Shtune, 30 Gusht 2008 06:16:20

Lexoni versionin Print

Konservatorët kundër votës së emigrantëve

Kohët e fundit, në shtypin e atdheut, në vijim të debateve politike, vend të veçantë zë tema që ka të bëjë me të drejtën ose jo të emigrantëve për të votuar. Ndërkohë që forcat politike shprehin pozicionin e tyre në vartësi të interesit pushtetor e marrëdhënieve me elektoratin, ajo që bën përshtypje

Niko Ago*
Hene, 21 Korrik 2008 08:18:00

Kohët e fundit, në shtypin e atdheut, në vijim të debateve politike, vend të veçantë zë tema që ka të bëjë me të drejtën ose jo të emigrantëve për të votuar. Ndërkohë që forcat politike shprehin pozicionin e tyre në vartësi të interesit pushtetor e marrëdhënieve me elektoratin, ajo që bën përshtypje, është mënyra me përbuzje, për të mos thënë mllefi që shprehet në shtyp, përsa i përket të drejtës që duhet të kenë emigrantët shqiptarë për të votuar si nënshtetas të Republikës së Shqipërisë. Del në pah një konservatorizëm i theksuar, një frikë e pajustifikueshme ndaj emigrantëve dhe diasporës shqiptare në përgjithësi, dhe ajo që është më shqetësuesja, paraqiten emigrantët si një rrezik që i kanoset... mbarëvajtjes elektorale në vend!

Është dekurajuese, kur gazetarë e opinionistë me përvojë, që gjithëmënyrash ndikojnë ose mundohen të arrijnë diçka të tillë, në jetën publike të atdheut, nëpërmjet organeve që kanë në zotërim apo bashkëpunojnë, lëshojnë ndaj emigrantëve shqiptarë në perëndim, një mori epitetesh e përkufizimesh, sikur të kemi të bëjmë me një pakicë barbare e grabitqare, kolerikë e tuberkularë, dhe jo si të jenë këta (emigrantët), gjakdhënësit e ekonomisë shqiptare. Nënvleftësimi e përbuzja që mbillet, ndaj pothuajse 1 milionë bashkatdhetarëve të ndodhur jashtë trojeve shqiptare, por që kanë lënë pas prindërit, familjet, të afërmit dhe gjithçka tjetër që i bën ata të mos ndahen kurrë ndaj atdheut dhe që bëjnë të gjitha përpjekjet për të qenë gjithnjë e më pranë ndodhive të atjeshme, nuk mund të shpjegohet lehtë. Me syrin e dikujt që nuk ndodhet në atdhe, por që natyrshëm dëshiron të marrë pjesë në zgjedhje për të vendosur edhe ai për fatet e veta, sikurse ndodh kudo në botë, ajo që lehtë dallohet, është konservatorizmi i thellë i tifozëve që janë kundër pjesëmarrjes në zgjedhje të emigrantëve.

Është me vend këtu të kujtojmë për kolegët që frikësohen nga vota e emigrantëve se, në SHBA, sistemin politik të të cilave e adhurojnë në kor në atdhe, vota e të ndodhurve jashtë territorit amerikan, jo vetëm është e siguruar, por përkujdesja e shtetit amerikan për nënshtetasit e kudondodhur nëpër rruzull, fiton një angazhim të veçantë nga Kongresi. Po kështu, për dijeni të ndokujt që nuk është i njohur me këtë fakt, shteti grek, në periudha zgjedhjesh, vë në dispozicion të grekëve të diasporës së afërt evropiane, dhjetëra linja avionësh për t’i sjellë ata në atdhe e për të ushtruar të drejtën legjitime të zgjedhjes e të të zgjedhurit. Në këtë prizëm, është alarmant dhe dekurajues fakti që akoma dhe për ne që jemi larguar nga vendi vetëm pas vitit 1990, dhe që shumica dërrmuese e jona ruajnë lidhje të patronditura me atdheun, duke investuar dalëngadalë edhe ato fitime që ndokush ka mundur të ketë nga emigracioni, shpejtojnë të na mohojnë të drejtën për të shprehur vullnetin e lirë nëpërmjet votës. Në mënyrë krejt të njëanshme dhe jo reale, konkludohet madje se, shumica e emigrantëve nuk do që të ketë lidhje me atdheun(!). Absurde si logjikë por dhe dashakeqe si tezë.
 
