Sfida e organizimit komunitar është një nga sfidat për të cilat ia vlen të shpenzosh energji, të servirësh ide për debat, të guxosh të konturosh modele. Edhe pse pengesat janë nga më “të çuditshmet” ndryshimi duhet filluar nga mendësia e secilit prej nesh. Pika ku mund të nisë veprimi i lirë që do t'i japë një kuptim të ri jetës sonë të përbashkët, le të shërbejë vetvetja. Kjo e bën të pakuptimtë qarjen për mungesën e mbështetjes për të filluar. Komunitarizmi ka si tregues të tij, nivelin e vetëdijes mbi përgjegjësitë qytetare. Tradita jonë, edhe pse me shembuj organizimi vendor, nuk ka mundur të formojë shprehi të qëndrueshme komunitariste. Njeriu i ri si "idhull proletar" i ndryshoi thelbin komunitarizmit. E shndërroi bashkësinë e individëve të lirë në një turmë numrash njerëzish të rinj, të sakrifikuar me çdo çmim për atdheun e tyre.
Periudha tranzitore, që nuk ka fund ende, shënoi kalimin nga deliri në delir duke ndryshuar kahet. Nga kolektivizëm ekstrem, në individualizëm edhe më ekstrem. Vullnetarizmi, solidariteti roli i marrëdhënieve morale etj., shihen sot si jashtë mode. Në këtë kontekst është e vështirë të masësh nivelin e përgjegjësive komunitare. Por dhe përgjegjësi komunitare pa të drejta do të çonte në një komunitarizëm akademik. Ndaj dhe shpirti komunitar, vullnetarizmi, solidariteti nuk mund të vendosen me ligje e dekrete.
Po si?... Unë po e filloj nga vetvetja... Edhe për arsyen e thjeshtë se dua t’i përkas bashkësisë së njerëzve të lirë e kokëfortë për të gjetur argumentet nga të vërtetat e thjeshta të jetës së vet.
Qeliza bazë e bashkësisë së individëve është familja. Të gjithë e shohim si institucionin bazë të shoqërisë në kuptimin edhe se familja luan rol në komunitarizëm. Por ç’ndodh me familjen tonë (timen)? Ndryshe edukon nëna, ndryshe babai. Ndryshe djalin dhe ndryshe vajzën, si për t'i vënë parakushtet pabarazisë gjinore. Sa familja jonë (ime) reagon ndaj mbrojtjes së ambientit të përbashkët, mirëmbajtjen e hapësirave të përbashkëta, zhvillimin e fqinjësisë së mirë, vullnetarizmin e solidaritetin ndaj njerëzve në nevojë? Cili është roli im (ynë )?
Secili në individualitetin e tij ka dhe treguesin e ndikimit. E rëndësishme është të jemi bashkë, për t'i dhënë fund të ndenjurit symbyllur dhe gojëkyçur duke pritur se çdo të na bëjë vetëm qeverisja, si dikur mëngjeset e arta komuniste.
Kam sjellë mjaftueshëm (për vete) argumente se nuk mund të pres Bashkinë të më pastrojë rrugicën, të më hedhë mbeturinat urbane në vendin e caktuar, të më mirëmbajë pompën e ujit, tarracën , shkallët dhe hyrjet e pallatit, për të pasuar me reagimin qytetar. Ndërkohë argumentet janë sheshit për t’u ngritur në një nivel të ri e mosreshtur së investuari për krijimin e kapitalit shoqëror në komunitetin që unë kam fatin të drejtoj.
Inicimi i krijimit të bordeve qytetare komunitare me bazë vullnetare njerëzish që mendojnë se unë/identiteti nuk mjafton për të rritur cilësinë e jetës. Unë besoj se këto forume do të shërbejnë në gjallërimin e jetës komunitare, në iniciues të nismave zhvilluese, në identifikimin e vlerave, pra në rritjen e kapitalit shoqëror të Njësisë Bashkiake Nr.1.
Kemi filluar me krijimin e Bordit Qytetar të Arsimit, si një mekanizëm që do të ndikojë jo vetëm në oponencën e nevojshme qytetare për cilësinë e shkollave në zonë, por dhe në ofrimin e ndihmës konkrete për hapjen e shkollave drejt komunitetit, ndihmën ndaj fëmijëve në kushte të vështira ekonomike apo me vështirësi në nxënie përmes punës vullnetare të mësuesve në pension etj.
Qeverisja vendore ka informacion të plotë për cilësinë e grupeve të shumta heterogjene, nivelit të papunësisë dhe varfërisë, grupeve në nevojë që mund të jenë kontigjent krimi etj. A nuk mjafton kjo si një bazë e nevojshme për të kanalizuar buxhetet për investime dhe projektet e ndihmës në këto grupe? A nuk mund të ftosh dhe Shefin e Komisariatit të Policisë gjatë transparencës si Kryetare Njësie në grupet qytetare për të ndarë së bashku përgjegjësi? A nuk është më mirë të fillosh me ndriçimin në një zonë ku inspektorët e rendit të informojnë se rreziku është më i madh për qytetarët? E ç’lidhje ka kjo me mentalitetin e së kaluarës që të bëhet pengesë? Asnjë lidhje.
E në këtë rinovim moral, të kesh si armë vetëm mohimin, mendoj se është e gabuar. Për shembull, ne nxisim të rinjtë të mos jenë të dhunshëm, të mos përdorin alkool, drogë e duhan. A nuk do të ishte më efikase, dhënia e një mesazhi konkret pozitiv? Po.
Mesazhi konkret, do të jetë investimi për ndërtimin e dhjetë minifushave dhe një parku. Inkurajimi i aktiviteteve është i pranueshëm më shumë sesa të thuash mos
Këto ishin disa shembuj për të provuar se ne/identiteti peshon më shumë në të mirën tonë të përbashkët.
Për të punuar për idetë komunitariste nuk duhet pritur, as fshehur pas kompetencave pasi nuk duhet të lejojmë që indiferenca totale të fitojë status të veçantë.
Autorja është Kryetare e Njësisë Bashkiake NR.1, Tiranë