Premte, 22 Gusht 2008 00:42:01
    

Lexoni versionin Print

Hapja e dosjeve, zhurma dhe sensacioni i radhës

Hapja e dosjeve të ish-bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit ka vite që është lakuar, përsëritur, përfolur a atakuar aq shumë herë, sa është bërë një çështje me të vërtetë bajate, qesharake, e mërzitshme, tërkuzë dhe pambarimisht e diskutueshme, ka ngelur e hapur, në proces dhe e debatueshme nga të dyja polet e politikës së çoroditur shqiptare.

Nga Pali Nito
Merkure, 23 Korrik 2008 08:23:00

Hapja e dosjeve të ish-bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit ka vite që është lakuar, përsëritur, përfolur a atakuar aq shumë herë, sa është bërë një çështje me të vërtetë bajate, qesharake, e mërzitshme, tërkuzë dhe pambarimisht e diskutueshme, ka ngelur e hapur, në proces dhe e debatueshme nga të dyja polet e politikës së çoroditur shqiptare.

Shpesh është spekuluar me këtë çështje, asnjëherë nuk ka pasur vullnet, seriozitet, bashkëpunim të sinqertë, përgjegjësi e transparencë për ta zgjidhur përfundimisht e njëherë e mirë këtë problem.

Ndonëse është një problem serioz, i mprehtë, i rëndësishëm dhe i ndjeshëm pasi ka të bëjë me pastërtinë e figurës së zyrtarëve të lartë si dhe me përgjegjësinë dhe autoritetin e institucioneve partiake e shtetërore, për fat të keq, politika më shumë i ka ardhur rrotull këtij problemi, më tepër ka demonstruar sensacion, zhurmë, bujë e retorikë propagandistike sesa zgjidhje konkrete e të dobishme.

Për më keq akoma, i kthehet kurrizi dhe nuk mbahet parasysh kërkesa e Rezolutës së Strasburgut ndaj këtij problemi kaq serioz e delikat. Për të qenë realistë e të sinqertë duhet thënë pa mëdyshje se politikanëve tanë, qofshin këta të majtë apo të djathtë, pavarësisht nga deklaratat e bujshme që bëjnë në thelb ata nuk janë dakord që t’i shkohet deri në fund këtij problemi pasi preken interesat e tyre, për shkak të kostos dhe riskut politik të pashmangshëm që i pret, pasi jo pak nga këta kanë qenë bashkëpunëtorë aktivë të organeve të Sigurimit të Shtetit. Pa dashur të lë mënjanë faktin se në kohën që diskutohet e debatohet kaq zhurmshëm, me mllef e me bujë për hapjen e dosjeve, aktualisht ne kemi deputetë të deklaruar që kanë qenë ministra, funksionarë të ndryshëm partiakë e shtetërorë, komisarë politik në ushtri, në njësi të mëdha ushtarake, deri dhe anëtarë të KQ të Partisë, të cilët janë rizgjedhur në disa legjislatura.

A nuk është kjo ironia e radhës, paradoksi që pason paradokset dhe çudia që përsëritet si për mjaft probleme të tjera? Pa dyshim që po.

Pra, me këtë doja të thoja se, më parë se të zhytemi e të kërkojmë në labirintet e zyrave e të arshivave shtetërore për të gjetur zbuluar e deklaruar “spiunët”, të mos harrojmë edhe ish-funksionarët e sistemit totalitar, disa prej të cilëve e kthyen pllakën shpejt e shpejt dhe nëse dikur e kishin dorën në revani, sot i kanë të dyja duart në bakllava.

Ajo që të tërheq vëmendjen është mungesa e seriozitetit në zgjidhjen e kësaj çështjeje pasi politika dhe politikanët i janë kthyer dhe rikthyer disa herë problemit në fjalë, por pa dobi dhe pa asnjë rezultat konkret.

Jo një herë, por disa herë janë përgatitur dhe paraqitur variante, skema, drafte të ndryshme por fatkeqësisht palët në Komisionin e Ligjeve gjatë ballafaqimeve, negociatave e diskutimeve të debatueshme nuk bien dakord, kundërshtojnë, bëjnë oponencë dhe kontestojnë prerazi dhe nuk lëshojnë pe1 ndaj njëra-tjetrës. Ndodh që nuk bien dakord për draftin, herë me mënyrën e procedimit, herë për subjektin dhe kategoritë që do të përfshihen në pastërtinë e figurës së zyrtarëve të lartë.

