Wed, 23 Jul 2008 23:29:12
    

Lexoni versionin Print

Panairi i Kotësive, Krans-Montana

Nesër në Tiranë do të mblidhet për të tretin vit radhazi Forumi i Krans-Montanës. Ky emër i madh i tubimeve ndërkombëtare, që është një Forum Universal ku mblidhen në këtë qoshe të Zvicrës, presidentë, kryeministra dhe afaristë të rëndësishëm nga mbarë bota, në versionin e tij shqiptar është një takim që e organizon qeveria e Sali Berishës, për mikun e vjetër të "kohëve të vështira", Jean Pol Carteron.

Nga Arben Rrozhani
Tue, 13 May 2008 10:24:00

 

Nesër në Tiranë do të mblidhet për të tretin vit radhazi Forumi i Krans-Montanës. Ky emër i madh i tubimeve ndërkombëtare, që është një Forum Universal ku mblidhen në këtë qoshe të Zvicrës, presidentë, kryeministra dhe afaristë të rëndësishëm nga mbarë bota, në versionin e tij shqiptar është një takim që e organizon qeveria e Sali Berishës, për mikun e vjetër të "kohëve të vështira", Jean Pol Carteron. Po ndërsa në versionin zviceran ai nuk mund të mos ketë vlera domethënëse për vendet dhe bizneset e përfshira, në versionin shqiptar, ende nuk është kuptuar se çfarë përfitojnë shqiptarët, apo më keq, çfarë kanë humbur.

Shqiptarët e njohën Krans-Montanën në qershor 2004, kur në serinë e skandaleve të kryeministrit të atëhershëm Fatos Nano, z.Karteron denoncoi te presidenti Alfred Moisiu një borxh kolosal që i kishte mbetur delegacioni nga Shqipëria, financave të Forumit. Sipas presidentit Karteron, borxhi i Nanos ishte rreth 110 mijë franga, dhe ai ndehej i prekur në nderin e Forumit, sepse Nano as nuk kishte denjuar të kthente përgjigje. Z.Nano e kaloi me një sqarim të thatë denoncimin e Karteron, duke u shprehur se nuk kishte asnjë faturë të pashlyer, dhe shuma më e madhe e harxhuar i përkiste vitit 1998, në shumën prej 3300 dollarësh.

E vërtetë apo e gënjeshtërt, fatura shqiptare që lidhet me emrin Krans-Montana nuk mund të quhet një çështje e mbyllur, për sa kohë që qeveria "Berisha" e ka shndërruar këtë emër prestigjioz në një joint-venture me mikun e tij të skandalit "Arsidi", për të vënë dhe vjelë një gjobë të përvitshme mbi paratë e taksapaguesve shqiptarë.

Kur niste edicioni i parë i Krans-Montanës në Shqipëri, më 12 maj 2006, vendi ishte në mesin e krizës së tmerrshme energjetike. Me gjithë këtë panoramë të zymtë ku ishte zhytur Shqipëria, në sallat e ndritshme të Hotel Sheraton, qeveria e Shqipërisë do të paguante për tre ditë, dhjetëra delegacione, me në krye atë të Karteronit.

Aty, Berisha prezanton ndërtimin e autostradës Durrës-Kukës, e cila pas dy vitesh është bërë lubia e fondeve buxhetore dhe kredive tregtare të qeverisë, si dhe një dosje voluminoze për abuzimet me Buxhetin e Shtetit.

Berisha u drejtohet investitorëve të huaj se: "Unë jam i vetëdijshëm se në botën e lirë gjen vetëm investitorë të cilët për çdo projekt kanë një ëndërr. Ndaj, unë siguroj se Shqipëria është në rrugë e sipër për të qenë vendi i ëndrrave tuaja". Pas dy vitesh, Shqipëria është bërë makthi i investitorëve që ishin trashëguar nga qeverisja e mëparshme dhe zhgënjimi i investitorëve që u mashtruan nga qeverisja e re.

