"Pa shije dhe fyese" e ka quajtur zëdhënësi i fushatës së Barack Obamës karikaturën në kopertinën e numrit të fundit të prestigjiozes "The New Yorker", që doli në qarkullim dje.
Karikatura e artistit Barry Blitt satirizon "taktikat e frikës" që qarqet e djathta po përdorin kundër kandidatit për President. Në karikaturë Barack dhe Michelle Obama shfaqen si terroristë, ata gjenden në Zyrën Ovale të Presidentit në Shtëpinë e Bardhë. E gjitha mori shtysë pasi drejtuesja e emisionit "America’s Pulse" në televizionin partizan “FOX News”, znj.E.D.Hill, aludoi sikur salutimi duke përplasur grushtet mund të ishte një përshëndetje terroriste. Shumëkush e di që kjo lloj përshëndetje është në modë në SHBA, sidomos mes të rinjve dhe minoriteteve, e nuk përfaqëson asnjë qëndrim politik.
Revista e përjavshme, socio-polotiko-kulturore, "The New Yorker" njihet për përdorimin e kahershëm të satirës për të nënvizuar një qëndrim, ndaj dhe dje, pas pakënaqësisë së shprehur nga fushata e Obamës dhe shpjegimin se karikatura e titulluar "Politikat e frikës" kombinon një sërë imazhesh fantaziste, dhe i ekspozon si shtrembërimet e dukshme që ato janë. "Flamuri që digjet, rrobat nacionalisto-radikale dhe islamiste që kanë veshur Obamat, portreti në mur? Të gjitha këto përshkruajnë sulmet e ndryshme (ndaj Obamës). Satira është diçka që ne e përdorim, dhe ka për qëllim t’i qesë gjërat në dritë, të ngrejë një pasqyrë në fytyrën e paragjykimeve, urrejtjes dhe absurdit. Dhe kjo është fryma e kopertinës", tha "The New Yorker".
Problemi është se karikatura mund të keqinterpretohet nga ajo pjesë e elektoratit që nuk e njeh mjaftueshëm kandidatin Obama. Për shembull, edhe pse Obama e ka përsëritur tashmë me dhjetëra herë në publik që është i Krishterë, 12% e të anketuarve mendojnë se ai është mysliman, dhe gjysma e të keqkuptuarve janë anëtarë të Partisë Demokratike së cilës Obama i përket. Kandidati Obama gjendet mes dy zjarresh pasi nuk don të përsërisë pafundësisht që është i Krishterë e në këtë mënyrë të fyejë myslimanët amerikanë, që normalisht ofendohen kur besimi i tyre trajtohet si "zgjebe politike". Disa nga qarqet e djathta i referohen kandidatit për President me emrin e plotë Barack Hussein Obama për ta bërë të tingëllojë si Sadami, kjo nënvizon më tej se sa agresive dhe e pistë është bërë lufta për Shtëpinë e Bardhë. Ata i akuzojnë Obamat si anti-amerikanë, jopatriotë dhe në fund edhe si terroristë.
David Remnick, kryeredaktori i revistës "The New Yorker" mendon se qëllimi satirik i karikaturës do të jetë i qartë. "Të jem i sinqertë, unë mendoj se ju po e nënvleftësoni inteligjencën e publikut amerikan",- tha ai dje për CNN. A do keqkuptohet apo jo karikatura, kjo mbetet për t’u parë. Një gjë është e sigurt, që imazhet provokuese funksionojnë më së miri, dhe njerëzit do jenë duke folur për këtë çështje, në mos për Obamën, do flasin për revistën vetë.