Njëra palë e etiketon palën tjetër si refrektare dhe të pavullnetshme për t’i dhënë zgjidhje definitive këtij problemi, ndërsa pala tjetër kundërpërgjigjet se e djathta vuan nga instinkti i hakmarrjes së papërmbajtur dhe gjuetisë së shtrigave në trajtimin e kësaj çështjeje.

Sikundër shihet, do të gjendet një shkak apo sebep për të mos gjetur një konsensus të pranueshëm nga të dyja palët. Përfundimisht, përveç zhurmës, bujës, sensacionit dhe spostimit të vëmendjes së opinionit nga problemet madhore dhe shqetësimet social-ekonomike, asnjë zgjidhje konkrete, dhe u gjet më oportune që çështja në fjalë të shtyhet, palët të reflektojnë e të lëshojnë respektivisht dhe gjasat janë që të mbetet për në shtator. Me sa duket, të dyja palët, pavarësisht nga deklaratat dhe qëndrimet që mbajnë janë të kënaqura që problemi të shtyhet pafundësisht, të bëhet tërkuzë e të mbetet, si i thonë, hiq e mos këput, duke u bërë kështu, turpi dhe gazi i botës e duke krijuar një imazh të keq ndaj institucioneve ndërkombëtare.

Një qëndrim i tillë na bën edhe më qesharakë, karagjozë dhe aspak seriozë, por edhe më pak të besueshëm ndaj ndërkombëtarëve, po të kihet parasysh se vendet e ish-bllokut të Lindjes kanë vite që e kanë zgjidhur mrekullisht e përfundimisht çështjen e hapjes së dosjeve.

Ndërsa ne, si kudo e në të gjitha problemet e tjera, edhe në këtë çështje, jemi më të vonuarit e më të prapambeturit. Dhe të mos harrojmë për asnjë çast se kjo çështje ka të bëjë shumë edhe me imazhin e vendit tonë, me faktin se si ne i zgjidhim detyrat e shtëpisë për t’u pranuar në strukturat e NATO-s dhe të BE-së.

Gjithsesi, nga edhe sa thamë më sipër hapja e dosjeve duhet bërë pa ekuivok e pa mëdyshje, me të vetmin qëllim, që në drejtim dhe në menaxhim të politikës, institucioneve shtetërore, Parlamentit dhe në organet e gjyqësorit, të kemi të zgjedhur e të emëruar zyrtarë me figurë të pastër dhe të paimplikuar në organet e Sigurimit të Shtetit.

Hapja e dosjeve duhet bërë edhe për faktin që askush dhe cilido qoftë ai, të mos abuzojë më e të bëjë presion e shantazh ndaj të bindurve, duke u tundur certifikatën e kërcënimit ndaj vartësve, që këta të rrinë, të mos kundërshtojnë, por të jenë ushtarë e sejmenë të bindur për çdo gjë dhe për gjithçka që dikton shefi, njëshi, apo lideri kryesor që ka pushtet absolut.

Gjithashtu hapja e dosjeve, miratimi dhe zbatimi i ligjit për pastërtinë e figurës së zyrtarëve të lartë do të ndikonte pozitivisht në rritjen e besueshmërisë së zgjedhësve dhe mbarë qytetarëve, ndaj të zgjedhurve dhe të emëruarve. Veçse, duhet patjetër vullneti i palëve, marrëveshja, mirëkuptimi dhe kompromisi e konsensusi reciprok.


POSTO NE:

diggdigg it   YahooYahoo MyWeb   GoogleGoogle   SlashdotSlashdot   deliciousdel.icio.us   technoratiTechnorati

Emri juaj:
E-mail juaj:
Titulli:
Komenti juaj:


Template Page


Gruevski: Emri, Greqia synon dështim

Si çdo qeveri serioze edhe ne kemi zgjidhje alternative nëse për një

Gjyqi i Karaxhiçit me gjykatës të ri

Tribunali i Hagës për Krime Lufte tha se procesi gjyqësor kundër

LAJME TE NGJASHME

PODCAST

Reklama ne Shekulli Online


Tel: 042256994
Fax: 042256015
Cel: 0692187272
E-Mail:  reklama.shekulli@abissnet.al

© 1997 - 2008 shekulli.com.al Biznesi Online Sporti Shqiptar Revista Spekter Botimet Max Arti i Kuzhines Arkivi
© 2008 Te gjitha te drejtat Shekulli Kontakt Stafi Online Preview Chanel Lidhja RSS/XML