Promovimi i Kodit Gjinor nga Instituti i Sociologjisë dhe përpjekjet për ta bërë atë një dokument operacional për politikën dhe shoqërinë shqiptare, është një nga rastet më ekzistente të forcës ndikuese të shoqërisë civile për formatimin sipas standardeve moderne të politikës sonë. Në këtë kontekst, politika shqiptare po përgatitet për të bërë një “reflektim gjinor” pozitiv, për të ndryshuar me forcë modalitetet e vjetra gjinore, rolin e diskriminuar negativisht të grave në politikë. Kohët e fundit, si asnjëherë më parë koncepti i “barazisë gjinore”, i “shanseve të barabarta” nuk ka qenë kaq shumë në “qarkullimin politik”, terminologjik dhe institucional. Në këtë drejtim duhet vlerësuar hapi i madh i Institutit të Sociologjisë, për të vënë në jetë modalitetet e një Kodi Gjinor që e ndihmon procesin, që e bën atë “detyrues” për të gjithë institucionet relevante të politikës sonë.
Ka disa zhvillime interesante në këtë fushë, që të krijojnë idenë se “barazia gjinore” nuk do të vazhdojë më tej të jetë “term i shpërdoruar” nga përdorimi abuziv, bosh, jo me eficiencën sociale të duhur. Pavarësisht qëllimeve të mira të Institutit të Sociologjisë, si organizatë intelektuale e sociologëve shqiptarë dhe gatishmërisë që kanë shfaqur një pjese e liderëve të politikës aktuale në Shqipëri, duket se mbështetja për gratë në politikën, nuk do të jetë dhe aq e lehtë që të realizohet. Deklaratat optimiste paraelektorale të partive politike për të ndryshuar politikat e “barazisë gjinore”, duket megjithatë se në shoqërinë dhe politikën tonë me terren dhe rezistencë të së kaluarës maskiliste, nuk janë të lehta që premtimet gjinore të shndërrohen në realitet politik. Nga pikëpamja politike dhe sociologjike, është e ditur se nuk është kollaj të sigurosh rezultate të njëjta, nga përdorimi i të njëjtit mekanizëm në ambiente socio-politike dhe gjinore të ndryshme. Në ditët tona përfaqësimi gjinor i gruas në politikën shqiptare është ende në kuota të pakënaqshme, madje mizerabël. Ndërkaq, në nivel global ka filluar të flitet ndryshe, me ide, terminologji, koncepte dhe praktika të reja për të thelluar aksionin afirmues të gruas në politikë, me anë të një mekanizmit të veçantë e mbështetës të “diskriminimit pozitiv” të grave në politikë.
Pse ka dyshime në shoqërinë tonë, por edhe tek vetë gratë, se politika jonë mund të krijojë shanse të barabarta për involvimin e merituar të grave në politikën profesioniste, si një e drejtë qytetare e patjetërsueshme? Pse ka rrezik që në vitin 2009 do të gjenden përsëri argumente disfatiste gjinore, për të justifikuar degradimin e deklaratave pozitive të lidershipit politik shqiptar, të majtë e të djathtë, për ndërtimin e kuotave preferenciale që zbutin këtë padrejtësi gjinore? Në thelb, përfaqësimi i gruas në politikën shqiptare duhet të konsiderohet standardi, kuintesenca e politikës publike, që duhet të tregojë se sa respektohen politikisht gratë në shoqërinë tonë. Të drejtat dhe shanset e barabarta që duhet të kenë gratë dhe burrat, femrat dhe meshkujt në politikë, e jo vetëm në shkollim, punësim, karrierë, afirmim të personalitetit, duke shmangur paragjykimet që shtrembërojnë sistemin e “vlerës dhe meritës”, për shkak të paragjykimit gjinor, të identitetit bio-seksual, janë sfidë për politikën, shoqërinë dhe gratë tona. Shumë politologë, sociologë, lidere të shquara, influente të çështjes gjinore në kohën tonë janë të mendimit se duhet të bëjmë një hap më tej, duke i zëvendësuar politikat e brishta, pasive, rutinore të barazisë gjinore në politikë, me të ashtuquajturën politikë të “diskriminimit pozitiv”, si mënyra më e mirë që mund të ndikojë në përmirësimin e situatës së përfaqësimit politik të drejtpërdrejtë të femrave në shoqëri.
Në thelb, zbatimi i këtij parimi është shumë i domosdoshëm, modern dhe favorizues për gratë, sepse kërkon atë që vlerëson në mënyrë prioritare edhe Kodi Gjinor që ka hartuar Instituti i Sociologjisë Shqiptare, që në një “situatë zgjedhjeje” për studim, shkollim, punësim, karrierë politike, etj., në kushte të aftësisë së barabartë midis një mashkulli dhe një femre të “diskriminohet pozitivisht”, domethënë të zgjidhet kjo e fundit, pikërisht, vetëm për faktin që është femër…
Ky koncept ka filluar të aplikohet në shumë vende të përparuara, në përzgjedhjen e femrave, duke i favorizuar jo vetëm në politikë, por edhe me “kuota diskriminuese” universitare, në punësim, involvim politik, etj. Natyrisht në çdo kohë ka patur dhe vazhdon të ketë polemika politike, sociale dhe gjinore, për efektet e këtij favorizimi diskriminues.
