Nga aspekti legal, zgjedhjet e para të parakohshme në Maqedoni përfunduan. Instancat e ndryshme shtetërore e dhënë bekimin e vet se çdo gjë është në rregull. Qeveria pra, mund të formohet dhe ajo, në nivel negociatash ndërpartiake është formuar. VMRO- DPMNE dhe BDI, ia dhënë njëra-tjetrës fjalën e nderit për lojalitet, për besnikëri dhe kështu u qetësuan gjakrat, veçmas në radhët e BDI-së, përfaqësuesit e së cilës kërcënoheshin se nëse nuk do të respektohet vullneti i popullit, do të kërcasë sërish kallashnikovi, se do të rihapet çështja e federalizmit etj. Pra, në këtë mënyrë u bë e qartë se këto kërkesa nuk qenkan qëllime politike, por instrumente për ta arritur qëllimin kryesor: të qenit në pushtet.
Ky inversion, shpallja e qëllimit politik për instrument, dhe instrumentit për qëllim, në mënyrë të pashpjegueshme ngadhënjeu. Ata që sadopak marrin vesh nga politika, kuptuan se BDI-ja merret me politikë që të hyjë në pushtet dhe jo për t’i realizuar disa qëllime politike, si bie fjala federalizmi i Maqedonisë. Idetë politike për këtë parti, brenda natës u bënë mjet për kërcënim dhe ofertë për allishverish politik: nëse do të jemi në pushtet nuk do t’i hapim këto tema, por nëse nuk do të jemi, do t’i hapim, jo vetëm këto tema, por edhe ato që kanë të bëjnë me çështjet me interes vital për Maqedoninë, siç është kontesti me Greqinë lidhur me emrin. Gruevski e pranoi këtë ofertë, e rehatoi BDI-në dhe pandeh se ka bërë biznes të mirë, por si gjithmonë vonë do të kuptohet se dardha e ka bishtin prapa.
Pas arritjes së marrëveshjes për ndarje të pushtetit, Maqedoninë e pllakosi heshtja. Në krahasim me gjallërinë paraprake, kjo heshtje e ka peshën e plumbtë. As gëk, as mëk! Heshtin të gjithë, politikanët, tek-tuk ndonjë deklaratë, përfaqësuesit diplomatikë, gazetarët, sidomos opinionistët. Nuk ka analiza politike për natyrën, qëllimet e marrëveshjes për bashkëqeverisje, nuk bëhen krahasime në mes të premtimeve parazgjedhore dhe të atyre paszgjedhore, por në heshtje varri kapitalizohen interesat e grupimeve të ndryshme që e kanë fare të qartë se ç’kërkojnë nga të qenit në pushtet. Lufta për pushtet brenda llojit është e ashpër, ngaqë interesat janë të prekshme. BDI-ja nga një grupim folklorik-politik i kthehet qenies së vërtetë, grupimit që kohezionin e brendshëm e ruan mbi baza të interesit individual, përkatësisht mbi baza të krimit të përbashkët. E din luga ç’ka vorba, thotë populli, e dinë ata vetë se kush e ka përvetësuar fondin e luftës, kush e ka reketuar, gjobuar, kush, sa... Sa më e rëndë dhe më gjerë shtrihet heshtja, aq më mirë ndahen këto interesa. Prandaj është dhënë direktiva anëtarësisë dhe opinionistëve që të mos bëjnë shumë pyetje, as për qëllimet e bashkëqeverisjes e as për afatet.
