Dil Pasha se jam për udhë! Po, po! Do e lë Atdheun e të parëve, tëndin e timin bashkë, se më plasi buza duke të të kërkuar lëmoshë ty që të dhashë ferman. Dy male do kaloj për shtatë ditë e tetë net e mbase dhe mbërrij në dhé të huaj. Them mbase se shteti fqinj, kryeministrin e të cilit ti e ke shumë “mik”, të vret po t’ia shkelësh kufirin dhe me të drejtë. Edhe ligjin e luftës s’e ka hequr akoma ai miku yt që na e reklamove 100 ditët e para të qeverisjes e nuk le takim pa u puthur e pa e ftuar të vizitojë vendëthin tonë.
Dil Pasha t’më shohësh si pas shumë muajsh të pashpresë për një vizë udhëtimi, do kaloj male, përrenj, ferra e driza se ti s’na e sigurove lëvizjen e lirë.
U lodha së vërejturi ty në televizorin e shtëpisë time e të kafeneve. Nuk më ndahesh në asnjë moment e s’më je ndarë për 18 vjet me radhë, ndaj të kërkoj njëherë të vetme të dalësh e të më shohësh mua dhe trastën time me bukë mbi shpinë.
Dil Pasha më shih mua buzëplasurin që më vajti goja prapa veshit nëpër protesta e tubime; mua fakirin, që me rrogën mujore tënden, shtyj 1 vit të tërë me të ngrënë e me të pirë. Dil Pasha! Dil e më përcill me sy. Me sy, se me këmbë ti s’shkel nga Himara, veç kur të vjen koha për të bërë sikur lahesh në det. Më është krijuar përshtypja se të duhet lejekalimi dhe për në Himarën që ia ke deleguar atyre që djegin flamuj, sajojnë harta e zhvarrosin kocka fëmijësh për t’i shitur si ushtarë të huaj.
Po ti dil Pasha të më përcjellësh deri në një farë vendi që me siguri nuk ia di emrin, me ato këpucët e tua që janë mësuar të shkelin mbi qilimin e kuq të Pekinit e mbi dëshirat e mia. Në mos dalç dot të më përshëndesësh mua, dil e hidhi një sy lagjeve të qytetit ku burrat janë bërë si gra dhe e ngrysin mbrëmjen nëpër kafene duke u marrë me fjalë në erë.
Flasin dhe për ty. Ja, dje pashë dy të dehur që të shihnin ty në televizor dhe iu turrën papandehur njëri-tjetrit me grushte. Po po, u rrahën vendçe. U rrahën pikërisht siç rrihej Edi Paloka e Shaban Memia, me ata që mendonin ditë e natë si të ta merrnin ty pushtetin por ia morën njëri-tjetrit e ty të morën veç të keqen. Sa me zell rrihen kur guxon ndonjë “shkërdhatë” të të shajë Ty...! Rrihen ore rrihen, ama nuk gjakosen qerratenjtë. Nëse nuk e kuptojnë se çfarë dua të them me gjakosje, le të shkojnë të pyesin familjet e Gërdecit.
Po ti bën mirë të dalësh e të shohësh me sytë e tu që nuk të gënjej.S’të gënjej as kur të përsëris fabulën e listave të bukës. S’të gënjej kur të them se fqinji im pesëdhjetë e kusur vjeç, ka muaj të tërë që zë e qan si fëmijë kur vjen darka. Nuk mundet t’i sigurojë të treja vaktet në tryezë. As kur të them se fëmijëve që shtrijnë dorën para nesh përditë për 10 lekë nëpër rrugët e Tiranës, u janë shtuar edhe ca nëna të rreckosura, me fytyrë të bardhë e duar të dridhura, 70 e kusur vjeç. Nderin dorën për ndonjë monedhë. I ke në semaforë, nëse mundesh të ndalesh ndonjëherë t’i shohësh, ti apo ndonjë nga kokëboshët e tjerë të pashallëkut tënd. Ne të zënë në faj s’kemi si t’u themi që s’na del për vete, se hesapit tonë ti ia nxjerr llogarinë ndryshe.
E ke marrë vesh? Të rinjtë këtu në mëmëdhe ose janë fis pashallarësh nga ata që mban ti rreth vetes dhe nuk dinë çfarë është puna, ose u bie goja dhe trupi erë, sepse janë të pangrënë e të palarë. Po unë s’jam si ata. Them të iki vetë para se ti të më nxjerrësh “prej zhelesh e jashtë”.Të të shoh nga larg ty o Pashai im që vetë të zgjodha e ti vetë po rri.Ke përmbysur diktatura e ke bërë histori ti dhe partia jote, ndaj e meriton të rrish. Aq ke bërë sa dhe Partia Komuniste e Kinës ta ka zili, siç na e kumtove vetë. Madje kjo e fundit ka bërë më pak se e rrëzoi diktaturën me luftë, ndërsa ti ishe i zoti t’ia hidhje me paqe.
Dil o Ali! Dil o Kadi! Ti që ke edhe gurin edhe arrën në dorë. Ti që e di edhe se në çfarë hotelesh na shkojnë motrat e nënat, po nuk e dije se ku binte Gërdeci. Ti që të bën fytyrën si shollë këpuce, i dhe dikur të njëjtin emër si terroristit Saleh edhe mua mjeranit: Shqiptar! Vetëm një ndryshim kisha unë më të: atij i pillte mendja për keq e hante më shumë bukë se unë.
Ti shih e bëj se unë po iki. Se s’qenka për mua Shqipëria e ti s’e bërë si gjithë Europa, ashtu siç e kërkuam dhe na e premtove. Nuk të dolën 8 vjet qeverisje e 8 vjet opozitë, po na dashke më shumë. T’u dashkan ty se je i zënë me punë e kohën e ke flori. (njëherë vajte në Dhërmi e bëre qametin nëpër ekrane). Eh, sa u mundove i shkreti ti. Qau njerëzia se kishte hall mos mbyteshe. Kurse gojët e liga thanë që më mirë të kishe shkuar në vilat e Mediut dhe Deliorgjit.
Dua të iki një orë e më parë e koha s’më premton. Ti duhet të dalësh të paktën në bedenat e kalasë dhe të më përshëndesësh se vetë më tregove udhën.Më ndiq me sy derisa të të humbas, por jo për gjithmonë. Këtë ta premtoj. Të kam lënë shumë gjëra pa të thënë...