Enjte, 20 Nentor 2008 18:24:20

Lexoni versionin Print

Ata “lart”, njerëzit “poshtë”...

Në Shqipëri rëndom ka një përfytyrim metafizik të pushtetit, si mjet që duhet të shoqërohet me patjetër me mentalitetin izolacionist, të shkëputjes, të ndarjes nga “të tjerët më poshtë”. Nuk është dukuri sociale e shkëputur.

Nga Gëzim Tushi
Hene, 07 Korrik 2008 08:31:00

 

Në Shqipëri rëndom ka një përfytyrim metafizik të pushtetit, si mjet që duhet të shoqërohet me patjetër me mentalitetin izolacionist, të shkëputjes, të ndarjes nga “të tjerët më poshtë”. Nuk është dukuri sociale e shkëputur. Është thuajse masiv mentaliteti i politikanëve dhe pushtetarëve në nivele qendrore dhe lokale, që e konsiderojnë detyrën dhe pushtetin si shenjë force personale, pushteti dhe autoriteti nominal.

Prej këtej burojnë sjellje si ajo e atij ministrit të qeverisë aktuale që donte të ndërtonte një ashensor personal, veçmas atij që përdornin banorët e tjerë të pallatit ku jetonte. Kjo dukuri e izolimit, ndarjes dhe vendosjes së kufirit fizik, të drejtuesve të politikës apo administratës sonë, është patologji e keqe me impakt të gjerë social. Ai është ndërkaq i shoqëruar gjerësisht me “qëndrimin eks-komunikues”, me shkëputjen e lidhjeve, marrëdhënieve dhe komunikimit shoqëror. Ky mentalitet vepron fuqishëm me ata që “i plotfuqishmi” ka “afër” dhe sidomos “poshtë vetes”.

Kjo virozë sociale e ndarjes, izolimit, fortifikimit dhe moskomunikimit, më duket se në kohën demokratike është akoma më e thelluar, më e shtrirë si mentalitet dhe më e agravuar si intensitet. Absolutisht nuk mund të krahasohet qëndrimi i liderëve politikë dhe drejtuesve të Administratës shtetërore të ditëve tona, me qëndrimin dhe sjelljen e drejtuesve në kohën e regjimit totalitar.

Totalitarizmi asokohe ishte në rrënjën e shoqërisë, por marrëdhëniet me njerëzit “poshtë” ishin ndryshe. Ndoshta për teatër, apo për të vërtetuar “thjeshtësi”, veprimin e vijës së masave, apo prej efektit të besimit të verbër tek ketmanët ideologjikë dhe sloganet të tjera morale e populiste. Ndoshta, por e vërteta është që ishim larg mentalitetit të sotëm vetëfortifikues dhe pasojave të tij.

Sot ky mentalitet është kthyer në mekanizëm drejtimi, që mbartësit e tij e përdorin për të gjetur dhe treguar vendin e tyre në skakierën e stratifikimit social. Kjo ka bërë që në shoqërinë shqiptare, të ravijëzohen grupet e “njerëzve të pushtetshëm”, të shkëputur nga “njerëzit e zakonshëm”, që bëjnë jetë sui generis, që nuk mbajnë lidhje me të tjerët, sidomos me “shtresën e ulët”.

I vetmi mekanizëm që vepron tani tek shumë drejtues politikë dhe të pushtetit në të gjithë nivelet e tij, është lufta për të qenë koherent dhe komunikues më ata që ke lart “mbi kokë”, me të cilët janë të lidhura jo thjesht interesat e komunikimit, si komunikim personal, por në këtë tip komunikimi janë interesat pragmatiste, për komoditet social, për karrierizëm, apo për shumë “izma” të tjera që janë gjallëruar dhe kanë shpërthyer.

Natyrisht shoqëria demokratike ka rregullat e saj, mënyrën e stratifikimit dhe komunikimit demokratik. Ajo nuk është shoqëri masash apo lëvizje sociale populiste. Doemos që njeriu ka të drejtë të zgjedhë miqësitë, shoqëritë dhe ambientet e jetës dhe komunikimit privat. Por këtu nuk është fjala për “njeriun privat” që jeton i lirë në jetën dhe botën e tij, që komunikon me atë që do dhe që ndërton marrëdhënie miqësore apo shoqërore. Këtu është fjala për “njeriun publik” për atë që nuk është i rëndësishëm nga vetja, se sa është nga rëndësia që i ka dhënë shoqëria, duke e zgjedhur apo emëruar në poste politike, partiake, shtetërore.

