Premte, 29 Gusht 2008 01:44:29

Lexoni versionin Print

Lëvizje taktike diplomatike

Letra e kryeministrit maqedonas Gruevski dërguar homologut të tij grek, Karamanlis, para disa ditësh, për shumëkënd në këto qoshe të Evropës Juglindore, u komentua si një rrufe në qiell të pastër.

Nga Ilir KALEMAJ
Marte, 22 Korrik 2008 08:22:00

 

Letra e kryeministrit maqedonas Gruevski dërguar homologut të tij grek, Karamanlis, para disa ditësh, për shumëkënd në këto qoshe të Evropës Juglindore, u komentua si një rrufe në qiell të pastër. Kjo,duke patur parasysh edhe problematikën maqedonase për çështjen e emrit e cila e bllokuar nga vetoja greke, ia ka mbyllur rrezen evropiane dhe të anëtarësimit në NATO pa u dakorduar, pikë së pari, me kushtëzimet e Athinës. Megjithatë, ka një logjikë që duhet vënë re nga guximi në dukje “kokëkrisur” i Gruevskit. Menjëherë pas zgjedhjeve të parakohshme në vendin fqinj që e rikthyen triumfator në krye të qeverisë, duke i dhënë një maxhorancë solide, kryesisht në sajë të një platforme elektorale populiste dhe nacionaliste, atij i shërben një lëvizje taktike e tillë, kryesisht në dy drejtime kryesore. Edhe për t’i dhënë një provë garancie të mëtejshme elektoratit sllavo-maqedonas që e ka zgjedhur, por edhe për të testuar ujërat ndërkombëtare dhe se sa mund të shtrihet mbështetja e “big brother-it” amerikan, i cili ka qenë një nga partnerët më konstantë dhe konsekuentë në qëndrimin e tyre në favor të shtetit të vogël ballkanas.

Por në të njëjtën kohë që Gruevski i niste letrën gjysmëkërcënuese dhe gjysmërealiste Karamanlisit, duke ngritur zërin në mbrojtje të “minoritetit” maqedonas në Greqi, duke kërkuar hapjen e shkollave në gjuhën maqedonase për emigrantët e këtij vendi apo njohjen e dyshtetësisë, të cilën shteti grek nuk e njeh, presidenti Cervenkovski zhvillonte një takim tête-à-tête me homologun e tij shqiptar Topi. Një takim ky aspak i rastësishëm, po të njihesh me deklaratën e mëpasshme për shtyp ku ritheksohej dispozicioni i Portit të Durrësit për nevojat e Maqedonisë, masë e cila e siguron vendin fqinjë nga çdo bllokadë hipotetike e marrëdhënieve tregtare nga ana e Greqisë, në një përsëritje të skenarit të Selanikut, vite më parë.

Me gjithë marrëdhëniet e acaruara mes Kryeministrit dhe Presidentit maqedonas, që çoi edhe në një deklaratë të para pak ditëve nga ana e këtij të fundit për mos rikandidim për postin e Presidentit pikërisht për shkak të këtij konflikti, kur vjen puna te interesat madhore kombëtare, është për t`u admiruar solidariteti me të cilin sinkronizohen lëvizjet në marrëdhëniet me të tretët. Ndërkohë që pala shqiptare në çdo prononcim të sajin zyrtar për pronat e shqiptarëve në Greqi, apo ngritjen e zërit për të drejtat e minoritetit dhe emigrantëve shqiptarë atje, në rastin më të mirë i trajton si çështje të karakterit teknik, ndërsa shpeshherë edhe i anashkalon krejtësisht, duke iu përmbajtur me fanatizëm interesave meskine personale, të cilat shpesh arrijnë të gjejnë satisfaksion momental. Një sjellje po aq infantile, në mos më tepër vihet re edhe në marrëdhëniet me maqedonasit, të cilët për pak sa nuk na mbyllën dhe portat krejtësisht duke imponuar viza të shtrenjta veçse pak kohë më parë, megjithëse ishin humbës neto të kësaj lëvizje absurde dhe të pakuptimtë.

Për t’iu rikthyer letrës së Gruevskit dhe efektit të saj, vlen të theksohet përgjigja e menjëhershme mohuese e Karamanlisit i cili jo vetëm hidhte poshtë si të paqena argumentet maqedonase, por për më tepër tërhiqte vëmendjen e homologut të tij për tepri emocionale, e cila mund të ishte fatale për rrugën e Maqedonisë për në BE dhe NATO. Ndërkohë që i referohej institucioneve të tilla, gjykatave evropiane dhe asaj të Strasburgut për të Drejtat e Njeriut, si institucione arbitrazhi te të cilat pala maqedonase mund të drejtohej nëse kishte çfarëdolloj pretendimi juridik.

Përfundimet e kësaj lëvizjeje taktike të Gruevskit, beneficet që rrodhën apo mund të rrjedhin prej saj, të barazpeshuara me kostot, do kërkonin një analizë mjaft të gjatë dhe substanciale, ashtu sikundër përgjigja zyrtare greke që ravijëzon një qëndrim politik dhe diplomatik të caktuar, por që gjithsesi u munduan të cekeshin sadopak nëpërmjet këtij shkrimi. Diplomacia shqiptare duhet t’i studiojë me kujdes këto lëvizje të cilat mund t’i sigurojnë një rol lidershipi, sado modest, në këtë cep të Ballkanit Perëndimor dhe të përpiqet të dali përtej shërbesës së interesave të njërës apo tjetrës palë dhe të kuptojë se kush lëvizje i shërben më mirë interesave të saj. Interesi kombëtar lidhet ngushtësisht me lëvizjet taktike në marrëdhëniet bilaterale dhe shumëpalëshe dhe çdo lëvizje taktike dhe të jetë në funksion të strategjive paraprake që ndërtohen pas konsultimeve me ekspertë, për mos t’u kapur gafil para çdo situate, sado e papritur të shfaqet ajo.


POSTO NE:

diggdigg it   YahooYahoo MyWeb   GoogleGoogle   SlashdotSlashdot   deliciousdel.icio.us   technoratiTechnorati

Emri juaj:
E-mail juaj:
Titulli:
Komenti juaj:


Template Page


Kosova si shembull për njohjen e Osetisë Jugore dhe Abkazisë?

Presidenti rus Medvedev i referohet Kosovës për të justifikuar

Gruevski përsërit idenë e referendumit

Kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski ka përsëritur qëndrimin e

LAJME TE NGJASHME

PODCAST

Reklama ne Shekulli Online


Tel: 042256994
Fax: 042256015
Cel: 0692187272
E-Mail:  reklama.shekulli@abissnet.al

© 1997 - 2008 shekulli.com.al Biznesi Online Sporti Shqiptar Revista Spekter Botimet Max Arti i Kuzhines Arkivi
© 2008 Te gjitha te drejtat Shekulli Kontakt Stafi Online Preview Chanel Lidhja RSS/XML