Një vit më pas, më 10 maj 2007, në edicionin e dytë të Krans-Montanës shqiptare, Shqipëria sapo ishte listuar nga raportet e njëpasnjëshme vendase dhe të huaja, si një vend ku perceptimi i korrupsionit vijon të mbetet më i lartë se në shumë prej vendeve të tjera të Europës Juglindore, se qeveria ka bërë shumë deklarime për lirinë ekonomike, por ajo ka mbetur vetëm në retorikë, se bizneset dhe sipërmarrjet u rrënuan nga kriza e pashembullt energjetike dhe masat shtrënguese fiskale të qeverisë.

Kryeministri shqiptar vijoi t'i bjerë vrimës së vetme të fyellit qeverisës, duke premtuar instalimin e Taksës së Sheshtë me 10 për qind, instalimin e "One Stop Shop", miratimin e Ligjit të ri të Prokurimeve, duke i quajtur "arritje të mëdha" thithjen e disa partnerëve në disa shoqëri shqiptare sigurimesh, apo ato që do të prodhojnë çimento për eksport në Veri të vendit. Një vit pas, impakti i taksës së sheshtë është shkatërrues për bizneset dhe pagat e punonjësve, sepse ai diskriminon pagat e ulëta dhe favorizon të mëdhatë, nisma amerikane e regjistrimit online të bizneseve ka dalë joefikase nga kriza e thellë ku janë zhytur bizneset vendase, Ligji i ri i Prokurimeve Publike hidhet në erë nga qeveria në çdo prokurim që bëhet në dikastere, sepse aty fiton ai që jep ryshfetin. Dhe ç'është më domethënësja, ende nuk dihet se çfarë suksesesh ka korrur qeveria me nismën "Shqipëria 1 euro", dhe sa ka përfituar ekonomia shqiptare prej saj.

Nesër në Tiranë, Berisha dhe Karteron, dy personazhet e lidhura me skandalin "Arsidi" të borxhit shqiptar në fillimvitet '90, do të hapin panairin e radhës në Tiranë. Qeveria e ka bërë gati gjobën që do t'u vendosë sërish taksapaguesve shqiptarë, për të paguar mikun nga Zvicra të shefit të qeverisë.

Karteron, asnjëherë nuk ka thënë fjalë të hidhura për mikun e vet shqiptar. Herën e fundit, më 26 tetor 2007, Karteron duke diskutuar për luftën kundër korrupsionit, në një takim në Monte Karlo, deklaronte se "Shqipëria është vendi që në këto dy vjet doli nga kthetrat e mafias dhe përfshirja direkte në linjë të parë e Kryeministrit në këtë betejë, ka sjellë rritjen e besimit të qytetarëve në reformat e ndërmarra nga qeveria".

Por kur nesër do të hapë fjalën përshëndetëse për mikpritësit, përpara Karteronit do të jetë Kryeministri i Gërdecit dhe ministrat e tij, që kanë sajuar sejcili nga një "Gërdec" të tyrin moral dhe ekonomik. Vendi ku ai vjen për të bërë paratë e radhës, si askund në ndonjë shtet tjetër, sapo është listuar nga sondazhi i USAID-it, si më i korruptuar se dy vite më parë, më 2006, kur Karteron erdhi në Tiranë për të nisur Panairin e Kotësive, duke u vënë shqiptarëve fatura shumë herë më të kripura se ato që sajonte katër vite më parë.


POSTO NE:

diggdigg it   YahooYahoo MyWeb   GoogleGoogle   SlashdotSlashdot   deliciousdel.icio.us   technoratiTechnorati

Emri juaj:
E-mail juaj:
Titulli:
Komenti juaj:



Rikonfigurimi i UNMIK-ut, Zannier takim me qeveritarët serbë

Shefi i UNMIK-ut Lamberto Zannier diskutoi sot me zyrtarët qeveritarë

Thaçi: Maqedonia dhe Mali i Zi, të njohin Kosovën

“Presim shumë shpejtë njohjen e shtetit të Kosovës nga Maqedonia dhe

PODCAST

Reklama ne Shekulli Online


Tel: 042256994
Fax: 042256015
Cel: 0692187272
E-Mail:  reklama.shekulli@abissnet.al

© 1997 - 2008 shekulli.com.al Biznesi Online Sporti Shqiptar Revista Spekter Botimet Max Arti i Kuzhines Arkivi
© 2008 Te gjitha te drejtat Shekulli Kontakt Stafi Online Preview Chanel Lidhja RSS/XML