëseve të policisë së rendit publik dhe atë të mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe municioneve, pasi gjatë kontrollit fizik i është gjetur një pistoletë tip TT që mbante në brez pa leje. Sipas vendimit të togave të zeza, caktimi i masës së sigurisë “arrest me burg” është alternativa e vetme për të arrestuarin, duke marrë parasysh kundërshtimin që i ka bërë policisë, mbajtjen e pistoletës pa leje dhe cilësimit të tij si person me precedent penal të mëhershëm. Ndërkohë, avokati mbrojtës kërkoi nga gjykata mos pranimin e kërkesës së prokurorisë, duke e cilësuar si të pabazuar në ligj dhe prova, pasi sipas tij, ndaj shtetasit Ylli Kelmendi është ushtruar dhunë verbale nga efektivët e policisë. Ky pretendim u rrëzua nga gjykata, pas kundërshtimeve të prokurorit të çështjes, i cili përfundimisht kërkoi që ndaj Kelmendit të caktohet masa e sigurisë “arrest me burg”. Vetë i arrestuari ka mbrojtur tezën e avokatit mbrojtës, duke kërkuar lirimin e tij nga qelia por kërkesa e tij dhe mbrojtësit nuk është marrë parasysh. Arrestimi i Kelmendit u bë tre ditë më parë në rrugën “Xhorxh Bush”, në afërsi të Kuvendit të Shqipërisë, ku pas informacioneve që kishte policia në rrugë operative u kërkua që Kelmendi t’i nënshtrohet kontrollit fizik. F. Vezaj