Dhe ata heshtin, nuk analizojnë, heshtin si peshku në akuarium, heshtje varri, e plumbtë. Modelin e ri të komunikimit me opinionin, të flitet shumë dhe të mos thuhet asgjë, e dha kryetari i kësaj partie, z. Ali Ahmeti në intervistën që i dha “Zërit të Amerikës”. Në pyetjen e gazetarit se kur do të zgjidhen çështjet që janë në interes të shqiptarëve, ai përgjigjet me gjuhën e re: “Besoj që brenda këtij mandati do të zgjidhen çështje që akoma nuk kanë përfunduar, akoma nuk kanë gjetur zgjidhje, siç është gjuha shqipe, që duhet të jetë një zgjidhje e pranueshme për shqiptarët e Maqedonisë, konform Kushtetutës së Maqedonisë dhe Marrëveshjes së Ohrit; gjithashtu edhe zgjidhja e statusit të njerëzve të dëmtuar nga viti 2001, duke u bazuar në ligjet e vendit, si dhe shumë çështje që lidhen me ekonominë e vendit, për të cilat ne do të japim kontributin aktiv...”. Ky është ai vokabular i ri ku s’ka qartësi politike, logjike, juridike dhe s’ka afate. Implementimi i Marrëveshjes së Ohrit, sipas vetë marrëveshjes, ishte dashur të përfundonte brenda vitit 2004, kur BDI-ja ishte në pushtet. Tani, në vitin 2008, pas katër vitesh, ai besuaka, kjo do të thotë se nuk është i sigurt, se kjo çështje do të zgjidhet brenda këtij mandati, pastaj ish-luftëtarët e UÇK-së me të cilët ai lidhi kontratën morale për çlirimin e popullit shqiptar, në diskursin e ri të kësaj partie, që veten e paraqet si vazhduese e amanetit të të rënëve për liri u bënë “njerëz të dëmtuar në luftën e vitit 2001, statusi i të cilëve do të zgjidheshka sipas ligjeve të vendit”.
Sa i përket njohjes së pavarësisë së Kosovës, ai shpreh bindjen se “pavarësia e Kosovës është shpallur, ajo është njohur nga SHBA-të, nga shumë shtete me influencë të Bashkimit Evropian, nga shumë shtete tjera të kontinentit dhe në këtë linjë duhet të jetë edhe Maqedonia”. Në një intervistë tjetër dhënë televizionit ALSAT, pyetjes së gazetarit për afatet e nxjerrjes së “Ligjit për përdorim zyrtar të gjuhës shqipe” dhe për kërkesat e tjera, ai u përgjigj “sa më shpejt, aq më mirë”. Pra, për këto formulime të mjegulluara, pa kuptim dhe pa afat, u vranë gjithë ata njerëz, u shkatërruan gjithë ato objekte, u rrënua imazhi i shqiptarëve në botë, u shkaktua gjithë ajo tragjedi dhe askush nuk kërkon llogari. Ndërgjegjja e atyre që duhej të ishin vigjilentë, po fle. Kjo heshtje është e rrezikshme, ngaqë fsheh në vetvete një manipulim kolosal. Aspak nuk i gëzohem kësaj heshtjeje dhe as katandisjes së një strukture politike, i thënçim shqiptare, që dinjitetin kombëtar e dorëzoi për një grusht interesi dhe kontribuoi që partia maqedonase në mënyrë pompoze të kumtojë triumfin e saj mbi partinë shqiptare, e cila paskësh kërkuar vetëm kolltukë, pa kërkesa politike që nuk janë konform me programin e tyre elektoral “Ringjallja në 100 hapa”. Prandaj e shoh të udhës që të përkujtoj disa gjëra, për ta zgjuar ndërgjegjen, sidomos të atyre që hodhën gurë e drurë mbi PDSH-në:
