Ministri i Arsimit, Genc Pollo ka kërkuar të rritet informacioni mbi programin. Deri më tani, vetëm 71 aplikime shkencore
Komisioneri evropian, Janezh Potoncki, i kërkon qeverisë shqiptare të rrisë financimin për kërkimin shkencor
Nëse vazhdohet me këto ritme, Shqipëria rrezikon të djegë fondin e derdhur në Programin FP7 "Programi i Shtatë Kuadër për Kërkim e Zhvillim Teknologjik" për periudhën 2008-2013. Shkak për djegien e fondit të derdhur në këtë program, mund të bëhet numri i vogël i aplikimeve në këtë program nga ana e kërkuesve shkencorë vendas. Megjithëse është ende herët për të folur, frika te drejtuesit më të lartë të arsimit në vend është e pranishme. Ashtu sikurse edhe u shpreh në tryezën e pak ditëve më parë "Brain Gain" të zhvilluar me qëllim thithjen e trurit të mërguar në universitetet në vend, ministri i Arsimit, Genc Pollo nuk e fshehu faktin se shifra e aplikantëve shqiptarë në Fondin Evropian të Kërkimeve Shkencore lë ende për të dëshiruar. Këtë shqetësim, kreu i MASH e shprehu edhe në takimin që pati gjatë ditës së djeshme me Komisionerin evropian për Kërkimin Shkencor, Janezh Potoncki. I pyetur për numrin e aplikantëve shqiptarë që kanë kërkuar të marrin pjesë në këtë program, ministri Pollo u shpreh se deri më tani ky numër është 71, ndërsa u kërkoi institucioneve të arsimit të lartë në vend që të rrisin nivelin e informacionit. Shuma që Shqipëria ka derdhur si vend i asociuar në Programin FP7, është 200 mijë euro. Përfituesit e Programit FP 7 janë të shumtë, duke filluar nga institucionet kërkimore shkencore, universitetet, kompanitë private, entet publike dhe agjencitë e ndryshme qendrore, e deri te individët, të cilët mund të aplikojnë duke ndërtuar konsorciume me subjekte homologe të vendeve anëtare të BE-së, atyre kandidatë dhe kandidatë potencialë, si dhe vendeve të asociuara në këtë program, në përputhje me procedurat e aplikimit. "Aplikimi nuk është mbyllur akoma. Deri tani më njoftojnë se numri i aplikantëve është 71, pra mund të jetë edhe më shumë në sesionet e mëtejshme. Ne synojmë që të japin informacionin e duhur në mënyrë që të kemi një numër më të madh aplikimesh, mundësisht cilësore, që në fund të rezultojnë të suksesshme",- u shpreh kreu i Arsimit shqiptar duke i bërë thirrje edhe njëherë kërkuesve shkencorë në vend, të mos e neglizhojnë Programin FP7. Në të njëjtën linjë me ministrin e arsimit Pollo, ka qenë edhe komisioneri evropian për kërkimin shkencor, Janezh Potoncki. Në të gjitha takimet e zhvilluara me krerët më të lartë të shtetit, komisionari evropian, ka kërkuar që Shqipëria të rrisë nivelin e financimit në kërkimet shkencore. "Në qoftë se do t'ju jepja një mesazh, do të thosha: Mbajeni shkencën dhe kërkimin si prioritet të qeverisë. Bota është duke ndryshuar dhe ne duhet t'i përshtatim kërkuesit tanë, në përputhje me këto ndryshime që ndodhin. Shqipëria është vend i asociuar në Programin FP7 ose në Hapësirën Evropiane të Kërkimit. Ky është një hap shumë i rëndësishëm, që do të thotë që ju keni të njëjtat të drejta dhe detyrime në këtë program, ashtu si vendet e tjera të BE-së",- tha komisioneri Potoncki, duke kujtuar se aderimi i Shqipërisë në Programin evropian FP7, ndikon në strategjinë që ka vendi ynë për integrimin në BE. Po kështu, komisioneri i njohur i ka kërkuar ministrit të Arsimit, Genc Pollo, në takimin që pati me këtë të fundit, të rrisë bashkëpunimin me ministritë e tjera në fushën e kërkimit shkencor. "Kjo iniciativë do të forcojë kërkimin në disa nga fushat kryesore për vendin tuaj, siç janë mjedisi, shëndetësia, arsimi. Nga forcimi i marrëdhënieve të bashkëpunimit me programet e BE-së, do të bëhet i mundur forcimi i kapaciteteve kërkimore të brendshme të vendit tuaj. Ju duhet të investoni në burimet njerëzore dhe kërkimi shkencor duhet bërë tërheqës për kërkuesit e rinj. Po ashtu duhen forcuar kapacitetet njerëzore dhe ato të infrastrukturës. Gjithashtu duhet forcuar instrumenti IPA. Që ta përmbledhim: ju duhet të forconi kapacitet tuaja dhe vendi juaj duhet të ekspozohet më shumë ndaj konkurrencës në kërkim. Këto janë dy parimet në Programin FP7",- përfundoi fjalën e tij, komisioneri Potocnik.