Vitet e fundit, në procesin politik një rol parësor ka marrë komunikimi elektronik. Madje, ai ka përfshirë fuqishëm krahas aspektit politik, dhe të gjitha aspektet e tjera të jetës ekonomike, sociale e kulturore. Mjafton t'i bëhet një "radiografi" e thjeshtë fushatës parazgjedhore presidenciale në SHBA për ta ndjerë e vlerësuar diçka të tillë. Dhe kjo vlen tashmë jo vetëm për vende të zhvilluara. Një "teknologji" e tillë ka filluar të shpaloset edhe në vende me hapje shumë më të vonët si ato të Ballkanit, përfshirë deri diku dhe politikën e shoqërinë shqiptare. Natyrisht, këtu nuk bëhet fjalë për ato iniciativa infantile, tashmë të dështuara, edhe pse të deklaruara me bujë, për të luftuar korrupsionin me mesazhe "sms" apo "zyrë telefonike"!...
***
Me fuqizimin dhe sofistikimin e teknologjive të komunikimit, me rritjen e shkallës së depërtimit të tyre në shtresime të ndryshme të popullsisë, me krijimin e formave të reja të rrjetimit grupor e shoqëror, pjesërisht si prirje globale, pjesërisht dhe të ndihmuara nga faqet apo "sajtet" e ndryshme informative e enciklopedike, nga blog-et e llojllojshme të debatimit dhe të shkëmbimit të mendimeve, nga "sajtet" komerciale apo "spam-et" e ndryshme, shërbimet e ndryshme të porosive, shitblerjeve, nga platformat e edukimit dhe të studimit në largësi, etj.
Dhe jeta politike as nuk mund t'i shpëtonte, as nuk mund të mbetet indiferente ndaj këtij procesi. Për më tepër, në vendet e zhvilluara, ajo, aktualisht, po përfshihet vrullshëm në këtë proces. Madje, çdo parti e madhe politike ka të paktën një faqe të saj interneti apo vebsajtin (website) e saj. Edhe drejtuesit politikë kryesorë kanë vebsajtet e tyre. Aq më e theksuar është bërë kjo për strukturat shtetërore (qendrore ose vendore) dhe veprimtarinë e drejtuesve të tyre. Edhe institucione të tjera, organizata ose OJF të ndryshme, grupime ose klube të llojllojshme, kombëtare e ndërkombëtare, kanë po ashtu faqet e tyre të internetit, ku shpërndajnë në rrjet materialet e aktivitetit të tyre, mendimet e kundërshtitë, qëndrimet apo synimet përkatëse. Një gjë e tillë, pavarësisht nivelit të "konsumit" po gjen një shtrirje gjithnjë e më të gjerë edhe në Shqipëri. Pa harruar këtu dhe të përditshmet, që kanë tashmë faqet e tyre elektronike, duke filluar nga ato me qarkullim të madh, deri në ato me qarkullim të papërfillshëm (ndërkohë që mbajtja e këtyre të fundit, shumë pak e justifikueshme, është fare jo transparente në lidhje me burimet e qëllimet e subvencionimit "lobist"!)...
***
Një dukuri pozitive në lidhje me shtrirjen elektronike po shfaqet edhe për mesazhet politike. Kjo sidomos po spikat kohët e fundit në dialogun apo "fushatizmin" e PS-së, pavarësisht se numri i përdoruesve është ende i ulët dhe askush nuk ka bërë matjen e efektivitetit të tyre. Dhe kjo, domosdo, duhet të njihet!...
Aq më tepër që mesazhet politike, në vendet me shtrirje masive të internetit, janë të shpërndara jo vetëm nëpërmjet medias së zakonshme si gazetat, revistat, stacionet radio apo televizive, por gjithmonë e më shumë nëpërmjet komunikimit elektronik të drejtpërdrejtë, pyetje e përgjigjeve, blog-eve, pse jo dhe me "median" e tipit "youtube". Kjo prirje e fundit është vënë re, p.sh., tek faqja elektronike e gazetës "Shekulli".
