Kreu i qeverisë, Berisha i ka kërkuar ministrit Barka të largojë fëmijët nga rruga. Shoqata: Berisha po bën “show” mediatik me jetimët
Qeveria ka vendosur të largojë nga rruga çdo lypës dhe t’u ofrojë trajtim të veçantë. Ky është premtimi i radhës që bëri kreu i qeverisë, Sali Berisha, një ditë pas festës së fëmijëve, i cili i ka vënë afate Ministrisë së Punës për largimin e çdo lypësi të mitur nga rrugët e Shqipërisë, dhe Ministrisë së Arsimit, për zhdukjen e analfabetizmit për këtë kategori. Por deklarata e Kryeministrit ka hasur në debate të ashpra nga kryetari i Shoqatës së Jetimëve, Kadri Aliu, i cili ka theksuar se qeveria nuk po bën asgjë për jetimët dhe premtimet e Kryeministrit, janë thjesht një “show” mediatik.
Debati
Kryeministri Sali Berisha, në një takim me përfaqësues të shoqërisë civile për jetimët, tha se qeveria ka vënë në dispozicion shumë para dha prioritet ka eliminimin e analfabetizmit dhe largimin nga rruga të çdo fëmije që lyp. Por pas kësaj deklarate të Kryeministrit ka reaguar kryetari i Shoqatës së Jetimeve, Kadri Aliu i cili ka theksuar se fëmijët jetimë, jetojnë në varfëri të skajshme dhe nuk kanë asnjë mundësi për të marrë ilaçet falas, pasi ligji nuk zbatohet. “Unë kam të anëtarësuar në shoqatë 70 mijë jetimë. Ndihma sociale që u jepet nënave me 3 ose 4 fëmijë jetimë, është 5 mijë lekë në muaj, gjë që është e pamjaftueshme për t’i ushqyer ata. Për këta jetim, nuk është menduar as për strehimin dhe as për arsimimin e tyre”,- thotë Aliu duke theksuar se premtimet e Kryeministrit, nuk janë asgjë më shumë se “show” mediatik. Ndërsa Kryeministri ka pranuar problemet që ndeshin jetimët, por ka kërkuar që të mos abuzohet me shifrat që jepen për jetimët. “Kjo statistikë që jepni ju për jetimët, nuk është normale. Duhet të përpunohen dhe të saktësohen statistikat pasi me këto që thoni ju, i bie që të kemi 20 për qind të fëmijëve jetimë”,- pohon Berisha. Gjithashtu, shefi i qeverisë iu drejtua ministrit të Punës, Kosta Barka se vendi i ka të gjitha burimet financiare, njerëzore dhe logjistike për të mos patur në rrugët e tij, as edhe një fëmijë të vetëm që zgjat dorën dhe kërkon lëmoshë. Të njëjtin pretendim ka ngritur edhe ndaj ministrit të Arsimit, Genc Pollo, që i ka kërkuar zhdukjen e analfabetizmit për këtë kategori. “Ky duhet të jetë objektivi më i rëndësishëm i Ministrisë së Arsimit. Duhet të vendosim çdo fond, të marrim çdo vendim dhe të kalojmë çdo ligj, për të adoptuar tolerancën zero ndaj analfabetizmit të fëmijëve",- tha Berisha.
Ministria: Nuk kemi kod për largimin e fëmijëve nga rruga
Pretendimit të kryeministrit Berisha për largimin e fëmijëve lypsa nga rruga, Ministria e Punës i është përgjigjur se, nuk ka Kod apo Ligj që të mbështeten për realizimin e këtij urdhri. Kështu, burime zyrtare të Ministrisë së Punës pohojnë se nuk kanë kompetenca dhe as struktura, për t’i larguar fëmijët lypsa nga rruga. Ndërsa ministri Kosta Barka gjatë Konferencës Vjetore për Zbatimin e Objektivave të Strategjisë Kombëtare për Fëmijët u shpreh se, së shpejti pritet të ngrihet një grup ndërministror, për hartimin e një Kodi që do të mbrojë të drejtat e fëmijëve. “Përvoja, arritjet dhe problemet e derisotme në mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, e shtynë Ministrinë e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta që të ndërmarre para pak ditësh, në bashkëpunim me UNICEF, iniciativën ligjore për hartimin e një ligji kuadër, integral dhe anti-diskriminues për mbrojtjen dhe zhvillimin e të drejtave te fëmijëve”,- pohoi Barka. Sipas tij, së shpejti do të ngrihet një grup pune ndërministror për hartimin e këtij ligji, i cili do të bashkëpunojë me shoqërinë civile, komunitetin e juristeve e profesionisteve të angazhuar në fushën sociale, si edhe universitetet dhe botën akademike. “Synimi është për të prodhuar jo thjesht një ligj, por një ligj të zbatueshëm, nxitës të krijimit të standardeve më të përparuara perëndimorë në fushën e të drejtave të fëmijëve”,- pohon Barka.
Debati
Berisha: Vendi i ka të gjitha burimet financiare, njerëzore dhe logjistike për të mos patur në rrugët e tij, as edhe një fëmijë të vetëm që zgjat dorën dhe kërkon lëmoshë
Kadri Aliu
Unë kam të anëtarësuar në shoqatë 70 mijë jetimë. Ndihma sociale që u jepet nënave me 3 ose 4 fëmijë jetimë është 5 mijë lekë në muaj, gjë që është e pamjaftueshme për t’i ushqyer ata. I kam kërkuar edhe ministrit Ndoka që të zbatohet ligji për dhënien e medikamenteve për këtë kategori, por nuk është bërë asgjë. Për këta jetimë nuk është menduar as për strehimin dhe arsimimin e tyre
Berisha
Kjo statistikë që jepni ju për jetimët nuk është normale. Duhet të përpunohen dhe të saktësohen statistikat pasi me këto që thoni ju, i bie që të kemi 20 për qind të fëmijëve jetim.