Wed, 23 Jul 2008 23:26:01
    

Lexoni versionin Print

Aman, na shpëtoni!

Duke ndjekur një "blog" komentesh në internet, më bëri mjaft përshtypje ndërhyrja e shkurtër e një ndjekësi të zellshëm shtypi, lajmesh e debatesh televizive. Pasi shprehte shqetësimin dhe pakënaqësinë për pushtimin e ekranit nga të njëjtat fytyra, bile të konsideruara të bezdisshme e të pështira për të (ndoshta, dhe shumë më gjerë!),

Nga Rexhep Meidani
Tue, 13 May 2008 10:25:00

Duke ndjekur një "blog" komentesh në internet, më bëri mjaft përshtypje ndërhyrja e shkurtër e një ndjekësi të zellshëm shtypi, lajmesh e debatesh televizive. Pasi shprehte shqetësimin dhe pakënaqësinë për pushtimin e ekranit nga të njëjtat fytyra, bile të konsideruara të bezdisshme e të pështira për të (ndoshta, dhe shumë më gjerë!), ai, në fund, duke mbetur tepër i zhgënjyer nga paturpësia e deklarimeve, gënjeshtrat e përsëritura, mungesa e vizionit dhe e kapacitetit, nga gjuha e rëndomtë, shpesh e zezë, nga sjellja arrogante, deri injorante, ai u "lutej" gazetarëve: "Aman, u lodhëm, na shpëtoni prej tyre! Realisht po na shkatërrojnë, 24 orë mbi 24orë! Po sikur të mos i nxirrni fare në ekrane ose sa më pak që të jetë e mundur?! Nuk po e shihni se po biem në mërzi kolektive e depresion prej tyre!?"...

Më mbeti në mendje ky lloj mesazhi. Ishte sa i çuditshëm, po aq dhe i vërtetë. Duke biseduar me të tjerë, pati dhe nga ata që zgjidhjen praktike e gjenin tek ndryshimi i menjëhershëm i kanalit përkatës. Veç të shpëtonin një moment! Por, dhe kjo nuk është ndonjë zgjidhje kohëgjatë, sepse sapo "zhduken" ato fytyra në një kanal, menjëherë të shfaqen në një kanal tjetër! Bile, dhe në ceremoni kremtimesh fetare (siç kishte filmuar me të drejtë "Fiks fare"), në vend që t'u bëhet "gjueti" klerikëve përkatës u gjëmohet me mikrofona e kamera, përsëri, disa protagonistëve politikë, që të mund të përrallisin të njëjtat "urime" të radhës! Dhe për çudi, redaktorët, kryeredaktorët apo drejtorët politikë të lajmeve apo të emisioneve përkatëse nuk veprojnë me forcën e profesionalizmit,por më shpesh heshtin, nuk thonë asgjë. Të paktën, deri tani, nuk po përdorin gërshërën e plotë!...

Prej kohësh, ngado që ta kapësh, po skenohet një problem tepër serioz, për politikën, median e shoqërinë, në tërësi apo teleshikuesin, në veçanti! Dhe gjithkush mund të gjejë pjesën e vet të përgjegjësisë. Duke komentuar këtë avaz e bezdi mediatike, këtë shtypje të përditshme apo "sindromë" depresive (në trajtën e një mbingarkese individuale e kolektive), një mik tjetër që e pranon "mbërthimin" e tij si teleshikues nga kjo lloj "sëmundjeje", duke bërë humor dha dhe ai komentin e radhës: "Po i ngjasim përditë e më shumë individit, që futet në një WC. Përgjithësisht, ajo nuk është e pastër, prandaj duke u futur aty ai mendjen e ka tek kujdesi që duhet të tregojë. Por mund të ndodh dhe e kundërta. WC-ja të rezultojë krejtësisht e pastër. E megjithatë, ai, në fakt përjeton për atë pak kohë një shqetësim të kotë, një sforco e kujdes të tepërt, një merak si refleks mbrojtjeje e sigurie! "...

