OPINION
Këto ditë na ndodh shpesh të habitemi me uniformitetin e mesazheve që vijnë nga kampi i djathtë i politikës shqiptare. Mazhoranca duket habitshmërisht e “unifikuar”, jo thjesht politikisht, por edhe në fjalor, pamje (e shpesh edhe në gjeste) me liderin e vet.
Gjithnjë e më shpesh shohim zëdhënës njëzet e pak vjeçarë apo zyrtarë afër të tridhjetave teksa përsërisin të njëjtat shprehje apo fjalë që thotë shefi, pra Berisha. Madje, gjithnjë e më shpesh të rinj të sapoafruar me pushtetin pranojnë “vullnetarisht” autorësinë për akte arbitrare të instancave qeverisëse ku ata militojnë. Ky është trendi që po përkufizon PD-në e këtyre muajve: Të rinj që janë thithur nga forca kryesore e djathtë për të rifreskuar radhët e saj i shohim çdo ditë teksa pak nga pak transformohen në figurëza sozi identike të Kryeministrit, që tanimë na ndjek kudo nga ekrani i vogël, edhe nëpërmjet fytyrave e fjalëve të tyre.
Një dukuri e tillë është shumë e rrallë në botën e zhvilluar. Pothuaj gjithmonë politikanët e rinj ngrihen mes radhëve të partive të tyre për të simbolizuar një ndryshim rrënjësor me të kaluarën, një frymë të re. Në vendin tonë duket se ky ndryshim oferte, thjesht sjell më tepër prurje nga i njëjti produkt, ai i politikës “ata kundër nesh” ku “ne”, (në këtë rast e djathta shqiptare), jemi gjithmonë “të mirët” ndërsa opozita, (dhe kujdes sepse këtu përfshihet çdo lloj opozite jo vetëm ajo politike), janë “të pëqinjtë”.
Ky është edhe mesazhi bazë i Kryeministrit tonë në çdo fjalim të tijin. Me të nuk është për t’u habitur sepse në fund të fundit, ai është rritur në një kohë kur nuk kishte politikë, por betejë kundër armiqve të sistemit. Ajo çka habit është përqafimi i këtij mesazhi nga ata të rinj që në fakt duhet të ishin kampionët e një mënyre të re të politikë-bërjes, me masterat e doktoraturat e tyre perëndimore.
Katër mijë vjet me parë egjiptianët e lashtë besonim se faraonët ishin perëndi të dërguara mes tyre për t’u treguar rrugën e drejtë. Ata mbulonin sytë në prezencën e faraonit për të mos u verbuar nga madhështia medemek e tij dhe i blatonin flije e dhurata të panumërta. Është e vështirë të besosh se asnjë egjiptian nuk e ka ngritur kokën ndonjëherë për të vënë re mungesën e aureolës së faraonit, apo se shërbëtorët e ministrat e tij mund ta besonin perëndishmërinë pasi e shikonin “perëndinë” duke ngrënë apo kryer nevojat e tij njerëzore.
Po në këtë mënyrë, është e vështirë të besosh se laureatë të universiteteve perëndimore, që kanë studiuar demokracinë që nga Greqia e lashtë e deri në ditët tona, të bien dakord me vizionin se demokraci mund të quhet kulti i unifikimit të përhershëm të pikëpamjeve dhe reagimeve pas një njeriu të vetëm. Egjiptianët e lashtë e quanin faraonin perëndi sepse kjo ishte e vetmja mënyrë për të ecur përpara në sistemin e tyre, dhe sigurisht për ta mbajtur atë sistem në këmbë. Demokratët e rinj sot janë pre e së njëjtës ambicie, e cila i detyron të mbajnë një qëndrim e një gjuhë me shefin, duke lënë mënjanë individualitetin dhe risinë e tyre, dhe mbi të gjitha duke “harruar” se në këtë qëndrim nuk ka asnjë pikë demokracie, por vetëm interes privat. Dhe nesër kur shefi faraon të mos jetë më, politikanët e rinj do të jenë mumifikuar, si ai tani.