***
Edhe universitetet kanë vebsajtet e tyre. Bile një pjesë dërmuese e jetës akademike, në botë, zhvillohet nëpërmjet komunikimit elektronik apo siç thuhet "online". Regjistrime online, mësim në distancë, rrjete studentësh apo debatimi shkencor, përmbledhje kërkimesh, lista publikimesh, leksione të shkruara apo shënime ndihmëse, etj., janë pothuajse standardizuar për çdo universitet të madh në vendet e zhvilluara. Edhe tek ne po tentohet diçka e ngjashme. Por këtu me plot gojën mund të thuhet se jemi shumë prapa, pavarësisht premtimeve të bollshme gati 3-vjeçare për shtrirje e subvencion interneti. Nga ana tjetër, mund të pohohet se një përpjekje, madje një ecuri e shpejtë pozitive po vihet re në disa universitete private.
Në faqet universitare, po ashtu, krahas informacionit shkencor, teknik apo natyror, ndeshen dhe informacione, studime apo projektime sociale, ekonomike apo politike. Kjo nënkupton se, në përgjithësi, kontributi i tyre në procesin e komunikimit politik është i konsiderueshëm, edhe pse në shumë raste jo patjetër publik. Po aq i madh është dhe kontributi për akumulim njohjeje brenda internetit, jo vetëm nëpërmjet "portaleve" universitare, por dhe pjesëmarrjes së profesorëve të universitetit në mjedise të tjera bashkëpunimi, sidomos në ato me natyrë enciklopedike. Natyrisht, që ndryshe nga ç' vihet re në botë në lidhje me pjesëmarrjen publike (politike, sociale, ekonomike), këtu ne jemi mjaft prapa. Jo vetëm e thjesht për arsye teknologjike, por dhe për arsye të tjera...
Dhe kjo, me gjithë dëshirën e mirë, nuk mund të mos konsiderohet negative. Aq më tepër që po vihet re se, pavarësisht disa kontributeve intelektuale, indiferenca akademike dhe e institucioneve të edukimit ndaj politikës është duke u bërë gjithnjë dhe më e dukshme. Ndoshta, edhe për të qenë brenda, apo dhe për të shmangur "goditjet" apo "qejf-mbetjet e politikës demagogjike të suksesit"! Nga ana tjetër, ajo lidhet edhe metkurrje e ndërhyrje politike në trajta të ndryshme. Disa prej tyre, por dhe më të shpeshtat, janë, ndërhyrjet e drejtpërdrejta si shkurtimi i buxhetit për institucionet kërkimore dhe edukative, pse jo dhe shkrirja e tyre (si në rastin e disa institucioneve shkencore). Apo si veprime disi më të marifetshme, si p.sh., kufizimi i autonomisë së universiteteve në procedura e vendimmarrje, si interferenca të politikës në vetë procesin akademik me ide të huazuara nga teknologji antidemokratike (si ato të përjetuara dikur në Shqipëri, apo Gjermani e Itali) të "formimit të brezit të ri", të "formimit të elitave", etj. Pa lënë mënjanë këtu vendime konkrete politike, që gjoja justifikohen me ndryshime strukturore, por që shfaqen si ndërhyrje brutale në punësim apo anëtarësim elitar (p.sh., në Shqipëri, po konstatohet deri ekstremi i kësaj teknologjie, në përzgjedhjen e anëtarëve të akademisë nga njëfarë komiteti kryeministror!). Por, këtu qëndron dhe thelbi i gabimit. Sepse përzgjedhja politike në fushën e edukimit dhe shkencës thjesht krijon një "vrimë në ujë", sepse, për më tepër, shkollimi dhe kërkimi, në kushtet aktuale globale, nuk mund t'i nënshtrohen një pseudo-gare politike të brendshme, por një konkurrence krejtësisht ndërkombëtare. E njëjta gjë vlen dhe për organizime të shkencës që ose pasqyrojnë jetën shkencore ose janë ndërmjetëse midis "akademisë" (në një kuptim të përgjithshëm të termit) dhe shoqërisë...
***
Po të bëhet një vlerësim i "trashë" në lidhje me zgjerimin e komunikimit elektronik në procesin politik e shoqëror në Shqipëri, mund të thuhet se jemi ende mjaft prapa në krahasim me shumë vende të tjera. Jo më ato të BE-së! Prandaj, krahas incentivave ndaj iniciativave private në këtë fushë, po bëhet gjithnjë e më urgjent një angazhim tërësor e shumë më serioz i institucioneve shtetërore përkatëse. Jo me demagogji e retorikë boshe, me përçartje e halucinacione, por me masa konkrete, me veprime e një strategji të qartë kombëtare! Dhe, pa dyshim, edhe me investimin e financimin përkatës...