Me sa duket nuk ka për të qenë proces i lehtë, konsensual dhe konstruktiv përpjekja për një rikompozim të mundshëm të qeverisë “Berisha”. Ende pa u deklaruar si fakt nga Kryeministri, që e ka të drejtën kushtetuese për riformatimin e mundshëm të qeverisë, kanë filluar të dalin “mbi ujë” ambiciet e partive politike, dëshirat dhe ambiciet nominale të disa liderëve të partive alete të Partisë Demokratike, që po përpiqen të bëjnë presion dhe t’i japin ultimatume Kryeministrit, për të rivlerësuar partitë aleate me “kuota të reja pushteti”.
Kaq të fuqishme janë këto ambicie dhe ultimatume, saqë disa parti të vogla të përfaqësuara në qeverinë “Berisha”, kanë filluar të përcaktojnë numrin e posteve qeveritare dhe preferencat dikasteriale. Në këto kushte, ajo që duhet shtruar është çështja, çfarë do të ndodhë me qeverinë dhe cili do të jetë qëndrimi i Kryeministrit? Do të rikompozojë qeverinë me qëllim përmirësimin e qeverisjes në këtë vit të fundit paraelektoral, apo do të ribëjë një ndarje të posteve qeveritare dhe plotësim të dëshirave dhe ambicieve të partive aleate për “kuota pushteti” ? Ka disa ditë që opinioni publik po përballet me deklarata të çuditshme, madje paradoksale dhe ekscentrike të partive aleate, që kanë qenë dhe janë pjesëtare në strukturën aktuale të qeverisë “Berisha”. Çështja shtrohet qartë, përse mund të bëhet rikompozimi i qeverisë? Për përmirësimin e cilësisë dhe performancës së qeverisjes, apo për një rindarje të re politike të “tortës qeveritare”?
Natyrisht, këtë e di dhe e ka në dorë zoti Berisha, i cili me siguri është në një situatë jo të lehtë politike dhe personale, për të realizuar të drejtën dhe legjitimitetin e vendimmarrjes së tij, për të realizuar të drejtën kushtetuese, duke përzgjedhur anëtarë të kabinetit qeveritar nga koalicioni aktual, jo për të kënaqur dëshira subjektive, teka politike, por për përmirësimin e dukshëm të performancës qeveritare për të cilën ai ka përgjegjësi politike si lider i partisë kryesore që qeveris vendin, që nga viti 2005. Çfarë do të bëjë Berisha dhe a do të mund ai të përballojë valën e presionit të partive aleate, sidomos të republikanëve dhe demokristianëve, të cilët tashmë i kanë ravijëzuar ambiciet e tyre “sasiore dhe cilësore”?
Deklaratat e shumta të partive të vogla, aleate të qeverisë së djathtë të z.Berisha, të bëra me intensitet të veçantë në ditët e fundit, tregojnë se procesi i rikompozimit të qeverisë ka për të qenë i vështirë, për të plotësuar standardet dhe parametrat e politikës moderne. Ajo që të shqetëson si qytetar i këtij vendi është fakti se politika e aleatëve të vegjël, përtej përgjegjësisë dhe llogarisë për cilësinë e qeverisjes të deritanishme, është më shumë një kombinatorikë për mbijetesë politike, për të siguruar një simbiozë parazitare me mazhorancën demokratike, duke parashikuar rreziqet eventuale që i presin ato dhe shumë parti të tjera, në zgjedhjet e vitit 2009. Presioni i pamerituar, alogjik dhe subjektiv i partive të vogla, stratagjemat qesharake për dalje nga koalicioni, pa llogaritur peshën reale dhe jo atë të “formatit të Dushkut”, janë një tjetër argument për t’i dhënë fund komedisë së pluralizmit me “gjethe dushku”, për të homogjenizuar situatën politike dhe shmangur njëkohësisht presionet abuzive të aleatëve, që të vetëm nuk do të kenë asnjë lloj pushteti, asnjë fuqi për të bërë presione me ndikim politik dhe impakt në kompozicionet qeveritare.
Nuk mund të mos jesh i shqetësuar si qytetar dhe i ofenduar si intelektual, ku je i detyruar të dëgjosh dhe të pranosh me sy mbyllur, presionin e partive të vogla për të deformuar logjikën e “rikompozimit” të qeverisë, apo të pranosh presionin e partive që jo vetëm nuk kanë peshë të vërtetë elektorale, por dhe që kanë patur probleme serioze me dikasteret që kanë drejtuar deri tani, në qeverinë e koalicionit të djathtë. Por politika shqiptare e tillë ka qenë dhe vazhdon të mbetet. Ajo nuk ka skrupuj dhe nuk mban shumë përgjegjësi.
