Kryeminsitri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski i dërgoi letër homologut të tij grek, Kostas Karamanlis në të cilën i kërkon njohjen e pakicës maqedonase si dhe zgjidhjen e çështjes së maqedonasve të Egjeut.
Gruevski në letër thekson se, nëse gjendet gjuhë e përbashkët për këtë dy çështje, do të zbardheshin shumë padrejtësi historike, të cilat, siç shkruan ai, po ndjehen edhe në ditët e sotme.
Gruevski në letrën e tij Karamanlisit i shkruan se është i bindur se kryeministri grek do të angazhohet të ndihmojë për njohjen e pakicës maqedonase në Greqi dhe shkollimin e pjesëtarëve të saj në gjuhën maqedonase në viset ku ata jetojnë.
Në fund të letrës Gruevski shkruan se ata të dy nuk mund ta ndryshojnë historinë dhe të kaluarën, por me një dëshirë të mirë, mund të zgjidhin shumë padrejtësi nga e kaluara. (INA)