Lexuam këto ditë në shtyp, lajmin e habitshëm se Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë e Sporteve ka miratuar ndërtimin e një teleferiku që të shpie në kështjellën e Rozafës.
Kodra shkëmbore mban mbi krye këtu kështjellën më të famshme në Shqipëri. Nuk është vetëm historia e saj, që zë fill të paktën para 3 mijë vjetësh, bëhet më pas kështjellë kryesore e Labeatëve dhe mbretit Gent në shekullin 2 p.e.s., kryekështjellë e Balshajve në shekullin 14, e ringritur dhe e përforcuar nga venecianët në shek.15, mbrojtur prej këtyre dhe shkodranëve me një trimëri që çuditi Europën për mbi 15 vjet, fortesë e pallat i Bushatllinjve në shekujt 18-19: Jo, është vendndodhja e saj simbolike mes ultësirës së Nënshkodrës, Taraboshit e Cukalit në perëndim e Alpeve Shqiptare në Veri, mes ujërave të Drinit, Bunës e Liqenit të Shkodrës, që e bën Rozafën, zonjën historike të krejt Veriut të Shqipërisë. Trajtat e malit me kurorë të gurtë mbi krye kanë një simbolikë të gdhendur fort në mendjen e çdo shqiptari, ato janë të tilla të pandryshuara prej shekujsh, prag i botës së maleve dhe njëkohësisht vështrimi i njerëzve të këtij vendi drejt Perëndimit.
Lartësia më e madhe e kësaj kodre është vetëm 133 m. Hyrja impozante arrihet shumë lehtë nëpër rrugën që vjen nga lindja, madje duhet të vish nëpër këtë rrugë të bukur me kalldrëm që të ndjesh madhështinë e kështjellës. Lind pyetja: Përse duhet teleferiku? Rruga për në hyrje të kështjellës është kaq e shkurtër, sa mund ta bëjnë në këmbë të gjitha moshat, edhe pleqtë.
Ngaqë asnjë arsyetim nuk të çon te teleferiku, na mbetet vetëm një përfundim: atë dëshirojnë ta ngrenë persona të caktuar thjesht për fitime private. Deri këtu s’ka asgjë të habitshme, sepse “privati” sot përpiqet të nxjerrë fitime nga çdo gjë, edhe nga guri i vjetër. Por pyetja është, si ka mundësi të bashkohet me ta një ministri që ka për detyrë të parë të ruajë trashëgimin kulturore të këtij vendi?
Në rast se do të vendosej teleferiku për në Rozafë, ky do të ishte dhunim i një monumenti historik të dorës së parë, do të ishte një përçudnim i dukshëm për së largu, nga cilado anë që të ngrihej: qoftë nga ana e Drinit, nga ajo e Bunës apo nga rruga nacionale. Në asnjë vend, të paktën europian, nuk dëmtohet pamja e jashtme e kështjellave me teleferikë. Nëse ka vërtetë ndonjë fond që mund të përdorej për të mirë të Rozafës sot, me të mund të përmirësohej rruga për në kështjellë, mund të bëheshin brenda në të restaurime të rëndësishme, mund të ngrihej këtu një muze i shkëlqyer për historinë mijëravjeçare të kështjellës dhe të Shkodrës.
Por kurrsesi një teleferik. Zoti ministër Pango: distancohuni nga ky projekt, si një cenim i pashoq i trashëgimisë sonë historiko-kulturore.
*Shënimi është një letër e hapur drejtuar ministrit të TKRS, Ylli Pango
**Agron Alibali, Edi Hila, Ardian Klosi, Artan Lame, Piro Misha, Mustafa Nano, Ledi Shamku, Auron Tare, Pëllumb Xhufi.