Shtune, 06 Shtator 2008 02:15:15

Lexoni versionin Print

Dallgët e euforisë

Një nga konfliktet më domethënëse të shoqërisë së sotme shqiptare, është ai midis prirjeve vetëlavdëruese të administratës dhe skepticizmit të natyrshëm që shfaqin qytetarët e vet. Ky konflikt ka gjetur pasqyrimin e tij, në mënyrën më ekstreme, në një sërë grevash (urie);

Nga VANGJUSH SARO
Shtune, 12 Korrik 2008 08:52:00

 

Një nga konfliktet më domethënëse të shoqërisë së sotme shqiptare, është ai midis prirjeve vetëlavdëruese të administratës dhe skepticizmit të natyrshëm që shfaqin qytetarët e vet. Ky konflikt ka gjetur pasqyrimin e tij, në mënyrën më ekstreme, në një sërë grevash (urie); sikundër nuk ka munguar në dhënien e opinioneve (tepër të rezervuara) për një sërë mediash dhe sondazhe të shoqatave jopolitike.

Qytetarët e këtij vendi nuk janë në “qiellin e shtatë”, ashtu si shumica qeverisëse. Madje qytetarët iu druhen dallgëve të euforisë. Mirëpo pikërisht në emër të tyre, kryeministri i vendit, Sali Berisha, ka kërkuar sakaq një “mandat të dytë” qeverisës; edhe pse i lodhur nga akuza të cilave gjithnjë iu ikën. Thelbi i ngutjes së radhës të numrit një të ekzekutivit shqiptar, ka të bëjë këtë herë me publikimin e disa shifrave, që vende-vende janë të stisura, e ndërkaq, disa prej tyre edhe të vërteta.

Një pasqyrë e arritjeve ekonomike të gjashtëmujorit të parë të vitit 2008, e prezantuar nga ministri i Financave, Ridvan Bode, ka qenë e paralajmëruar nga Kryeministri, atëherë kur ai foli për “mandatin e dytë”. Sigurisht, edhe shefi i qeverisë së shumicës, edhe ministri i tij, janë në dijeni të vlerave të vërteta që ka prodhuar ekipi i vetëlavdëruar; sikundër dinë shumë mirë edhe kushtet në të cilat disa shifra janë tejfryrë kësisoj. Bie fjala, koeficienti i rritjes galopante të çmimeve, që normalisht do të duhej patur në konsideratë, nuk merret në sy asfare.

Po ashtu, nuk vlerësohen një sërë problemesh me biznesin; (vetëm me organet tatimore janë në gjyq 400 subjekte). Në të njëjtën kohë, harrohen krejt hallet e mëdha me ujin e pijshëm dhe me dritat; sikundër ato në fushën e mjekësisë, që është përfshirë së fundi nga disa skandale. Pas krahëve hidhen edhe ngërçet e tjera sociale, si papunësia, por edhe fenomenet tipike tranzicionaliste, si vjedhja e trojeve, trafiqet e armëve, shkeljet dhe abuzimet e rënda financiare të administratës. Nuk shihen në mënyrë realiste as performancat e tjera ekonomike jetike, që jo përherë ngarkojnë me përgjegjësi qeverinë, si rritja e inflacionit. Shumë prej këtyre fakteve, janë bërë dhe vazhdojnë të bëhen publike nga opozita dhe mediat. Por në raportet optimiste të qeverisë, argumente të tilla dilematike nuk gjenden. Dhe kjo e thellon më tej konfliktin e heshtur të qeverisë me popullin e vet.

Cilado të ishte një pamje më pranë së vërtetës? Rrethe të ndryshme të vendit përballen me probleme të rënda, që kryeqytetit ia fshehin deri diku luksi i rremë dhe gazetat (gjoja) serioze me foto femrash lakuriq. Ndryshe nga numri një i ekzekutivit, sikundër edhe ministrat e tij, qytetarët shqiptarë përjetojnë vështirësi të mëdha jetike. Dhe rritja e premtuar e pagave, nuk arrin të mbushë kurrsesi mungesat e tyre. E gjithë kjo ndodh në një kohë kur një pjesë e madhe e zyrtarëve dhe të privilegjuarve të sotëm, lahen në vaska floriri; tamam siç ka thënë kryeministri. Qytetarët shqiptarë e shikojnë këtë skotë mëtonjësish ashtu siç shikonte artistët e filmave personazhi i “Moll’ e ndalueme” të Migjenit.

Por ka edhe institucione e drejtues të tjerë politikë apo shtetërorë, që gjithashtu përpiqen të jenë më realistë. Presidenti i Republikës, z.Bamir Topi, duke iu tërhequr vëmendjen e institucioneve legale të kontrollit, u shpreh se burimet jopolitike vazhdojnë të ngrenë me shqetësim ekzistencën e korrupsionit dhe të mentalitetit korruptiv tek një numër zyrtarësh të të gjitha niveleve.

