Me Ilir Gushon, mësuesi 48 vjeçar që do të hiqte dorë nga gjithçka, por jo nga aktiviteti fizik. “Fizkultura do të shpëtonte shumë të rinj nga veset…”.
Ilir Gusho është një mësues i Edukimit Fizik në Tiranë. Nëse do ta shikoni në rrugë, me siguri që nuk do ta besoni që ky burrë është plot 48 vjeç. Sekreti? Ndoshta dashuria për sportin, për lëvizjen. E takuam Ilirin që të na tregonte diçka rreth “sekretit” të tij.
Sportin, përveçse pasion e keni dhe profesion?
Përveç pasionit të madh, sportin e kam edhe profesion pasi jam mësues i Edukimit Fizik.
Kur keni nisur të merreni me sport?
Me sport kam filluar të merrem që në kohën e fëmijërisë dhe në moshën 14-vjeçare u ingranova në klubin sportiv “Partizani” në sportin e Atletikes.
Sa orë në ditë i kushtoni aktiviteteve sportive?
Krahas orëve të mësimit të paradites, orët e lira të pasdites krijoj aktivitete sportive me familjen time dhe me miqtë e mi.
Cilat janë disa nga llojet e sportit që ju aplikoni?
Merrem kryesisht me atletikë, si sport primar për mua, basketboll, tenis dhe fitness.
Ju jeni 48 vjeç në mos gaboj, apo jo...? Por duket sikur keni energjinë e një 20-vjeçari. Është sporti çelësi i këtij fiziku?
Jam 48 vjeç. Padyshim që sporti është cilësi e këtij fiziku që kam, siç thoni ju, si 20 vjeç. Ka qenë ai që më ka mbajtur gjithmonë të ri.
Atëherë, është apo nuk është e vërtetë shprehja “Sporti të zgjat jetën”?
Në konceptin e edukimit olimpik, ai që merret me sport duhet të meritojë respekt të veçantë, dhe kjo shprehje është kuptimplotë. Për këtë i këshilloj të gjithë që të merren me sport sepse ai jo vetëm të jep mundësinë për trup të shëndetshëm, por zhvillon dhe gërsheton harmonikisht tek njeriu tolerancën, vullnetin dhe mendjen. Sidomos të rinjtë duhet të merren vazhdimisht me sport, për t’i larguar ata edhe nga veset negative që shfaqen në shoqërinë tonë.
Po për ju, cila është “çmenduria” më e madhe që keni bërë për sportin?
Kam bërë shumë çmendurira, por po veçoj pjesëmarrjen në një garë duke qenë me temperaturë 39.
Ka ndonjë arsye në botë për të cilën do hiqje dorë nga kjo lloj jete kaq sportive?
Absolutisht, jo. Derisa Zoti të më japë mundësi fizike, do të vazhdoj të merrem me sport.
Lidhja juaj me sportin, mund të quhet në njëfarë mënyre si lidhje shpirtërore?
Padyshim, për mua sporti është vetë jeta. Ndjehem i kënaqur si kur merrem vetë me sport, ashtu edhe kur ndjek aktivitete të ndryshme sportive.
Cila është një diçka (episode, ndodhi) që ka lidhje me sportin dhe ju e kujtoni gjithmonë?
Gjate viteve të punës kam marrë licencën si Trajner i Basketbollit për të rinj. Kujtoj kampionatin e parë që kam fituar me ekipin e Basketbollit të moshës 14-18 vjeç në qytetin e Tiranës.
Në familjen tuaj besoj të gjithë pjesëtarët merren me sport, apo jo?
Në familje në përgjithësi merremi me sport. Na pëlqejnë shumë ngjitjet në mal, lojërat e ndryshme me top dhe noti. Përpiqem që dëshirën për t’u marrë me sport t’ia kultivoj edhe fëmijës tim.
A ka një moshë kur njeriu duhet të heqë dorë një herë e përgjithmonë nga sporti?
E cilësova edhe më parë, sporti nuk njeh moshë. Ai është simbol i lëvizjes më masive të njerëzimit. Në të duhet të përfshihen gjithë llojet e kategorive të njerëzve pa dallim moshe, seksi dhe përgatitje fizike dhe shëndetësore. Pra, të gjithë duhet të merren me sport dhe askush nuk mund të privohet.
Sipas mendimit tuaj personal, janë sportdashës apo jo shqiptarët?
Shqiptarët janë popull sportdashës, pavarësisht sa ua ka lejuar koha, mundësitë ekonomike, të zhvillojnë aktivitete sportive.