Anisa Turraj është notare. Deri para pak muajsh ishte një notare profesioniste. Tashmë, thotë që notin e ka vetëm pasion. Dhe karriera e saj sportive nuk është e pakët.
Anisa ka nisur të garojë që në moshën 9-vjeçare në kampionatin e pionierëve. Që në moshën 11 vjeç ka kapur normat e ekipeve më të rritura. Ka fituar 6 vjet rresht kupën e të rejave dhe të të rriturve, pavarësisht moshave. Në gusht 2003 ka marrë pjesë për herë të parë në garat europiane të zhvilluara në Bullgari. Në qershor 2004 ka përfaqësuar Shqipërinë në lojërat Mesdhetare “Sëimming comen cup“ ku ka fituar medalje ari. Në gusht të 2004 ka marrë pjesë në Lojrat Ballkanike në Serbi ku ka thyer rekordin kombëtar në stilin bretkosë. Në 2007 në Melburn të Australisë kualifikoi Shqipërinë për në Olimpiadën Pekin 2008. “Burokracitë e tepërta që ka vendi ynë më detyruan që të hiqja dorë pa e menduar gjatë, më vjen keq për këtë se asnjëherë nuk dhashë maksimumin tim, pasi mendoja se karriera do vazhdonte dhe mund të shfaqja gjithë vlerat e mia më vonë, - na thotë Anisa.
Zakonisht në këtë rubrikë kemi intervistuar “sportistë amatorë”, ju jeni pak e veçantë. Notin, përveç se pasion, Anisa e ka edhe profesion?
Jo më..!Nëse para një viti mund ta quaja të tillë, tani është vetëm pasion
Pse?
Jam duke studiuar inxhinieri dhe nuk është aq e lehtë t’i përkushtohesh të dyjave në të njëjtën mënyrë. Thjesht bën një zgjedhje optimale pa eliminuar asnjërën nga të dyja, duke i ndryshuar pak statusin...
Kur e keni nisur notin dhe kur jeni marrë profesionalisht me të?
Hapat e para të notit i kam hedhur në moshën 4- vjeçare dhe kur kam arritur në moshën 9 vjeç, pasi prindërit vunë re pasionin tim për notin menduan të më regjistronin në ekipin e qytetit “Butrinti“
Cilat janë disa nga llojet e sportit që ju aplikoni, përveç notit?
Të merresh me not është e mjaftueshme, por zakonisht unë nuk mjaftohem me pak... Kam luajtur shah që kur kam qenë 10 vjeç, ku dhe kam fituar kampionatin e rrethit. Luaj basketboll, volejboll, në këto sporte kam përfaqësuar Sarandën në ndeshje me rrethet. Bëj rafting sa herë që gjej mundësinë, kur jam jashtë me pushime. Më pëlqen qitja, por është thjesht pasion në tabelë. Më pëlqejnë sportet që kanë të bëjnë me saktësinë. Quhet sport nëse flasim për patinazhin, patinat, skatëbord? Nëse po, atëherë merrem dhe me ato. Kur kam qenë dhe më e vogël jam marrë dhe me çiklizëm... Këtu kam përfaqësuar familjen në garat që zhvilloheshin në lagje...(qesh)
Cila është çmenduria më e madhe që keni bërë për notin?
Kur erdha në Tiranë për një fazë përgatitore për në Australi, shpenzimet e kësaj faze u sponsorizuan nga familja ime. Kjo do të thosha me bindje është çmenduri, pasi federata nuk kishte fonde. Atë vit, isha në vit të 4 të shkollës së mesme dhe përgatitesha për provime, më është dashur të lija 3 muaj shkollën në qytetin tim, Sarandë. Vazhdova një shkollë tjetër këtu në Tiranë, ku u ndjeva shumë në vështirësi dhe kështu hoqa dorë nga dega ime e preferuar arkitektura..
Ka ndonjë arsye në botë për të cilën do hiqje dorë nga kjo lloj jete kaq sportive?
Absolutisht jo!
Ku kryeni stërvitje?
Kur isha në Sarandë në det të hapur nga pamundësia për të pasur një pishinë të mirëfilltë. Në Tiranë ushtrohem në pishina të mbyllura 25 metërshe.
Një sportist i mirë duhet të konsumojë ushqim të mirë. Cili është ushqimi që ju zgjidhni dhe cilit do t’i thoshit gjithmonë jo?
Nuk më pëlqen të mbaj dieta strikte, jam pak tekanjoze në ushqim. E kam shumë të nevojshme të pi qumësht dhe drithëra për mëngjes. Gjatë ditës konsumoj jashtëzakonisht shumë fruta dhe sallata të ndryshe. Me vështirësi mundohem të ha të gjitha llojet e perimeve, them me vështirësi sepse nuk janë të preferuarat e mia. Ndërsa ushqimeve që do u thosha gjithmonë jo janë patatet e skuqura, fast foodet dhe gjellërat me shumë yndyrë.
Ka një moshë kur njeriu duhet të heqë dorë një herë e përgjithmonë nga sporti?
Jo, madje një jo e madhe pasi shpirti sportiv është si shpresa, vdes e fundit.
Sipas mendimit tuaj, janë sportdashës apo jo shqiptarët?
Që të jenë duhet të ketë sport në Shqipëri. Mendoj se nuk ka nevojë për analizë sepse është një fenomen i prekshëm. Pavarësisht mundësive, mendoj se shqiptarët janë sportdashës dhe mes tyre ka plot talente, të cilët duhen inkurajuar për të mbajtur gjallë kulturën sportive.
Sapo keni marrë pjesë në një garë noti, çfarë gare ishte dhe sa rezultate arritët?
Në këtë garë kam marrë pjesë vetëm për të përfaqësuar trajnerin tim, Edmond Vasi, i cili këtë vit ka ekipin e tij privat. Garova në një garë ku arrita rezultate të pëlqyeshme, nuk më lejuan të vazhdoj më tej, pra deri në fund të kampionatit për shkak të një penaliteti hipotetik. Pas një përpjekje për të zbardhur të vërtetën e drejta triumfoi në anën time, kështu që pas dy javësh do të garoj në kampionatin e ardhshëm.