Disa parti të vogla aleate dhe pjesëmarrëse në qeverinë e koalicionit të djathtë, po përpiqen të dëshmojnë forcë dhe të ushtrojnë presion, i cili pavarësisht peshës dhe forcës së ulët, ka mundësi të ndikojë në deformimin e konceptit dhe standardeve, me të cilat Kryeministri duhet të rikompozojë qeverinë, për qëllime të tjera, dhe jo si rezultat i presionit të partive të vogla aleate të qeverisë së djathtë, thjesht për “kuota pushteti”. Vetëm në vendin tonë ndodhin paradokse politike, ngaqë presioni i aleatëve të qeverisë nuk bëhet duke u nisur nga parimi i rritjes së cilësisë së qeverisjes së vendit, apo për përmirësimin e imazhit të qeverisjes. Kjo luftë për pushtet brenda qeverisë tani, para rikompozimit të mundshëm të qeverisë, duket se po reduktohet në luftë të paprinciptë, më shumë për qëllime personale, për realizimin e ambicieve për të patur sa më shumë “kuota pushteti” në qeverisjen e vendit.
Deklaratat ultimative të ish-liderit të republikanëve dhe të kryetarit të demokristianëve, për mandate qeveritare, të bëra në formë ultimative, tregon qartë faktin se presioni në rritje i aleatëve, mund të bëhet faktor i jashtëm që të ndikojë negativisht në procesin e rikompozimit të qeverisë. Nëse qeveria do të rikompozohet nën presion, kjo me siguri që nuk do të sjellë përmirësimin e cilësisë së strukturës së qeverisë dhe cilësisë së qeverisjes, në këtë vit të fundit të mandatit, por do të bëhet faktor shtesë që mund të reflektohet në deformimin e strukturës kompozicionale dhe cilësisë së qeverisjes në këtë vit të fundit të mandatit, që si rregull është i vështirë për shkak të indikacioneve elektorale. Natyrisht, se sa efekt do të kenë presionet subjektive të aleatëve të vegjël të PD-së, për të siguruar “kuota pushteti” në qeverinë e ardhshme, kjo do të varet nga kryeministri Berisha. Pse Kushtetuta e i ka dhënë atij prerogativën e formatimit të bërjes së ndryshimeve dhe rikompozimit të strukturës qeveritare. Por tani është e nevojshme të analizohet me përgjegjësi, me vendosmëri, pa sentimentalizëm dhe pragmatizëm të shtirë situata politike pikërisht tani, para mundësisë së riformatimit të qeverisë.
Normalisht, qeveritë gjithnjë kanë nevojë të ndryshohen dhe riformatohen, por për qëllime pozitive, për përmirësimin e cilësisë së qeverisjes, sidomos kur është e afërt periudha parazgjedhore, e cila kërkon një ritëm të ri qeverisës, për të përgatitur kushtet për kompeticionin elektoral të vitit të ardhshëm. Normalisht, duke dëgjuar presionin që po bëhet nga partitë e vogla, nuk mund të mos thuash se tani që problemi është serioz dhe se rezistenca ndaj presionit të tyre ka të bëjë me përmirësimin e cilësisë së qeverisjes. Berisha është përballë presionit evident të aleatëve të tij, në luftën e tyre “pa kompromis”, për të plotësuar ambiciet e tyre për “kuota” pushteti edhe në qeverinë e re. Ata nuk mund ta lënë këtë dëshirë subjektive, të pamerituar dhe këmbëngulëse, as tani në momentin e vështirë të rikompozimit të qeverisë. Por një qëndrimi i tillë, nuk është i ri dhe i panjohur dhe nuk përbën çudi për politikën tonë të të gjitha krahëve. Politikanët e këtij vendi rrallë e kanë carë kokën sinqerisht për interesat e përgjithshme politike, ekonomike, të zhvillimit dhe të qeverisjes së vendit. Ata më shumë kanë patur dhe kanë hallin, si të sigurojnë pjesën sa më të madhe nga “torta e pushtetit”. Kjo “sëmundje” e politikës shqiptare e ekzagjeruar nga numri pa mbarim i partive të vogla, por me pretenciozitet të madh, ka qenë shfaqur dikur tek aleatët e qeverisjes së majtë kur ata ishin në pushtet dhe tani tek aleatët e qeverisë së djathtë. Me gjithë demagogjinë që po bëjnë partitë aleate të Berishës dhe rritja e presionit evident ndaj tij, duket se ata nuk nisen nga arsye shtetërore, as për përmirësimin apo ndryshimin e kualiteteve të qeverisjes së vendit, por synojnë të realizojnë më shumë qëllime të personalizuara pushtetore, apo përtej tyre…
Ndjenjat e ndezura të republikanëve, demokristianëve, janë përpjekje për të ruajtur pushtet të pamerituar në qeverisje nga partitë e vogla. Rikompozimi i qeverisë nuk bëhet për këto motive, që më shumë janë tribale, parazitare dhe për imazh publik personash të etur për pushtet. A duhet pranuar kjo stratagjemë e partive të vogla, apo duhet synuar përmirësimi i cilësisë së qeverisjes? Duhet bërë rikompozim cilësor apo do të bëhet një rindarje e re e kuotave të pushtetit? Këtë e di dhe e ka në dorë z.Berisha, që ka tagrin dhe mandatin e Kryeministrit të vendit...