“Sistemi i meritës”, në shoqëritë maskiliste të tilla siç është shoqëria jonë, pësojnë ruptura, deformime gjinore, për shkak të “paragjykimeve të fshehura kulturore”, që krijojnë epërsi dhe favore të padukshme, të nëndheshme, apo që konsiderohen normale, të natyrshme për meshkujt, në dëm të femrave. Sociologët dhe teoricienët e politikave të barazisë gjinore, mbrojnë vlerat e parimit të “diskriminimit pozitiv”, si mjet për të nxitur dhe ndihmuar afirmimin socio-politik të gruas në shoqëri. Personalitete të botës politike dhe akademike, e konsiderojnë “diskriminimin pozitiv si metodën më të mirë për të garantuar përzgjedhjen në pozita më të favorshme, pikërisht të atyre që meritojnë më shumë se të tjerët”.
Femrat në të gjithë piramidën politike, sociale dhe institucionale në vendin tonë, ende janë të përfaqësuara në nivele të ulëta. Me siguri, nëse partitë politike në Shqipëri do të mbajnë fjalën dhe do të aplikojnë politikën e “diskriminimit pozitiv”, të përzgjedhjes me prioritet të femrave që janë në kushte të barabarta me meshkujt, kjo do të ishte mënyra e vetme të cilën profesori i Universitetit të Oksfordit, David Miller e konsideron si mjet “për t’i vënë gjërat në vend”. Nëse politika, shteti, shoqëria dhe familja shqiptare do të ndërgjegjësohen dhe do ta shikojnë problemin e realitetit gjinor në politikë nga këndshikimi i mbështetjes së grave, duke përdorur metodën e “diskriminimit pozitiv”, kjo do të përmirësojë situatën aktuale dhe do të favorizojë rritjen e pjesëmarrjes së grave në politikë, biznes, jetën sociale, karrierë, shërbimin civil, etj.
Nuk mund të pohojmë asnjëherë me gojën plot se kemi shoqëri të “drejtësisë sociale dhe barazisë gjinore”, përderisa të mos kemi një përfaqësim të grave në politikë, në institucionet vendimmarrëse, në institucionet e drejtësisë, në skakierën akademike, kudo, në përpjesëtim të drejtë, të balancuar me përqindjen që grupi gjinor i grave ka në tërësinë demografike të popullsisë tonë. Padyshim, kjo është një perspektivë e largët, por gjithsesi për të mbërritur atje, duhet të vendosim objektiva politike gjinore, të intensifikojmë mekanizmat që sjellin barazi, duke e mbështetur atë edhe me politikat e favorizimit nëpërmjet “diskriminimit pozitiv” të femrave në shoqëri, duke i mbështetur me prioritet, kur ato e meritojnë natyrisht.
Ka përfaqësues të klasës politike që mendojnë ndryshe dhe që nuk janë dakord me mendimin tim, se në shoqërinë tonë ka nuanca të forta të “diskriminimit negativ”, që janë pengesa për femrën, për të qenë konkurruese dhe e barabartë me burrat në jetën politike, sociale dhe ekonomike. Unë nuk mund të jem aq i pasinqertë që të pranoj se politika dhe shoqëria jonë nuk ka paragjykime gjinore që disfavorizojnë femrat, që i konsiderojnë sipas disa paradigmave të vjetra kulturore maskiliste, se ato janë të papërshtatshme për një varg punësh, postesh dhe rolesh politike e publike. Nuk mund të mohohet fakti se ende janë pak femrat shqiptare që e kanë thyer kafazin e mentalitetit maskilist, që kanë krijuar bindje se janë të afta dhe konkurruese me burrat në fushën e jetës. E keqja është se shumica e femrave shqiptare, që nuk kanë fatin të jenë në “elitën gjinore”, kanë ende besim dhe pritmëni sociale të ulët, mungesë respekti për veten dhe aftësitë personale. Në këtë kontekst, duhet të pranojmë rolin që ka “diskriminimi pozitiv”, si shtytje fillestare për të filluar rrugën, duke patur besim tek vetja dhe tek mbështetja e shoqërisë. Diskriminimi pozitiv i femrave në politikë nuk është, as nuk duhet kuptuar si privilegj gjinor që dëmton “sistemin e vlerave” të politikës sonë. Përkundrazi, le ta përdorim atë si mjet që rregullon padrejtësinë historike ndaj femrave tona…