Kemi bërë gabime pas gabimesh në 17 vjet, duke u mburrur me borxhet si “shifra rritjesh” dhe asnjëherë nuk kemi pasur kurajën, madje shpesh, as inteligjencën, për të kuptuar se kjo “rritje” në kurriz të së ardhmes e ka futur Shqipërinë, gjeneratën e saj të nesërme, në detyrime të paimagjinueshme. Po flasim për një “rritje” që nesër mund të na lërë gojëhapur para mundësisë për të zhvilluar vendin, për shkak se kemi ngritur kudo, në mënyrën më skandaloze dhe kriminale, një kulturë të zhvillimit, që në fakt është një kulturë e të jetuarit sot për sot, në kurriz të brezave që vijnë. Kjo ishte një nga pikat kryesore në procesin e asaj që publikisht u njoh si “Dialogu me Shqipërinë”.
Besoj se falë këtij dialogu, kemi tanimë jo vetëm shumë herë më tepër të dhëna dhe shumë herë më tepër instrumente për të shqyrtuar problematikat, por edhe një aleancë shumë të gjerë mes nesh dhe njerëzve në të gjithë Shqipërinë. Kjo aleancë duhet kthyer në një aleancë të madhe politike, për të krijuar një bashkim të madh njerëzish të vendosur për t’i dhënë fund inercisë së zhvillimit varfërues të Shqipërisë, një “zhvillimi”, që zhvillim nuk është, përderisa jep kosto të pallogaritshme për të Nesërmen dhe gjithmonë e më pak në të Sotmen. Çdo familje shqiptare që përpiqet të jetojë me punë të ndershme, e ndjen këtë.
Kemi sot një Shqipëri kapitaliste, e cila jeton falë iniciativave shumë kurajoze të shqiptarëve në të gjithë territorin e saj, apo edhe jashtë territorit të saj, por që nuk ka asnjë rregullsi në mënyrën e saj të të jetuarit, për shkak të mungesës së plotë të konkurrencës së lirë dhe të arbitraritetit ekstrem të shtetit.
Shqiptarët kërkojnë gjithnjë e më shpesh përgjigjen e pyetjes: Pse ne sot kemi një shtet që ekziston vetëm në letër dhe një pushtet, i cili ekzekuton një vullnet, që në pjesën më të madhe të tij është vullneti i një pale në dëm të të gjithë të tjerëve; të një pale që përfaqësohet nga ekskluziviteti i një grushti njerëzish mbi të gjithë Shqipërinë dhe gjithë shoqërinë.
Kjo Shqipëri që kemi sot, na sfidon të gjithëve. Le të mendojmë një çast të vetëm se cila do të jetë e ardhmja e saj, në kushtet e një konkurrence të hapur, të egër, rajonale dhe evropiane. Duhet të jemi të gatshëm për të përballuar këtë sfidë. Dhe falë “Dialogut”, ne jemi sot në gjendje, për fat të mirë, të dimë shumëçka që nuk dinim në fillim të këtij procesi. Ne sot dimë cila është gjendja në komunat dhe qytetet e Shqipërisë, cila është gjendja në Veri dhe në Jug, gjendja e familjeve shqiptare që jetojnë në çdo cep të vendit. Nga ana tjetër, njohim shqetësimet dhe idetë e njerëzve për mënyrën se si mund të dilet nga kjo situatë. Kemi mbajtur shënim gjithçka që ata kanë dashur të na thonë në 300 tryeza në çdo komunë të Shqipërisë dhe po ashtu në tryezat rajonale apo vendore.
Kjo gjendje që ne njohim sot, mund të ndryshojë! Pa dyshim! Do të jemi të gatshëm dhe të aftë të thithim bashkë me mendimin e gjithë këtyre mijërave njerëz, edhe mendimin e ekspertëve vendas dhe të huaj, për të ballafaquar në këtë mënyrë Shqipërinë reale dhe Shqipërinë me sytë e atyre që e njohin zhvillimin dhe e dinë si realizohet ai. Kjo pjesë është tani pjesa që po merr jetë dita-ditës dhe po përfshin një numër të rëndësishëm njerëzish. Ata kanë eksperiencë të jashtëzakonshme në qeverisjen e vendeve të mëdha evropiane apo të vendeve që e kanë kaluar tranzicionin dhe sot janë ulur në tryezën e BE-së. Deri sot që flasim, janë pesë kryeministra të shquar evropianë, që janë në komunikim me ne, për çështje të programit të zhvillimit; një numër ekspertësh të huaj, janë angazhuar në pjesë të ndryshme të këtij programi, dhe në vijim të tjerë do të marrin pjesë për çështje specifike. Besoj se, nëse nga shtatori deri në qershor dëgjuam Shqipërinë, në shtatorin e ardhshëm do të fillojmë ballafaqimin e atyre që dëgjuam me ato që i mendojmë si linja kryesore të politikës sonë të re, për t’i dhënë trajtë përfundimtare programit tonë.
Do ta vijojmë ballafaqimin tonë me sipërmarrësit shqiptarë, të mëdhenj apo të vegjël, që sot e gjithë ditën, pas 17 vjetësh liri, e ndiejnë veten të persekutuar. Është absurde që ata nuk kanë mundësinë të ndjehen krenarë për suksesin e tyre, nuk kanë mundësinë të jetojnë normalisht në atdheun e vet, aty ku kanë ngritur veprën e energjive, talentit të tyre. Pse? Sepse vazhdon duke u thelluar historia banale dhe njëkohësisht skandaloze e përndjekjes së sipërmarrësve, jo për arsye politike, por për arsye financiare tanimë, për shkak të një shteti, i cili ju ka qepur të gjithëve nga pas, xhandarët e arbitraritetit të tij - dhe nga ana tjetër, për shkak të një pushteti, i cili te çdo sipërmarrës shikon ose një kërcënim, ose një burim të ardhurash vetjake apo klanore.