Jo kult-politikës të njëtrajtshmërisë dhe injorancës

Edhe pa komentet e mësipërme, pa shkruar ndonjë lloj pamfleti retorik apo manifesti publik, mund të bëhen, pa vështirësi, vlerësime negative ndaj disa rubrikave televizive me përmbajtje krejtësisht politike (ku shfaqen qartësisht prirje primitive, spekulative e demagogjike). Por kjo nuk do të thotë se nuk duhen rubrika politike me problematikë të ndryshme, ku spikat kultura apo debati zhvillohet me argumente e nota të pranueshme. Aq më tepër që debati real e konkret politik për çështje të ndryshme është mjaft i domosdoshëm. Sidomos për ekonominë!...

Veçse, të bëjmë dallimin që në fillim. Nuk po flitet për rubrika normale, brenda standardeve demokratike, por fjala është për atë bezdi në rritje, që sjellin në ekrane disa fytyra të përditshme, gënjeshtrat e tyre të panumërta, gjuha e tyre e rëndomtë, në pikëpamje etike dhe estetike,stilistike e kulturore. Pa harruar dhe modelin e "nepërkës" në një këndvështrim apo atë të "çakallit" në një këndvështrim tjetër, shoqëruar dhe me kërcënime potenciale apo ekzekutive. Aq më tepër, kur në spektrin kameleonian të këtyre lloj gjuhëve, pa më të voglën përgjegjshmëri, bile me një qetësi "olimpike", na pasqyrohet një paradë suksesesh administrative e ekonomike, me falsifikime faktesh e projektesh! Po aq manipulative është dhe prirja e vjetër apo e re për të "pagëzuar" ngjarje dhe njerëz, për të rishkruar ato pjesë të zeza (sidomos, disa të vërteta ose dështime tepër të hidhura, të djeshme dhe të sotme), deri duke i "zeruar" ato, nga njëra anë, apo duke ngritur në piedestal ngjarje të tjera, që në memorien popullore apo natyrësinë e tyre nuk e meritojnë një vend të tillë, nga ana tjetër. Dhe kjo kur "çuditë" e kohës janë mjaft shqetësuese, kur në hapësirë shpërhapen tregues demaskues korruptimi apo kur kudo po fryjnë erëra të forta krize; kur po rriten dita-ditës vështirësitë sociale e ekonomike.

A mundet, e pakta, të mos habitesh dhe, e shumta, të mos revoltohesh, kur nuk ndjehet e nuk shpaloset asgjëkund ndonjë shqetësim për këtë situatë. Mos vallë prapë do të na shpalosin me "lot në sy" mosnjohjen e plotë të fakteve?! Apo, të pohojnë se siç nuk kishin dijeni për Gërdecin Korruptiv, nuk paskan dijeni as për Gërdecin Ekonomik. Dhe, ndërkohë, vazhdon të ngjasë pikërisht e kundërta: gojët e palodhura (në fakt, janë mjaft të lodhura sepse janë dhe tepër të konsumuara) vazhdojnë të derdhin lumenjtë e fjalëve për "parajsën" e madhe të sotme dhe të nesërme. Të njëjtat fjalë, e njëjta retorikë, i njëjti ngazëllim përpara një realiteti, që kërkon një seriozitet e bashkëpunim, djersitje e angazhim krejt tjetër! Por le të ndalojmë këtu, duke pyetur veten dhe "ekranet": A nuk është një mënyrë e tillë uzurpimi ekranesh, me ture ose pa ture paraelektorale, me mbledhje apo pa mbledhje qeveritare, me panele ose pa panele "civile", me sfonde simbolike apo me sfonde natyrore, një kult-politikë papërgjegjshmërie, njëtrajtshmërie e injorance? A mund të vazhdohet kështu? A nuk do të ishte më mirë, që kur të mungojë mesazhi e analiza, sinqeriteti dhe e vërteta, të veprojë gërshëra televizive, bile ajo e "qethjes" së madhe?...

A nuk janë mashtrimet publike një burim fyerjeje e "pushtimi"?

Parë në këtë optikë, në mungesë të ndershmërisë e transparencës në komunikimin publik, ajo që mund të thuhet është se: në këto pushtime të përditshme ekranesh qartësisht kemi të bëjmë me një teknologji mediatike mashtrimi apo hedhje hi syve, me një ekzibicionizëm e imponim politik të "vullnetit të lirë" të komandimit e korrupsionit. Ashtu si po shfaqet, me intensitetin hapësinor e "histerinë" kohore, në një stil të huazuar "pagëzimi", kjo lloj sjelljeje politike "uzurpuese" shpreh e mishëron diktimin pamor apo variantin dëgjimor të "fashistizimit fotonik", pavarësisht frekuencës (ngjyrës) konkrete. Kurse vetë mashtrimi, tashmë i mbështetur në elektronikë, edhe pse me një përmbajtje fare të rëndomtë, mund të pagëzohet tashmë si një mashtrim i tipit kiber-politik e kiber-burokratik! Kjo edhe pse pjesa burokratike e administrative thjesht e pranon dhe e imiton atë, dhe pastaj "çuditet", kur ndodhet pas hekurave, për ekzekutim urdhri gojor, në vend të zbatimit korrekt të ligjit...

