NGA SHTYPI I HUAJ
Është kohë e vështirë për të qënë shkrimtar në Turqi. Vitin e kaluar gazetari i njohur turko-armen, Hrant Dink u vra, ndërsa këtë vit një bandë, siç pretendohet ultra-nacionaliste tha se kishte në listën e vet nobelistin Orhan Pamuk. Të dy personat e përmendur janë gjykuar për "fyerje të turqizmit."
Sot shumë shkrimtarë që njiheshin për qëndrimin e tyre të drejtpërdrejtë, kanë rënë në qetësi. Por një person është duke e vënë veten në ballë të luftës për lirinë e fjalës.
Ragip Zarakolu e takoj në një korridor të errët të gjykatës Sultanahmet, teksa priste të thirrej në gjyqin e tij më të fundit. Ai është një burrë shtatshkurtër me flokë të dredhura e të thinjura dhe me një shikim të ngrohtë. Zoti Zarakolu është një botues me mision, për të shkatërruar çdo tabu në Turqi. Kësaj rradhe edhe ai akuzohet se ka fyer turqizmin, në bazë të nenit 301 të kodit penal. Çështja u hap kur ai botoi veprën e një shkrimtari britanik. Ishte historia e familjes së shkrimtarit në vitin 1915, kur qindra armenë otomanë u masakruan në atë që është sot Turqia Lindore. Ragip Zarakolu është prej pak turqve që sfidon qëndrimin zyrtar. Por kjo gjë vjen me një çmim.
Përpara gjyqit të tij, bëra një vizitë në zyrën që ndodhet në anën tjetër të rrugës përballë pazarit të madh.
Në bodrum, nën një restorant McDonalds, zbulova atë që për të është "Shpella e Aladinit" të atyre që janë tabutë e Turqisë. Të ngjeshura nëpër rafte dhe pirg mbi tavolinë e dysheme, kishte libra për çdo subjekt të debatueshëm në Turqi. Kujtimet e një ambasadori amerikan për masakrën armene qëndronte përkrah librave për nacionalizmin kurd. "Unë dhe bashkëshortja ime e ndjerë filluam të botonin libra për historinë e Partisë Komuniste turke, kjo ishte tabuja e parë," shpjegon Ragip Zarakolu.
Libri doli në 1982, përpara grushtit të shtetit. Ai u ndalua dhe më vonë u dogj nga gjeneralët si një kërcënim për rendin social. Gruaja e tij doli para gjyqit. Një dekadë më vonë, çifti e zhvendosi vëmendjen tek problemi i kurdëve në Turqi. Ishte në kohën e rritjes së kryengritjes separatiste. Të patrembur, nga një tjetër çështje gjyqësore, ata botuan tekste lidhur me fatin e armenëve otomanë. "Ne vendosëm se ishte koha për të konfrontuar të shkuarën tonë," shpjegon Ragip. Por në vitin 1993 kjo qasje nuk ishte e mirëpritur.
Gruaja e Ragipit u dënua me dy vjet burg, në bazë të ligjit antiterror për shkak se botoi veprën e një autori francez për masakrën armene. Që prej asaj kohe Turqia ka ndryshuar jashtë mase dhe po punon drejt anëtarësimit në BE. Por gjyqet ndaj botuesve dhe shkrimtarëve vazhdojnë.
Si për ironi, libri i zotit Zarakolu për të cilin ai po hetohet, është ndër librat e tij më pak trazues.
Ai tregon historinë e një zyrtari turk që ndihmoi gjyshen e tij armene në viti 1915, një farë Oscar Schindler turk. Por padija për fyerje erdhi në kohën që ndjenjat nacionaliste filluan të forcoheshin, pjesërisht të lidhura edhe me përpjekjet e Turqisë për anëtarësim. Ministria e Drejtësisë tregoi se 1700 vetë ishin gjykuar në bazë të nenit 301 të kodit penal vetëm në vitin 2006.
Megjithë përplasjet nacionaliste Zarakolu beson se po ndryshon diçka. Librat e tij lexohen kryesisht nga studentë dhe akademikë, por ato nxisin edhe debate të kujdesshme për subjekte që dikur tejkalonin çdo kufi. Tani mund të ndryshojë edhe ligji, për të mbrojtur lirinë e njerëzve që duan ta bëjnë këtë.
Nën presionin e madh të BE-së qeveria turke ka propozuar që të zbusë nenin 301, për fyerje të turqizmit.
Politikanët nacionalistë janë shumë të zemëruar. Por për Ragipin kjo ishte një lëvizje në kohën e duhur.
Gjyqi i tij është shtyrë, derisa parlamenti të vendosë nëse krimi për të cilin ai akuzohet, duhet të ekzistojë apo jo si vepër penale. Ragip beson se edhe një nen i reformuar 301 është i rrezikshëm, pra lufta e tij do të vazhdojë.
*Autorja është korrespondente e shtypit britanik për Turqinë