Temperaturat
Mot me vranësira në fillim të javës. Temperaturat bien me 3-4 gradë celcius. Ikën i nxehti afrikan
Java e fundit e gushtit do të vijë për pushuesit me ulje të temperaturave në disa gradë. Informacionin për popullatën e jep Shërbimi Meteorologjik i Forcave Ajrore, i cili shprehet se java që kemi përpara do të jetë shumë më e freskët se ditët e para të muajit gusht. Temperaturat sipas sinoptikanëve do të ulen me të paktën 3-4 gradë, ku mot i paqendrueshëm do të konsatohet në pjesën veriore të vendit.
Sipas Shërbimit Meterologjik të Forcave Ajrore, temperaturat priten të shkojnë në 32 gradë celcius, çka nuk e përjashton edhe mundësinë e reshjeve lokale në zonën veriore dhe verilindore të vendit. Rënia e temperaturave do të nisë nga dita e nesërme, por do të jetë shumë e lehtë. Masa ajrore afrikane e nxehtë që kishte përfshirë këto ditë të gjithë territorin e vendit, bëri që edhe pse temperaturat të ishin 37 gradë celcius, ato të ndiheshin më të larta nga qytetarët. Në Tiranë, temperaturat ditën e sotme do të jenë në mesditë 29 gradë celcius, ndërsa ditën e hënë temperaturat në kryeqytet do të luhaten në 25 gradë celcius e shoqëruar me mot të vranët.
Temperatura në rënie do të kemi edhe në bregdet. Në Vlorë ditën e nesërme temperaturat do të luhaten në 25 gradë celcius, ku herë-herë do të vihen re në mesditë edhe vranësira, por jo të shoqëruara me reshje lokale. Në Durrës temperatura më e lartë gjatë ditës së sotme do të shënohet në mesditë me 30 gradë celcius, ndërsa gjatë natës pritet ulje e ndjeshme e temperaturave, e shoqëruar me reshje.
Përsa i përket ditës së hënë, në bregdetin e Durrësit, temperaturat do të ndalen në 23 gradë celcius. Për ata që kanë vendosur të pushojnë në bregdetin e Shëngjinit dhe Velipojës, ditën e hënë, është mirë të shtyjnë vizitën në plazhet e kësaj zone. Dita e parë e javës, në bregdetin verior do të dhurojë mot të paqëndrueshëm me shira lokalë, ku temperatura më e lartë do të shënohet 21 gradë celcius. Mot i ngrohtë do të jetë në bregdetin e Sarandës, ku temperatura më e lartë do të vihet re në mesditë me 29 gradë celcius.