Prandaj, dhe vlen të konsiderohet shqetësimi i komentatorit të "Blog"-ut. Bile ai duhet të shihet me tepër seriozitet e objektivitet nga vetë media, për të shmangur sa të jetë e mundur këtë lloj mbingarkese elektronike-politike, këtë variant asfiksues e mbytës, shpesh me tepricë injorance e egërsie. Ai jo vetëm po e lodh qytetarin, por dhe po synon t'ia mbyllë atij sytë, kur "fjala faktike"i afrohet qartë krimit fizik e financiar. Bile, po të vazhdohet kështu, me këto teprime "shurdhuese", a nuk mund të quhet një gjë e tillë njëfarë vandalizmi ndaj publikut, apo më keq, një lloj transmetimi i degraduar informacioni? Sidomos, kur ai emetohet prej "grykë kallashnikovësh", që shtinë çdo ditë në ekranet shqiptare dhe tejlodhin qytetarin e shoqërinë. Apo, më keq, duke e kthyer këtë mënyrë "ekranore" mbijetese politike, si programim e qëllim, deri të vetmen punë të ditës!...

Akoma më problematike bëhet një "shfaqje" apo "teatër" i tillë, kur nëpërmjet trysnive të ndryshme, përfshirë dhe ato tatimore-financiare, disa media humbin pavarësinë dhe neutralitetin e tyre, duke pasqyruar e mishëruar thjesht dhe vetëm "fuqinë" e shtetit, fytyrat e tij, duke zmadhuar meritat dhe zvogëluar defektet e punëve të tyre. Apo dhe duke u shndërruar në pjesë përbërëse të strategjisë qeveritare për të kontrolluar apo manipuluar realitetet, vëzhgimete mendimet, perceptimet e afeksionet e qytetarëve, për të luftuar apo kufizuar gjykimin e lirë dhe të pavarur të tyre. Me këtë ekzibicionizëm mekanik e fyerës, me këtë mendësi arkaike dhe rezistencë primitive ndaj një realiteti në evolucion të shpejtë, kuptohet që po vazhdohet të besohet nga këto aktorë të pakorrigjueshëm: "ndërtimi" i qytetarit si njëlloj automati-njerëzor. Realisht, një reminishencë e turpshme, por dhe një marrëzi me brirë!...


POSTO NE:

diggdigg it   YahooYahoo MyWeb   GoogleGoogle   SlashdotSlashdot   deliciousdel.icio.us   technoratiTechnorati

  • Nazmi Berisha-Dyzi: - 05-13-08
    Ruena Zot prej qizmes shtypse Komuniste se gedeci aht mesim!

    Kur e pash thirrjen e Rexhep Mejdanit per shpetime,per pak qe nuk e theva kompjuterin,m'u kujtue Godeci i vitit 97 -te dhe formimin e bandes Xhavit-Hashim ne tubimet speciale Oher e gjetiu me exponen Komunist tek u jepje instrukcione se cili duhet vra,c'ka pjesmares ne tubim ka qen edhe Zoti Ali Ahmet,edhe m'U kujtue nji thanje Gandit te madhe kur ishte per vizit ne Londer i raportuen se :Anglezet kishin vra me mija civil indian dhe ai Ju pergjigjeC'ka!raportuesi ja perseriti edhe njihere,AI i qet, Ju pergjigje,jo,mos u merzit se nuk e zhduk India nga pushka dhe giotina Angleze,por ruena Zot prej koleres,ajo e zhduk indin.Edhe une po i them Mejdanit na ruej Zot,pre idellogjis komuniste qe Ti e udheheq, se Gerdeci vetem sa i ndergjegjson Shqipetaret.

  • askushi ose person: - 05-13-08
    nga kush me perpara?