Në ballafaqimet tona do të përfshijmë edhe të gjitha kategoritë e tjera të shoqërisë shqiptare. Për ne është shumë e rëndësishme të thellojmë lidhjet me njerëzit në të gjithë Shqipërinë. Ne duam të jemi zëdhënësit e një politike që është jashtë kufijve partiakë, e një politike që kërkon të përçojë në shoqërinë shqiptare, vullnetin për të bashkuar dhe jo për të ndarë, vullnetin për të parë shqiptaret e shqiptarët në radhë të parë si njerëz qytetarë, pastaj si socialistë apo demokratë, vullnetin për të mos lejuar më që për shkak të kësaj humnere, që vertikalisht shkon nga zyra e Kryeministrit deri te zyra e përfaqësuesit më të fundit të shtetit në komunën më të humbur, shqiptarët të jetojnë të ndarë në dy pjesë në të njëjtin vend, si dy palë, si dy ushtri që ndeshen pambarimisht
Ky hendek do të mbyllet. Ndaj duhen krijuar kushtet që nesër të gjithë shqiptarët, pavarësisht ideve dhe bindjeve të tyre, të mos ndihen të humbur nga fitorja jonë, të mos ndihen të kërcënuar nga ndryshimi i pushtetit dhe i qeverisë, të mos ndihen të braktisur për shkak se mes tyre hyn përsëri pyka e përçarjes. Këtu nuk bëhet fjalë për të shkrirë ato që janë ndarje filozofike, konceptuale mes kampeve dhe ideve të ndryshme. Këtu bëhet fjalë për të mbyllur një hendek që është hapur gjoja në emër të partive, por që në fakt funksionon vetëm për të përçuar të gjithë rrjedhjen e pasurive publike, energjie njerëzore, financiare e gjithçka tjetër në kanalet e një pushteti tërësisht të partizuar.
Jemi të vetëdijshëm, se këtu nuk bëhet fjalë për të zëvendësuar një kryeministër dhe një tufë ministrash, që janë shprehja më kuptimplotë e degradimit të kësaj politike 17-vjeçare, me një kryeministër tjetër dhe një tufë ministrash të tjerë. Këtu bëhet fjalë për të ndryshuar natyrën e pushtetit, procesit politik, për të ndryshuar natyrën e qeverisjes, duke patur kurajën që të kuptojmë dhe të përçojmë një bindje të re. Pushteti nuk është qëllimi ynë, por është mjeti për të realizuar qëllimet tona të përbashkëta. Në opozitë është vendi i duhur për ta përcjellë këtë frymë emancipuese, është vendi i duhur për të krijuar vetëdijen se një qeveri e keqe, nuk mund të ndryshojë me një opozitë të keqe. Historia jonë e këtyre viteve na ka dëshmuar disa herë se, një e keqe që mundet me të keqe, i lë vendin një të keqeje tjetër; një keqqeverisje që mundet nga një opozitë e keqe, prodhon një tjetër keqqeverisje.
Shikoni qytetet e Shqipërisë, që kanë mbetur si udhëkryqe kafenesh dhe bilardosh, nga ku të rejat dhe të rinjtë duan vetëm një gjë: të marrin arratinë. Shikoni qytezat, ku jetohet me kafshatat e shkulura nga buxheti i shtetit përmes një korrupsioni që është ekskluzivitet i atyre që kanë pushtet. Kush e sheh dhe e ndjen këtë pamje, atëherë nuk ka se si të mos mbrojë bindjen se kjo situatë ndryshohet vetëm duke i kapërcyer kufijtë e partive, duke i kapërcyer dasitë mes partive.
Ndaj, ne nuk jemi në opozitë thjesht dhe vetëm me Sali Berishën dhe me ministrat e tij; ata janë vetëm shëmbëlltyra e një të keqeje që shtrihet shumë më thellë, që i ka rrënjët tek një histori që ne kemi misionin ta ndryshojmë. Ne jemi në opozitë me prapambetjen, ne jemi në opozitë me injorancën, ne jemi në opozitë me papunësinë. Këto janë rezultat i një mentaliteti që do të na mbysë edhe neve nesër, në rast se nuk do të mundemi të ndërtojmë një pushtet që të burojë nga nevoja për të mundur të keqen , jo nga nevoja për të sunduar gjysmën tjetër, as nga sensi i një rotacioni politik, që nuk është asgjë tjetër prej 17 vitesh, veçse rotacioni i ekskluzivitetit mbi pasuritë publike. Ky është thelbi i betejës sonë. Nuk jemi këtu për të mbajtur karriget të ngjitura pas trupit. Unë jo. E kam thënë dhe e përsëris. Unë jam një qytetar i angazhuar, që dua të jetoj dhe të vdes në vendin tim.
Ne kemi një rrugë të qartë në këtë kapitull të fundit të përpjekjes sonë opozitare, që do të përfundoj me fitoren tonë, e cila duhet dhe do të jetë fitorja e së resë, duhet dhe do të jetë fitorja e të gjithë atyre që pavarësisht se kanë tesera të ndryshme, kanë halle të përbashkëta.