Hierarkia e posteve në shoqërinë shqiptare është bastarduar keq dhe ka marrë formën më mizerabël, të barazimit të postit që të japin me hierarkinë e vlerave që janë të tuat. Shpesh këta njerëz që kanë poste publike, kanë të gatshëm edhe mentalitetin fortifikues si “mburojë” për t’u ndarë, diferencuar dhe dalluar nga njerëzit që nuk kanë poste.

Nuk është fjala për “vijë masash”. Por nuk është normale që njerëzit që marrin poste publike në politikë, shtet dhe administratë, të shkëputen dhe të diferencohen artificialisht me njerëzit, vetëm dhe si qëllim në vetvete, për të treguar pushtet, autoritet apo komplekse me deformim social “sado mazohist”.

Ky mentalitet i personalizuar dhe psikologjikisht i deformuar, ndihet fuqishëm në jetën e përditshme. Atë e shikojmë në sjelljet e politikanëve, të drejtuesve të shtetit, të pushtetit vendor dhe të Administratës Publike. Një shumicë e njerëzve me pushtet politik apo shtetëror, që në krye të herës, për shkak se kanë paravendosur një tipologji të tillë të ushtrimit të funksionit dhe të pushtetit, bëhen narcisë, ju pëlqen vetja dhe bien në dashuri me të.

Megalomania e pushtetit bëhet sindroma që po i shtyn shumë drejtues të jenë arrogantë, asocialë, me shpirt të deformuar, me çrregullime evidente personaliteti.

Nga analizat që kemi mundur t’i bëjmë kësaj dukurie sociale, na duket se mentaliteti i fortifikimit është i lidhur me natyrën mosbesuese dhe dyshuese të njerëzve të pushtetshëm, të cilët bëhen paranojakë nga pushteti i tepërt dhe shpejt nisin të shohin gjithandej kundërshtarë, rivalë, egoistë. Në këtë kontekst duket qartë, se njerëz të pushtetshëm që kanë sindromën e fortifikimit dhe të ndarjes artificiale nga njerëzit, krijojnë ndërkaq një rreth të ngushtë “të besuarish”, me të cilët ata komunikojnë.

Këto sëmundje individuale, që tashmë shfaqen edhe si problem social në shoqërinë shqiptare, janë të dukshme tek drejtuesit që jetojnë të lumtur në periudhën e pushtetit. Sepse në kohën e opozitës, marrëdhëniet me njerëzit e thjeshtë janë më të gjëra, më të ngushta dhe më të shpeshta. Besoj se nuk ka dyshim, që mentaliteti i fortifikimit, i ndarjes dhe shkëputjes nga njerëzit është një çështje individuale, por që gjithnjë dhe në mënyrë fatale vepron e lidhur dhe e kondicionuar me “aureolën e pushtetit” e cila e ushqen atë…


POSTO NE:

diggdigg it   YahooYahoo MyWeb   GoogleGoogle   SlashdotSlashdot   deliciousdel.icio.us   technoratiTechnorati

Emri juaj:
E-mail juaj:
Titulli:
Komenti juaj:


Thaçi nga Anglia: Kosova e vendosur për Eulex me 4 pika

20/11/08 13:10:00 | Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi është pjesë e delegacionit..

Bakojanis: Greqia së shpejti do ta njohë Kosovën

19/11/08 17:58:00 | Shefja e diplomacisë greke Dora Bakojanis theksoi se Greqia së..

LAJME TE NGJASHME

PODCAST

Reklama ne Shekulli Online


Tel: 042256994
Fax: 042256015
Cel: 0692187272
E-Mail:  reklamashekulli@yahoo.com

© 1997 - 2008 shekulli.com.al Biznesi Online Sporti Shqiptar Revista Spekter Botimet Max Arti i Kuzhines Arkivi
© 2008 Te gjitha te drejtat Shekulli Kontakt Stafi Online Preview Chanel Lidhja RSS/XML