    Or mik me sa shoh personalisht,qeke teper naiv,dhe teper guak.
    Paske harruar qe jeton ne shekullin e njezeteenje.
    Ose me sakte idiosia qe ke mbjellur dikur po te kthen ne xheloz e lajkatrar karshi frutit te pashijuar.
    Lali ne gjthe boten televizioni si privat por edhe ai publik drejtohet nga i njejti taraf.
    kjo don me thon miko qe sja ke marre doren zapingut.
    Lali zapo sa me shume qe ta marresh vesh se çfar do me thon klike demagogjike.

  • Kastriot: - 05-13-08
    Nuk je i detyruar

    Te gjihta jane te verteta,por nuk je i detyruar ti shikosh dhe cdonjeri ka me shume gjera te vlefshme per te bere per vehten,familjen dhe shoqerine sesa te shtrihet e te shohe TV.
    Lexoni nje liber,beni nje shetitje,ndihmoni dike qe ka nevoje dhe mesohuni te mos jeni te varur nga TVja.

  • Albert: - 05-13-08
    Dekret...

    Me kete rast, le t'i japim nje dekorate me motivacionin Per kontributin me te madh si ndotes dhe mashtrues mediatik drejtuesit te emisionit-farse Opinion Blendi Fevziu. Me e keqja qendron ne faktin se ndotja eshte kthyer ne epidemike, ka arritur te klonohet dhe te prodhoje monstra....

  • Spartak Frasheri: - 05-13-08
    Ku ishe ti Adam?

    Kur lexon shkrime te tilla nga Rexhep Mejdani revoltohesh e bie ne depresion dy fish. Nuk ka patur asnje ndryshim midis kohes se tij president dhe kohes se sotme. Madje presidenca e Mejdanit nuk mund te krahasohet me presidencen e Topit.
    A nuk kishte Mejdani dijeni ne kohen e tij per Gerdecin socialist ekonomik e politik?! Pse nuk e ka denoncuar asnjehere ate lloj Gerdeci. Qe ta denoncosh Gerdecin e sotem eshte nje pune e mire, nje pune qe duhet vleresuar. Ndryshe Shqiperine do ta ndjekin Gerdecet edhe ne te ardhmen. Por Mejdani, qe hiqet si Mesia i politikes eshte me pak i besueshem sesa Berisha, sepse edhe ai ne kohen e tij, njesoj si Berisha i ka justifikuar te gjitha prapesite e veta, te Fatos Nanos, te Ilir Metes, te Fatos Klosit a te Skender Gjinushit.
    Gerdeci i miqve te tij, Klosi e Gjinushi eshte me i madhi Gerdec i historise se Shqiperise pluraliste dhe gjithkush e di se Mejdani e pakta ka pasur dijeni per krimet e ketyre dy politikaneve. Ndaj dhe meriton nje pyetje te thjeshte: Ku ishe ti Adam, kur linden Gerdecet e pare ekonomike e politike ne Shqiperi? A mos ishe dhe ti pjese e tyre?! Dhe tash revoltohesh, besdisesh... Njeriu i thjeshte ka te drejte vertet te besdiset nga pamjet e perditshme televizive, ku te njejtet njerez cdo dite genjejne e mashtrojne. Por bezdia vjen dyfish ne prerzence kur kete bezdisje e paraqet nje ish-president bashkepunetor i krimit dhe gerdeceve te kohesse tij.

Emri juaj:
E-mail juaj:
Titulli:
Komenti juaj:



Rikonfigurimi i UNMIK-ut, Zannier takim me qeveritarët serbë

Shefi i UNMIK-ut Lamberto Zannier diskutoi sot me zyrtarët qeveritarë

Thaçi: Maqedonia dhe Mali i Zi, të njohin Kosovën

“Presim shumë shpejtë njohjen e shtetit të Kosovës nga Maqedonia dhe

PODCAST

Reklama ne Shekulli Online


Tel: 042256994
Fax: 042256015
Cel: 0692187272
E-Mail:  reklama.shekulli@abissnet.al

© 1997 - 2008 shekulli.com.al Biznesi Online Sporti Shqiptar Revista Spekter Botimet Max Arti i Kuzhines Arkivi
© 2008 Te gjitha te drejtat Shekulli Kontakt Stafi Online Preview Chanel Lidhja RSS/XML