Pjesëmarrja e kufizuar e femrës shqiptare në politikë është tashmë një realitet shqetësues jo vetëm për gratë e pozitën e tyre të margjinalizuar politike e sociale, por për krejt politikën e shoqërinë Shqiptare. Qartas kjo shihet në përfaqësimin e grave në parlament e qeveri, i cili nga 1990 ka ardhur duke rënë. Kështu, përqindja e vendeve në Parlament nga rreth 15% në 1996, zbret në 7% në 1997, 5.7% në 2001 dhe 7% në 2005. Kjo flet për atë që maskilizmi si një stereotip kulturor i fortë, si një thelb i vjetër social nuk ndryshon e nuk ka ndryshuar jo brenda një viti, por asnjë dekade edhe në realitetin produktiv, politik të jetës e partive politike në Shqipëri, duke kontrastuar dukshëm me deklaratat paraelektorale të partive politike. Duke marrë të mirëqenë faktin që rezultatet e progresit në çdo vend maten me shifra e standarde, të cilat respektohen nga politika moderne bashkëkohore, nuk është serioze që ne të heshtim, të luajmë apo të realizojmë politikë hipokrite me gratë. Këto fakte përfaqësimi të gruas në jetën parlamentare, administrative e sociale të vendit nuk konfirmojnë vetëm brutalitetin, vrazhdësinë e maskilizmin e politikës shqiptare për sa i përket politikave gjinore, por na shfaqin ne në parametra përfaqësimi më të ulëta në Evropë e të ngjashëm me vendet e Lindjes së Mesme e të Largët. Kështu, përfaqësimi i grave në jetën politike në Shqipëri është i përafërt me shtetet të tilla si Armenia, Ukraina, Serbia, Turqia dhe shumë larg vendeve të Evropës Perëndimore qëkanë p.sh., Gjermania, Austri 36%, Britania 19% etj.
Pyetjes “Kush e ka fajin’’? Politika dhe natyra maskiliste e shoqërisë shqiptare nga njëra anë, apo vetë gratë dhe karakteri specifik i gruas si natyrë, çdo mendje e shëndoshë e pa paragjykime ia jep lehtë përgjigjen. Ajo është politika me të thënat e të pathënat e saj, me mediokritetin e jolargëpamësinë e saj, me demagogjinë e jokonstruktivitetin e saj, me atë kornizë të çalët ligjore e cila na ka sjellë në këta tregues specifikativ për negativitetin e tyre dhe largesën, ndarjen, distancën e zhvillimeve tona politike me ato vende që ne aspirojmë të bashkohemi. Gratë në botën moderne vlerësohen jo vetëm për feminilitetin e tyre, por edhe për potencialin e tyre politik, intelektual dhe social. Ne të gjithë kemi detyrimin t’i përkrahim gratë në politikë e jetën sociale, detyrim i cili së pari është kushtetues e ligjor, por specifikimi, kuotimi që ne i bëjmë pjesëmarrjes së gruas në Parlament përmes nenit 20.” Pjesëmarrja në procesin e vendimmarrjes’’ të projektligjit “Për barazinë gjinore në shoqëri” do ta bëjë të qëndrueshëm e të pakthyeshëm këtë pjesëmarrje. Kjo do të shfaqë edhe njëherë seriozitetin e këtij Parlamenti dhe përgjegjësinë që ne si trup legjislativ pavarësisht ngjyrave partiake që shfaqim, nëpërmjet këtij akti ligjor. E veçanta dhe risia e projektligjit është :
1.Parashikimi i masave të posaçme të përkohshme siç janë kuotat: -në masën mbi 30% në të gjitha organet e pushtetit legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor dhe të institucioneve të tjera publike, si dhe në listën për kandidatë në zgjedhjet vendore, jo më pak se 30% e secilës gjini në listën e kandidatëve të paraqitur nga partitë politike për sistemin proporcional për zgjedhjet në Kuvendin e Shqipërisë.
2.Në sistemin publik masat e përkohshme pozitive synojnë në dhënien prioritet të kandidatëve të gjinisë më pak të preferuar gjatë shpalljes për pranimet në institucionet publike. Ky ligj për risitë që sjell tregon edhe idetë e punën serioze emancipuese të kryeministrit BERISHA dhe të ministrit BARKA. Në këtë betejë emancipuese e sinjifikative të politikës, shoqërisë civile, organizatave të shumta joqeveritare të grave në Shqipëri ne shfaqemi të plotë, koherent me pikëpamjet tona, duke plotësuar përpos të tjerave dhe atë detyrim që ne si deputetë të popullit kemi ndaj atyre qindra grave që kanë kontribuar në fushatat tona paraelektorale si aktiviste, menaxhuese, anëtare të qendrave të votimit, për ne si deputetë dhe partitë që ne përfaqësojmë.
Projektligji “Për barazinë gjinore në shoqëri”, që unë besoj se do të kthehet në ligj, do të shërbejë në të ardhmen gjithashtu për t’i bërë gratë e politikës shqiptare më shumë solidare me njëra-tjetrën larg atij mentaliteti makiavelist që në këtë hapësirë të ngushtë politike për to ka imponuar politika shqiptare. Kufiri i detyruar prej 30% të përfaqësimit me gra do të zgjerojë njëherazi edhe hapësirën, terrenin e shtrirjes së femrave brenda partive respektative dhe politikës në tërësi, duke garantuar një mbijetesë politike për më shumë femra përmes një bashkëpunimi dhe solidariteti më koherent mes tyre, i cili do të fillojë qysh nga forumet partiake e shoqërore. Ne të gjithë sot jemi optimistë se gratë dhe vajzat shqiptare kanë nivel të lartë konkurrues arsimimi në të gjitha sistemet e arsimit e administratës, janë punëtore të disiplinuara e me rendiment sistematik.
Përqindja reale, e duhur dhe që do t’i shërbejë së ardhmes evropiane të Shqipërisë e marrjes pjesë të grave në legjislativ e ekzekutiv, si dhe jetën politike e shoqërore në përgjithësi, do të thyejë skemën e vjetër tradicionale të politikës, duke e shndërruar këtë të fundit në një fushatë të bukur e produktive përmes realizimit edhe të dialogut të burrave me gratë, duke mos e lënë atë të mbetet monolog dhe këngë e vjetër burrash, siç shprehet sociologu dhe politologu Gëzim Tushe, në veprën e tij “Politika dhe Qytetari” në kapitulline pestë “Gratë e politikës dhe politika për gra”.