1. BDI-ja, kur u profilizua si parti politike, e kategorizonte veten si parti e majtë qytetare, madje anacionale dhe ishte krejtësisht normale që hyri në qeveri bashkë me LSDM-në në mandatin 2002-2006. Së këndejmi, ishte krejtësisht jo normale që, në emër të interesave etnike, ajo të kërkojë të hyjë në qeveri në vitin 2006 me një parti të djathtë, siç e kategorizonte veten VMRO-ja. Pas dështimit të këtij argumenti etnik, BDI-ja lëshoi në qarkullim argumentin e ri, atë të marrëveshjes së majit. Gruevski e mohonte një marrëveshje të këtillë, BDI-ja me ngulm theksonte se ajo ekziston dhe në emër të kësaj marrëveshjeje inekzistente e sulmonte PDSH-në, kinse ajo nuk paska sukses në qeverisje, përkatësisht të arsyetojë kërkesën për zgjedhje të parakohshme. Tani kur arritën, si në vitin 2001, ta ndalin hovin e PDSH-së, tani kur bënë marrëveshje për bashkëqeverisje me VMRO-në, autori i diskursit të ri, të mjegullt dhe të pa konkretizuar, z.Ali Ahmeti thotë se “kërkesat e shqiptarëve do të zgjidhen konform Kushtetutës së Maqedonisë dhe Marrëveshjes së Ohrit”. Ai këtë e tha me një komoditet befasues dhe të gjithë ata që paraprakisht na fshikullonin me atë marrëveshje inekzistente të majit, tani heshtin, nuk e pyesin, as Alinë, as Velinë, ku u tret kjo marrëveshje që ishte pjesa substanciale e fushatës së tyre elektorale, oferta me të cilën ata lidhën kontratë me elektoratin. Të gjithë ata që na torturonin me peshën historike të kësaj marrëveshje, tani heshtin, ngaqë dita ditës do të bëhen të vetëdijshëm për përgjegjësinë, për dëmin e shkaktuar. Heshtja e tyre dëshmon se ata nuk i kanë shërbyer çështjes, por një koniunkture politike, një interesi grupor. Kjo përgjumje është e rrezikshme;
2. Gjatë zgjedhjeve faktorë të ndryshëm, të brendshëm dhe të jashtëm, politikanë, gazetarë e akuzonin PDSH-në për incidente të ndryshme. Kulmimi i këtij cinizmi arriti me rastin e incidentit në hyrje të fshatit Haraqinë, me ç’rast u vra një aktivist i BDI-së nga ana e forcave speciale maqedonase. Në mënyre mjeshtërore, të pashpjegueshme u ndërtua akuza se prapa kësaj qëndruaka PDSH-ja. Është krejtësisht e pabesueshme se si ky rast, në sytë e opinionit e bëri BDI-në viktimë, ndërkaq PDSH-në fajtore, kur dihej mirëfilli se PDSH-ja në asnjë mënyrë nuk ishte e involvuar në këtë incident. Askush nuk shtroi pyetjen ç’kërkonin kallashnikovët në duart e aktivistëve të BDI-së dhe përse ata vendosnin barrikada dhe e sulmonin policinë. Mjeshtëria e kamuflimit nën petkun e viktimës pati efekt në rezultatin zgjedhor. Ky incident, kjo vrasje u shfrytëzua në mënyrë të paskrupullt për marketing elektoral, në ditën e zgjedhjeve. Mediat shqiptare dhe maqedonase, me aluzione dhe drejtpërdrejtë e akuzonin, pa kurrfarë argumenti PDSH-në. Këto akuza ishin të paramenduara dhe parapërgatitura, ashtu si ishte arrestimi spektakolar i Agim Krasniqit për ta kompletuar përshtypjen për fajësinë e PDSH-së. E njëjta metodë u përdor edhe me rastin e Brodecit, që ishte tentativë e qartë e BDI-së që të dërgojnë mesazhe kërcënuese qeverisë së Maqedonisë për destabilizim të Maqedonisë për shkak, siç thonë ata, të mos respektimit të dinjitetit të votuesve shqiptarë. Edhe me këtë rast, askush nuk shtroi pyetje ç’kërkonin ata njerëz të armatosur deri në dhëmbë në një shtet, të cilin z.Ahmeti e trajton si atdhe të tij dhe lufton për ruajtjen e integritetit të tij. Vrasjen e tyre, ngjashëm si me vrasjen e aktivistit të kësaj partie në hyrje të fshatit Haraqinë me kallashnikov në dorë që dikush ia ka dhënë, z.Ahmeti dhe opinionistët e tij ia mveshin PDSH-së, konkretisht kreut të PDSH-së. Pa e shtruar pyetjen se kush i nxit këta njerëz të armatosen, nuk do të kuptohet për cilat interesa viktimizohen ata.
