Në njërin prej pavionëve të Qendrës Spitalore “Nënë Tereza” sheh një parullë që thotë se, “Lumturia është shëruesi më i madh për ata që janë të sëmurë”. Por mes atmosferës që mbizotëron në Qendrën Spitalore, më tepër se një mesazh shpresëdhënës, kjo parullë duket si një shprehje humori të zi. Sepse kjo qendër, e aq më pak spitalet e tjera anembanë Shqipërisë, jo vetëm që s’mund t’i bëjnë pacientët të ndihen të lumtur, por ato duket sikur s’përmbushin as kushtin më elementar të të qenit një vend kurimi: të mos dëmtojnë të sëmurët.
Në fakt, mjafton një vizitë e shkurtër, qoftë dhe në spitalin më të mirë publik të vendit, për të parë se sistemi shëndetësor shqiptar jo vetëm që s’është i denjë për një vend që pretendon të ketë bërë hapa të mëdha përpara drejt integrimit në Bashkimin Europian, por ai do të turpëronte edhe shumë vende të botës së tretë. Kudo mbretëron një rrëmujë e pisllëk, që s’mund të justifikohen as me mungesën e reformave e as me mungesën e fondeve. Pirgje plehrash që hasen në çdo cep të ambienteve të jashtme, makina pa fund të parkuara ku t’u vijë për mbarë, njerëz që futen si pa të keq në çdo cep e skutë të spitalit, shitës ambulantë, ndërtime të lëna përgjysmë, qen, etj., etj. Një atmosferë që më shumë të sjell ndërmend një pazar sesa një vend ku supozohet të mbretërojë qetësia, pastërtia e rregulli.
Ka pastaj dhe plot probleme të tjera që i di i madh e i vogël në Shqipëri edhe pa vënë këmbë fare në ndonjë spital. Këtu mund të përmendet mungesa e barnave, sapunit e detergjenteve, çarçafëve e pizhameve, aparaturave e pajisjeve gjithfarësh si dhe procedurat absurde të tenderimit që nevojiten për të ndërruar qoftë edhe një llambë, që duket si të jenë ideuar enkas për t’ua bërë jetën të pamundur qendrave tona shëndetësore. Për të mos folur pastaj për mungesën kriminale të ujit e elektricitetit.
Për t’i rënë shkurt, nuk është e tepruar të thuash se sistemi shëndetësor shqiptar ka marrë rrokopujën dhe se fajin për këtë ashtu si dhe për morinë e problemeve të tjera me të cilat përballet sot vendi e ka politika. Nuk ka pasur deri më sot qeveri shqiptare që ta ketë shpallur ndonjëherë shëndetësinë si prioritet të sajin. Edhe kur kanë folur e premtuar për reforma e investime në këtë fushë, faktet kanë treguar se këto s’kanë qenë veçse retorikë e propagandë të lëshuara në erë gjatë fushatave. Dhe mund të flasë sa të dojë Kryeministri apo ministri i Shëndetësisë për arritjet e përmirësimet në këtë fushë. Faktet e përmendura më lartë janë kokëforta, ashtu siç është në fund të fundit i pamohueshëm edhe fakti se Shqipëria shpenzon për shëndetin e çdo shtetasi të saj, rreth 20 herë më pak sesa mesatarja e vendeve europiane. Dhe do të ishte interesante sikur qeveria të merrte një ditë mundimin të llogariste se si krahasohen këto shifra me shpenzimet e klasës sonë politike, apo qoftë ato të udhëtimeve nëpër botë të Kryetares së Kuvendit dhe shpurave që e shoqërojnë.
Por problemi është tejet më serioz sesa thjesht një shpërfillje e shëndetësisë nga ana e qeverisë shqiptare, në favor të llastimeve të pushtetarëve tanë. Ashtu si dhe çdo fushë tjetër e jetës publike shqiptare, sistemi shëndetësor është kthyer thjesht në njërën ndër fetat e tortës, që qeveria sipas një tradite tashmë të rrënjosur shqiptare ua ka ndarë aleatëve. Që të zhvatin dhe ata ndonjë thelë. Dhe kjo, nga një Kryeministër që me profesion është mjek, e që ka bërë dikur betimin e Hipokratit. Në fakt, trajtimi që i ka bërë qeveria e sotme shqiptare sistemit të shëndetësisë, i ka dhënë shkas një fenomeni që do të ishte për t’u gajasur sikur të mos bëhej fjalë për një fushë aq të rëndësishme: demokristianizimi i sistemit shëndetësor. Sepse sot, rëndom, anembanë vendit, spitale e ambulanca janë mbushur me njerëz që një ditë të bukur u gdhinë militantë të PDK-së apo me mjekë që kanë zgjedhur anëtarësinë në partinë e ministrit Ndoka, si rrugën më të mirë për të ruajtur vendin e punës. Dhe mjafton ky fakt për t’i bërë të tingëllojnë qesharake ankesat e ministrit në fjalë, se “drejtorët po emërojnë mjekë të paaftë, në bazë të miqësive e interesave dhe jo të aftësive profesionale”. Në fund të fundit, nëse do t’i shkonim deri në përfundimin e saj logjik kësaj ankese, do të ishte vetë ministri i pari që do të duhej të largohej. Sepse ndonëse kanë ngjarë edhe çudira më të mëdha në këtë botë, nuk janë të shumta rastet kur një ministër Shëndetësie me profesion “teneqexhi”, të ketë qenë i aftë të reformojë sistemin e shëndetësisë. Qofsha i gabuar.
Gjithsesi, ministri e qeveria nuk duket sikur i shohin punët aq keq sa shqiptarët e thjeshtë. Jo vetëm kaq, po fakti se shëndetësia nuk përbënte një ndër prioritetet e qeverisë në planin strategjik për katër vitet e ardhshme, të bën të mendosh se ata ose mendojnë se punët shkojnë fjollë, ose nuk u bëhet vonë. Por tek e fundit njerëzve të këtij rangu, në ndryshim nga ne vdekatarët e rëndomtë, nuk u bie ndonjëherë rasti të shtrohen në spitalet shqiptare. Ndoshta ka ardhur dita të kalohet një ligj që i ndalon ata të kurohen gjetkë.