Minatorët e Valiasit, dje në ditën e 13 të grevës kanë ndërprerë konsumin e ujit. Qeveria të plotësojë kërkesat
Grevë etjeje deri në sakrifikim të jetës nëse nuk plotësohen kërkesat. Ky ka qenë mesazhi i minatorëve të minierave të Tiranës, drejtuar qeverisë pas heshtjes dhe neglizhencës që po tregon kjo e fundit ndaj minatorëve. Kështu, dje në ditën e 13-të të grevës së urisë të cilën kanë vendosur ta kthejnë në greve etjeje në këto ditë të nxehta, minatorët shprehen të bindur se nuk do të tërhiqen nga “greva e vdekjes” , deri në plotësimin e kërkesave. Kjo është hera e parë, në të gjithë historikun e grevave në Shqipëri, që një grevë urie kthehet edhe në një grevë etjeje. Disa mjekë kanë vizituar dje paradite ish-minatorët grevistë, në ambientet e Sindikatës së Minatorëve në Tiranë dhe thonë se ata shfaqin simptomat e uljes së tensionit, dhembej barku, dhembje koke.
Greva
Të vendosur dhe të bindur se kërkesat për uljen e moshës së pensionit dhe rritja e vlerës së pensionit, janë të drejta, dhjetëra minatorë të ardhur nga qytetet të tjera u bashkuan me grevistët dhe protestuan dje përpara godinës së Kryeministrisë, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë. Deri dje në ditën e 13-të të grevës së urisë, nuk ka asnjë reagim nga Qeveria në lidhje me plotësimin e kërkesave të minatorëve, ndërsa gjendja shëndetësore e tyre sa vjen e rëndohet. Ndërkohë minatorët dhe drejtuesit e sindikatës së tyre kanë kërkuar sërish negociata me qeverinë. Sipas tyre, garantimi i Statusit të Minatorit mbetet prioriteti i axhendës së kërkesave të tyre për qeveritarët aktualë. I klasifikuar te profesionet më të vështira, punonjësit e nëntokës konsiderojnë si mjaft të rëndësishme kohën e tyre të pensionit. “Me këto kushte pune dhe me këtë rrezikshmëri, kur ata zbresin në galeritë e nëntokës, është shumë e vështirë që të arrijnë të gëzojnë vitet e pleqërisë së bashku me familjet e tyre”,- theksojnë minatorët duke shtuar se do të ishte më e drejtë që qeveria të merrte në konsideratë kërkesën e tyre, që një vit punë e tyre të vlerësohej sa për dy, lidhur me llogaritjen e moshës së pensionit. Ky pretendim i tyre mbështetet pikërisht në faktin se ata nuk punojnë njëlloj si të tjerët, pasi gjatë 8-orarëshit nuk kanë mundësi jo vetëm të pinë kafe, por edhe të takojnë të afërmit e miqtë e tyre. "Askush nuk do të punonte në këto kushte, dhe aq me tepër me ato paga qesharake që marrim”,- pohojnë minatorët. E përveç moshës së pensionit, ata kërkojnë edhe rritjen e vlerës së tij mujore. Po kështu, pohojnë se duhet të dëgjohen edhe kërkesat e tyre për kushte pune më të mira, në mënyrë që të mos hyjmë çdo ditë në galeri, me frikën se nuk do të dalim më gjallë prej andej.
Pogradec, minatorët në ditën e 3-të të grevës
POGRADEC - Minatorët e grevës së urisë në Pogradec janë futur në ditën e 8-të të tyre dhe shumë prej grevistëve të urisë kanë patur probleme me shëndetin, të cilëve iu është dhënë ndihmë mjekësore nga spitali. Por, pas ndihmës mjekësore ata e kanë vazhduar grevën. Pranë tyre kanë shkuar edhe Kryetari i Shoqatës së ish-të Përndjekurve Politikë të Rrethit të Pogradecit, ish-deputeti Ethem Fezollari, i cili iu ka dhënë mbështetje nga e gjithë shoqata, dhe se kjo shoqatë solidarizohet me grevën e tyre dhe kërkon që qeveria t’i japë një zgjidhje të menjëhershme Statusit të Minatorëve. Minatorët grevistë janë vizituar dhe nga kryetari i Bashkisë, Artan Shkëmbi dhe nga drejtuesit e partive politike të spektrit të majtë. Sipas Doktorit të Shkencave, Thoma Angjellari, i cili është dhe njëri nga drejtuesit e grevës, minatorët kanë plotësisht të drejtë dhe është absurd ky qëndrim indiferent i qeverisë ndaj kësaj shtrese, e cila ka sakrifikuar tërë jetën me punën e minatorit të nëntokës, që është më e rënda dhe me një pensionin qesharak.
Minatori Bexhet Mimini, 63 vjeç, tha për “Shekullin” se “ka punuar në minierë plot 33 vjet si minator nëntoke dhe merr pension 6500 lekë të reja, dhe se ky pension nuk më del mua si person vetëm të ha bukë thatë, po familja ime, faturat e dritave, ujit...?”.