Tash, më është bërë e pashpjegueshme se si imponohet metoda e ndryshimit të tezave. Luftën e filluan për çlirim kombëtar dhe e përfunduan me politikën e integrimit, përkatësisht me lojalitetit ndaj shtetit, në fillim ishin çlirimtarë, pastaj u bënë qytetarë të devotshëm të shtetit, trumbetonin për njëfarë marrëveshje të majit, tani kërkesat e shqiptarëve dashkan t’i zgjidhin në kuadër të kushtetutës dhe ligjeve, edhe atë, sa më shpejt aq më mirë, impononin parimin se qeveria duhet të formohet ndërmjet partive qe kanë fituar më shumë vota brenda elektoratit etnik, ndërkaq kur hynë në qeveri pajtohen me kërkesën që të mënjanohen kërkesat etnike, hynë në koalicion me një parti politike maqedonase duke u pajtuar me implementimin e programit të asaj partie që nënkupton suspendimin programit të vetë partisë të tyre që vë në dyshim nevojën, logjikën e ekzistimit të asaj partie, paralajmërojnë se kanë kuadër të vetin, ndërkaq pajtohen me kërkesën e mandatarit që përzgjedhjen përfundimtare të ministrave ta bëjë ai. Këto kompromise, kur hiqet dorë nga programi dhe kuadri në fakt suspendohet arsyeja, “raisone d’etre” e ekzistimit të një partie;
3. “Disfata” e PDSH-së nuk u shkaktua nga mençuria, oferta joshëse e BDI-së, as nga analizat e opinionistëve, por nga institucionet e sistemit, nga skenarët që vënë në veprim mediumet, policinë, mercenarët ngjyrimesh të ndryshme, komisionet zgjedhore, veçmas atë republikan. Atë që nuk arritën ditën e zgjedhjeve, në kutitë zgjedhore, e kompensuan në zyrat e Komisionit republikan Zgjedhor ku u vendos që zgjedhjet të përsëriten kryesisht në zonat ku ka fituar PDSH-ja. BDI- ja këto zgjedhje i fitoi, ashtu si PDSH-ja i humbi ato në zyrat burokratike që funksionojnë sipas diktatit politik. Dikujt i konvenon butësia manare e BDI-së dhe pengon ashpërsia e PDSH-së, përkatësisht gatishmëria e BDI-së që të bëjë kompromise dhe refuzimi i PDSH-së që të heqë dorë nga autonomia e veprimit dhe e vendimmarrjes.
Por, mënjanimi i PDSH-së nga misioni politik, si në vitin 2001, ashtu edhe në vitin 2008, ende pa kryer mandatin, flet për frikën e qarqeve të ndryshme brenda dhe jashtë Maqedonisë nga politika dhe mënyra e veprimit të PDSH-së. Me siguri, kjo parti është bërë pengesë për disa interesa të hirta. Mirëpo, ky është fillimi. Detronizimi i PDSH-së gjithsesi është në funksion të heqjes së mburojës politike të popullit shqiptar. Institucionet maqedonase gjithsesi do të jenë në funksion të mendësisë dominuese që ka krijuar bindjen se lufta e 2001, ishte një komplot anti-maqedonas, se Marrëveshja e Ohrit ishte e imponuar, ashtu si edhe “Ligji për Amnisti”. BDI-ja nuk ka forcë, nuk ka kapacitete politike dhe morale ta mbrojë popullin, veçmas ish-pjesëtarët e UÇK-së nga hakmarrja institucionale dhe lë më t’i avancojë kërkesat e shqiptarëve. Tanimë është marrë vendimi politik që të procedohen lëndët e kthyera nga Gjykata e Hagës. Në fillim do të bindet kreu i BDI-së se duhet të kenë mirëkuptim për emocionet e popullit maqedonas dhe se do të gjykohen vetëm ata që u takojnë radhëve të PDSH-së. Tashmë janë dërguar ftesat për gjykim, që dëshmon për rolin minor të BDI-së në qeveri. Nëse Ali Ahmeti do ta gëlltisë këtë kafshatë të hidhur, do ta humbë shpirtin politik. Pas kësaj, do t’i vijë radha atij.
Dallimi mes BDI-së dhe PDSH-së, mes tjerash ekziston edhe në sjellje. BDI-ja lehtë pranon të ketë mirëkuptim për emocionet dhe kërkesat e vëllezërve maqedonas dhe të heqë dorë po aq lehtë nga kërkesat politike, ndërkaq PDSH-ja arrin ta bindë, ndonëse me vështirësi, partinë maqedonase të ketë mirëkuptim për emocionet dhe kërkesat e shqiptarëve. Ashtu si arritëm dikur që ta bindim qeverinë e Maqedonisë të ketë mirëkuptim për emocionet e shqiptarëve, pra të refuzojë ekstradimin e Fazlli Veliut, i burgosur nga Interpoli gjerman, ashtu kohët e fundit ia dolëm të pengojmë gjykimin e lëndëve të kthyera nga Tribunali i Hagës. Maqedoninë e ka pllakosur heshtja, ngaqë edhe gojëkëqijtë kanë kuptuar se shkuan shumë larg.