“Unë mund t’ju them, shtoi ai, që raportet ndërkombëtare shpeshherë kanë konstatuar dhe kanë shprehur, me tone kritike, që në disa sektorë ka problematika, ku korrupsioni është më i ndjeshëm, ashtu sikurse edhe vetë qytetarët po bëhen gjithnjë e më shumë aktivë në kërkesat e tyre”. Dhe më tej: “Konstatohet se ka nëpunës, madje 175 të tillë, që nuk zbatojnë ligjin dhe madje nuk deklarojnë as pasurinë apo nuk nënshkruajnë deklaratën e konfliktit të interesit. Një gjë e tillë, është sa e dënueshme, aq edhe e papranueshme në logjikën e funksionimit të administratës dhe të shtetit. Nga modele të tilla zyrtarësh është e kotë të presësh zbatimin e ligjit në raport me qytetarët”.

Këta zyrtarë të lartë nuk jetojnë as në Hënë, as në Mars; shumica e tyre janë pjesë e ekipit qeverisës “më të suksesshëm”. Më tej, në fillim të korrikut, Kontrolli i Lartë i Shtetit konstatoi një sërë shkeljesh dhe abuzimesh në Zyrën Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Tiranë (ZQRPP); në Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Tiranë; në Degën e Tatim-Taksave, Tiranë; në Drejtorinë e Shërbimeve Qeveritare. Ndërkaq, në Vlorë sapo janë akuzuar për shitje trojesh disa zyrtarë të rëndësishëm lokalë, midis të cilëve edhe një ish-kandidat për deputet i shumicës.

Sigurisht, euforia, të cilën qeveria shqiptare e ka me shumicë, nuk gjendet në sondazhet e organizmave ndërkombëtare; nuk gjendet as në raportet e institucioneve më të rëndësishme të botës; përkundrazi, në to ka kritika dhe vërejtje esenciale. Kështu, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim pohon se investimet e huaja direkte kanë patur një rritje gjatë vitit 2007 në Shqipëri. Por ndryshe nga qeveria shqiptare, institucioni i huaj nënvizon ndikimin e faktorëve të tillë të rëndësishëm, si privatizimi i “Albtelecom”-it, për të vazhduar me investimet në industrinë e çimentos dhe në energjitikë.

Në faqen e internetit të këtij institucioni, në rubrikën “Indikatorë të Tranzicionit”, vetëm treguesi “Liberalizimi i çmimeve” paraqet përafërsisht “standarde të një ekonomie tregu të industrializuar”. Treguesit e tjerë, si privatizimet strategjike, siguria e tregjeve, politikat e konkurrencës, etj., janë në kufij modestë. Në të njëjtën hapësirë, kujtohen problemet e rënda energjitike të vendit dhe grahma financiare e KESH-it. Në një nga raportet më të fundit të Bankës Botërore, thuhet se Vendet e Evropës Lindore e kanë kapërcyer krizën e viteve ‘90, por ato duhet të jenë novatorë, të përfshijnë qytetarët në zhvillimet e vendit të tyre, si dhe të integrohen me gjerë me ekonominë globale, nëse dëshirojnë të ruajnë ritmet e rritjes. Por nuk ka kritikë e institucion që të kthejë me këmbë në tokë drejtuesit arrogantë të shumicës, ca më tepër që afrohet viti elektoral 2009.

Edhe pse është keq e më keq, që të shikosh pikërisht mëtonjësin, siç thoshte Fishta, “me mbajtë garuzhden mbrendë ndër vorbat tona / e t’tanë yndyrën ai me e zjerrë për vedi...” (Emancipimi i kombit shqiptar).


POSTO NE:

diggdigg it   YahooYahoo MyWeb   GoogleGoogle   SlashdotSlashdot   deliciousdel.icio.us   technoratiTechnorati

Emri juaj:
E-mail juaj:
Titulli:
Komenti juaj:


Template Page


Kosovë: S'ka lajme nga Shkupi e Podgorica

Prishtina nuk ka njoftime zyrtare për mundësinë e njohjes më të

Serbi, rriten përpjekjet për arrestimin e Mlladiçit

Pas arrestimit te Radovan Karaxhic po intensifikohen përpjekjet për

LAJME TE NGJASHME

PODCAST

Reklama ne Shekulli Online


Tel: 042256994
Fax: 042256015
Cel: 0692187272
E-Mail:  reklama.shekulli@abissnet.al

© 1997 - 2008 shekulli.com.al Biznesi Online Sporti Shqiptar Revista Spekter Botimet Max Arti i Kuzhines Arkivi
© 2008 Te gjitha te drejtat Shekulli Kontakt Stafi Online Preview Chanel Lidhja RSS/XML