Të përcaktosh, madje, diasporën si të pavlerë dhe mediokre, duke ravijëzuar mandej edhe kufijtë që ajo ka krijuar me atdheun, është fakt që të shqetëson. Thirrja për të bërë përzgjedhje të atyre shqiptarëve që duhet të votojnë, sipas vullnetit për të kontribuar ose jo në jetën politike shqiptare, tingëllon makabre, ajo ose duhet parë me nënqeshje ose duhet anashkaluar krejtësisht. Dhe, për të qenë akoma më të qartë, ngjan si dy pika uji me politikën famëkeqe të luftës së klasave! Mirëpo, nuk përfundon këtu denigrimi që mundohet t’i bëhet emigracionit tonë nga "direktivadhënësit" e holleve të hoteleve të Tiranës. Të nisur vetëm nga përvoja personale apo e njerëzve që i rrethojnë, grupëzohen shqiptarët e diasporës, dhe sidomos ata të Greqisë, duke i cilësuar si të pakulturuar!

Mirë do të qe këtu, të bëjmë me dijeni se mes diasporës më të re shqiptare, në Perëndim përgjithësisht dhe në Greqi veçanërisht, lëvrojnë figura të spikatura dhe intelektualë me potencial shkencor të lakmueshëm, si nga atdheu nga ikën, por edhe nga ai ku janë vendosur. Një pjesë e mirë e këtyre intelektualëve dhe forcave progresiste të ndodhura në Perëndim, janë të gatshëm për të kontribuar për ngritjen e nivelit intelektual të atdheut. Assesi, nuk duam këtu të besojmë se një sulm i tillë ndaj emigracionit, fsheh në vetvete xhelozinë e mirënjohur të mediokrit. Duke qenë jashtë kufijve gjeografikë të Shqipërisë, një pjesë kaq e madhe e popullsisë, doemos që është reale mundësia të ketë në gjirin e saj elementë mediokër e të pakulturuar. Sikurse, asnjë dyshim nuk ka se, midis asaj pjese intelektualësh që nuk mundën të emigronin pas ndryshimeve të mëdha të viteve '90, ose ngaqë nuk mundi ose ngaqë menjëherë u rehabilitua ekonomikisht e politikisht ndeshim si elementë mediokër, por edhe nga ata mbi mesataren. Është e pavërtetuar deri më sot, të paktën, që në kohën e ikjes së madhe nga Shqipëria, të bëhej përzgjedhja e trurit. Askush nuk bindet se, me një mënyrë krejt magjike, jashtë mëmëdheut u larguan më mediokrit dhe atdheu ishte me fat, pasi mbajti mendjendriturit. Një interesim në rrugë dhe me interes të sinqertë profesional nga gazetarët ose opinionistët e gazetave në atdhe, do t’i bindte ata për këtë.

Në të gjitha shtetet ku janë vendosur shqiptarët, pas çrregullimit të përgjithshëm të ‘91-shit por edhe të ‘97-ës, në të gjitha instancat e jetës publike dhe intelektuale të shteteve ku banojnë, ata kanë mundur të integrohen tërësisht. Mund t’i gjesh lehtë, si në auditorët e Universiteteve, po ashtu dhe në stacionet radiofonike e televizive më të mëdha vendase, si në shtypin qendror, aq edhe në fushat e tjera shkencore, ku ushtrojnë me sukses të plotë e me profesionalizëm për t’u lakmuar dhe me kontribut në përmirësimin e imazhit e Shqipërisë. Janë shqiptarët e diasporës ata që bëjnë të dëgjohet tek-tuk për ndonjë gjë pozitive atdheu. Kolegët që ndodhen pas, në të shumtën e rasteve, konsumohen në grindjet e pafund mes tyre e në luftën e përditshme me pushtetin e korrupsionin.

Të shprehesh kaq lehtë se duhet të votojnë ata që e meritojnë, përbën në vetvete një dallim të ulët dhe fort poshtërues. Cili është vallë ai që do t’i ndajë shqiptarët, në ata që meritojnë për të votuar dhe në ata që nuk e meritojnë?! A nuk përbën kjo në vetvete, një përçarje shumë të rrezikshme?

Autori është gazetar që punon në Athinë


POSTO NE:

diggdigg it   YahooYahoo MyWeb   GoogleGoogle   SlashdotSlashdot   deliciousdel.icio.us   technoratiTechnorati

Emri juaj:
E-mail juaj:
Titulli:
Komenti juaj:


Template Page


Rifillon procesi gjyqësor ndaj Karaxhiçit

Ai pritet të paraqitet në Gjykatë për t'u deklaruar fajtor ose

Sot detajet zyrtare për rrëzimin e avionit në Ohër

Në Shkup sot pritet të zbardhen detajet e para zyrtare nga hetimet e

LAJME TE NGJASHME

PODCAST

Reklama ne Shekulli Online


Tel: 042256994
Fax: 042256015
Cel: 0692187272
E-Mail:  reklama.shekulli@abissnet.al

© 1997 - 2008 shekulli.com.al Biznesi Online Sporti Shqiptar Revista Spekter Botimet Max Arti i Kuzhines Arkivi
© 2008 Te gjitha te drejtat Shekulli Kontakt Stafi Online Preview Chanel Lidhja RSS/XML