Wed, 23 Jul 2008 23:26:10
    

Lexoni versionin Print

KSHH: “Qeveria shkeli lirinëe medias”

Liria e medias mbetet ende shqetësim në Shqipëri. Ndërhyrjet e shpeshta të qeverisë në punët e pushtetit të katërt kanë bërë që ky i fundit të privohet nga të drejtat dhe liritë e tij.

Dritan Laci
Fri, 09 May 2008 08:20:00

 

Raporti 2007. Komiteti Shqiptar i Helsinkit konstaton një mal me abuzime në polici, burgje, respektimin e lirisë së individit dhe medias

Zgjedhjet e 18 shkurtit shans i humbur për Shqipërinë. Problem serioz mbetet edhe reforma zgjedhore

Liria e medias mbetet ende shqetësim në Shqipëri. Ndërhyrjet e shpeshta të qeverisë në punët e pushtetit të katërt kanë bërë që ky i fundit të privohet nga të drejtat dhe liritë e tij. Ky shqetësim vihet re me të drejtë edhe në raportin e fundit që Komiteti Shqiptar i Helsinkit, ka përgatitur për vitin 2007, ku vihet re se organe të caktuara shtetërore kanë ndërmarrë vendime të nxituara dhe kritike ndaj medias dhe shtypit të lirë. KSHH, ka konstatuar gjithashtu se drejtues të lartë të administratës shtetërore, kanë bërë deklarata publike që akuzojnë median për lidhjet e saj me veprimtari të paligjshme dhe se këto qëndrime ndaj medias jo vetëm që bien ndesh me parimin e prezumimit të pafajësisë, por përbëjnë edhe privim ndaj saj.

Një tjetër aspekt i rëndësishëm në të cilin ndalet Komiteti Shqiptar i Helsinkit është edhe vendimi i KKRT-së për heqjen e antenave nga pika e “Taraboshit” të dy televizioneve që mundësonin përhapjen e sinjalit të tyre në territorin e Shkodrës. Marrja e këtij vendimi të nxituar dhe të pakonsultuar paraprakisht është justifikuar me nevojën për zbatimin e ligjit, kur mosrregullimi i kësaj çështjeje, nuk ka ndodhur për fajin e televizioneve ndaj të cilëve është marrë ky vendim. Ky vendim, thotë KSHH, në raportin e saj vjetor ka krijuar përshtypjen e qëndrimeve selektive duke rënë ndesh me parimin e mbrojtjes së mediave të lira dhe si pasojë, parimit të informimit të pandërprerë dhe objektiv të publikut të gjerë. Një tjetër sulm selektiv, me synime politike nga qeveria kundër medias së lirë dhe lirisë së shtypit, vazhdon raporti, ishte vendosja e një gjobe të konsiderueshme dhe jo transparente ndaj njërës prej mediave vizive më të mëdha në vend.

Por ajo çka KSHH vëren si problem serioz, gjatë vitit 2007, është mohimi i së drejtës për informim nga ana e administratës publike, ku ka pretendime të bazuara se kjo administratë nuk ka zbatuar në mënyrë korrekte ligjin “Për të drejtën e informimit për dokumentet zyrtare”. Po kështu KSHH, ngre si problem edhe faktin që megjithëse gjatë vitit 2007 është përgatitur një projektligj “Për shtypin” ende edhe sot nuk ka një version përfundimtar të tij. Një tjetër pikë ku është ndalur raporti është edhe dhuna e ushtruar nga policia në komisariate, ku gjatë vitit 2007 janë vërejtur keqtrajtime të të ndaluarve. Raporti evidenton probleme edhe në burgje, të cilat gjenden të mbipopulluara. Gjithashtu një problem që është hasur në burgje është edhe mbajtja në to në kundërshtim me ligjin e personave me probleme të shëndetit mendor. I kritikuar ashpër në raportin e publikuar nga KSHH, është edhe gjyqësori, ku edhe gjatë vitit 2007, është cilësuar se reforma në fushën e drejtësisë ka vazhduar të ecë me ritme të ngadalta. Pika e fundit ku është ndalur Komiteti Shqiptar i Helsinkit në raportin për vitin 2007 është reforma e papërfunduar zgjedhore. Kështu raporti vë re se ndonëse kaluan 18 muaj nga zgjedhjet parlamentare të 3 korrikut 2005, komisioni parlamentar për ndryshimet në Kodin Zgjedhor për shkak të mosmarrëveshjeve partiake dhe të mungesës së konsensusit midis forcave politike nuk funksionoi.
 
Po kështu asnjë nga rekomandimet e OSBE/ODIHR-it dhe të organizatave vëzhguese vendëse nuk u shqyrtuan. Një problem tjetër që ka konstatuar KSHH, gjatë vitit të kaluar ishte edhe ai i pajisjes së shtetasve me certifikata identiteti të vlefshme për votime. Edhe për këtë çështje, me shumë vonesë, pikërisht në muajin janar 2007 u arrit marrëveshja. Në përfundim të raportit Komiteti Shqiptar i Helsinkit, shprehet se problemet që duhen zgjidhur janë të shumta, por më të rëndësishme konsiderohen pajisja e shtetasve me karta identiteti edhe krijimi i regjistrit themeltar të shtetasve i kompjuterizuar, duke pasur parasysh edhe sistemin e adresave.


POSTO NE:

diggdigg it   YahooYahoo MyWeb   GoogleGoogle   SlashdotSlashdot   deliciousdel.icio.us   technoratiTechnorati

Emri juaj:
E-mail juaj:
Titulli:
Komenti juaj:


Reklama ne Shekulli Online


Tel: 042256994
Fax: 042256015
Cel: 0692187272
E-Mail:  reklama.shekulli@abissnet.al

© 1997 - 2008 shekulli.com.al Biznesi Online Sporti Shqiptar Revista Spekter Botimet Max Arti i Kuzhines Arkivi
© 2008 Te gjitha te drejtat Shekulli Kontakt Stafi Online Preview Chanel Lidhja RSS/XML