Gjendja e sektorit shëndetësor vazhdon të mbetet një nga plagët më të rënda të Shqipërisë në tranzicion. Këtë situatë të rëndë e faktojnë dhe problemet më të fundit në Qendrën Spitalore Universitare të Tiranës, qendra spitalore civile më e madhe në vend. Prej më shumë se një muaji në këtë qendër kanë munguar disa nga medikamentet bazë dhe gjithashtu, gjatë ditëve të fundit, është ndërprerë zhvillimi i operacioneve kirurgjikale, si pasojë e mos furnizimit me ujë të institucionit. Të tilla probleme tregojnë qartë inefikasitetin dhe paaftësinë menaxhuese që ekziston sot në sektorin shëndetësor në Shqipëri.
Menaxhimi joeficient i sektorit shëndetësor në Shqipëri, vjen si rezultat i mungesës apo dështimit në ndërmarrjen e politikave të orientuara drejt formimit të kapaciteteve në fushën e menaxhimit shëndetësor. Që prej rënies së regjimit komunist, institucionet e shëndetit primar dhe sekondar janë administruar sipas mënyrës tradicionale, ku mjekë klinicistë, por pa aftësi të provuara në fushën e menaxhimit, kanë marrë rolet e administratorit të këtyre institucioneve. Së fundmi, nën petkun e reformës së ndërmarrë nga Ministria e Shëndetësisë, kjo situatë është përkeqësuar me caktimin në postet e administratorit të spitaleve të pseudo-menaxherëve të cilët kanë, në krahun tjetër, mungesë totale njohurie në problematikat e shëndetësisë. Ajo çka do t’i ofronte një zgjidhje përfundimtare problemit të inefikasitetit në menaxhim dhe do të evitonte skandale si këto të ditëve të fundit në shëndetësi, do të ishte ngritja e një institucioni, i cili do të siguronte formimin e ekspertëve në fushën e menaxhimit të këtij sektori.
Përtej paaftësisë menaxhuese, sistemi shëndetësor në Shqipëri vuan dhe një serë “sëmundjesh” të tjera.
Aksesi i kufizuar në sistemin e kujdesit shëndetësor, cilësia e dobët e infrastrukturës dhe shërbimeve shëndetësore publike, financimi i pakët, si dhe nivelet tejet të larta të korrupsionit, janë problematikat më të nxehta të këtij sektori në vend. Sipas të dhënave, Shqipëria ka 1.3 mjekë për çdo 1000 banorë, dhe çdo banor e kontakton shërbimin shëndetësor vetëm 1.6 herë në vit. Të tilla shifra, të cilat janë shumë herë më të ulëta se standardet evropiane, apo dhe se ato të vendeve të rajonit, tregojnë qartë mos-gjindshmërinë e sistemit shëndetësor në Shqipëri. Ka dy arsye kryesore që ndikojnë drejtpërsëdrejti në vështirësitë që popullata ka për të aksesuar në sistemin e kujdesit shëndetësor: 1) Shpërndarja e burimeve fizike dhe njerëzore të sektorit jo në harmoni me nevojat shëndetësore të popullsisë, dhe; 2) Pengesat subjektive, si niveli i lartë i korrupsionit (pagesat nën dorë) dhe pagesat e detyruara.
Një tjetër problem shumë serioz i sektorit publik shëndetësor në Shqipëri është edhe cilësia e dobët e shërbimit të ofruar. Kjo çështje, edhe pse e trajtuar gjerësisht nga media dhe opinioni publik, vazhdon të mbetet një nga shqetësimet kyçe në shëndetësinë shqiptare. Shkaqet e kësaj gjendjeje janë disa: së pari, niveli i dobët i infrastrukturës spitalore, ende nën standardet e dëshiruara, me aparatura e pajisje të vjetra, për të cilat mungon një plan i mirëfilltë mirëmbajtjeje, shkakton vazhdimisht ndërprerjen e kurimit dhe trajtimit të pacientëve. Së dyti, mungesa e pajisjeve dhe aparaturave spitalore të përparuara. Në qendrat spitalore shqiptare mungojnë aparatura si skaner, pajisje endoskopie, pajisje për ekzaminimin e tumoreve etj., duke bërë që cilësia e shërbimit të jetë e cekët dhe qytetarët të detyrohen të kurohen jashtë vendit, ose në klinika private. Së treti, cilësia e dobët e shërbimit lidhet ngushtë me mungesën e profesionalizmit të mjekëve, çka shkaktohet nga dy faktor. Njëri syresh lidhet me problemet e sistemit të mësimdhënies në fakultetet e Mjekësisë, ku siç pohojnë dhe vetë studentët, mësimi është teorik dhe mungon baza laboratorike dhe praktike. Dhe faktori i dytë, po aq i rëndësishëm, është mungesa e edukimit të vazhdueshëm të mjekëve që janë ushtrues të profesionit. Kjo do të thotë që ndryshe nga çfarë parashikohet, mjekët shqiptarë nuk e kanë praktikë kryerjen e testimeve periodike, për të provuar që janë ende të aftë për të ushtruar profesionin e tyre.
Zgjidhja dhe kontrolli i problemeve të lartpërmendura mbetet një përgjegjësi e qeverisë qendrore, dhe në veçanti një detyrë e drejtpërdrejtë e Ministrisë së Shëndetësisë. Sistemi shëndetësor në Shqipëri, edhe pse përmendet shpeshherë si një nga prioritetet kryesore të qeverisë, në terma realë, vazhdon të mbetet një shqetësim sekondar, ku reagimi i Ekzekutivit ndihet vetëm pas shpërthimit të skandaleve si këto të këtyre muajve.