Juristi i njohur e ka cilësuar si të turpshëm, trajtimin nga policia të aktivistëve të AMGJ-së
Dhuna e ushtruar nga policia e Komisariatit të Vlorës, dy net më parë, ndaj 8 anëtarëve të Aleancës së Mbrojtjes së Gjirit të Vlorës, është cilësuar nga një pjesë e shoqërisë civile, si një veprim brutal dhe i papranueshëm për standardet që kërkon të plotësojë Shqipëria. Në prononcimet e dhëna për gazetën "Shekulli", analistët dhe juristët e kontaktuar e kanë cilësuar ndërhyrjen e kryer nga policia si një veprim të ulët, i cili më shumë se gjest vulgar i momentit, tregon dobësinë e shtetit. Më i ashpër në mendimin e dhënë për ngjarjen në fjalë ka qenë juristi i njohur, Luan Omari, i cili nuk ka ngurruar ta quajë të turpshme mënyrën e trajtimit të të ndaluarve. I njohur me mënyrën e shoqërimit dhe më pas përplasjes në një birucë të vetme të të ndaluarve, juristi Omari është shprehur se çfarëdo vepër penale të kishin konsumuar të ndaluarit, në bazë të ligjeve në fuqi, ata nuk meritonin kurrsesi të trajtoheshin në atë mënyrë.
Të ashpër janë treguar në prononcimet e tyre edhe ekologjisti Lavdosh Ferruni, përfaqësuesi i Aleancës së Mbrojtjes të Gjirit të Vlorës, Ardian Klosi, si edhe Artan Lame. Në unison, ata e kanë cilësuar si të padenjë trajtimin e rezervuar nga policia ndaj mbrojtësve të Gjirit të Vlorës, dhe i kanë bërë apel qeverisë për lirimin sa më të shpejtë të 8 aktivistëve të ndaluar që nga mbrëmja e së hënës. Me gjithë reagimin e elitës së shoqërisë civile, ndaj ngjarjes në fjalë, zyrtarët e lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme kanë preferuar të heshtin, duke u munduar të anashkalojnë përgjegjësitë. I kontaktuar nga gazeta "Shekulli", Ahmet Premçi, kreu më i lartë i Policisë së Shtetit, i është shmangur pyetjes lidhur mbi trajtimin e të ndaluarve, duke gjetur si shkas takimin urgjent me eprorin. Paçka se kanë kaluar pothuajse 24 orë nga ndalimi, aktivistët vazhdojnë të qëndrojnë në dhomat e paraburgimit të komisariatit në fjalë, në kushte skandaloze. Të ndaluarit nga policia, janë Besnik Sulaj, Viktor Lagji, Eneid Hamzai, Alfons Bilali, Viron Ferati, Gogo Kozmaj dhe Sabri Danaj.
Në komunikimin e fundit me gazetën "Shekulli", aktivisti Besnik Sulaj është shprehur se kushtet e dhomës së paraburgimit, ku janë futur, janë skandaloze. Mbrojtësit e Gjirit të Vlorës janë shprehur se do të vazhdojnë edhe më tej betejën, për të mbrojtur deri në fund pasurinë që i ka falur natyra qytetit të tyre. Pas rrëzimit të kërkesës për referendum nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Aleanca për Mbrojtjen e Gjirit të Vlorës ka shpallur mosbindjen civile, iniciativë që tashmë mbështetet jo vetëm nga përfaqësues të fushës së mjedisit por edhe më gjerë.
Luan Omari, jurist
"Nuk e di se me ç'motiv janë ndaluar nga policia 8 aktivistët e Aleancës së Mbrojtjes së Gjirit të Vlorës. Ajo që di dhe kam parë nëpërmjet ekranit të televizionit, është mënyra se si ata janë trajtuar në dhomat e paraburgimit në Komisariatin e Vlorës. Mendimi im si jurist është se trajtimi është i turpshëm dhe jo konform ligjeve të shtetit shqiptar. Çfarëdo vepër penale që të kenë konsumuar të ndaluarit, ata nuk meritojnë të trajtohen në një mënyrë të tillë dhe të vendosen në biruca të cilat qelben nga urina. Thashë, pavarësisht nga masat që mund të ndërmerren, policia nuk duhet të sillet në atë mënyrë me të ndaluarit, kushdo qofshin".
Lavdosh Feruni, ekolog
"Ky është një ndalim totalisht brutal. Më lejoni të shprehem se kemi të bëjmë me një veprim të ulët, i cili bie në kundërshtim të plotë me ligjin. Policia, në këtë rast, ka vepruar në mënyrë antikushtetuese, ashtu siç edhe është ngritja e "Petroliferës" në Gjirin e Vlorës. Shoqërimi dhe trajtimi çnjerëzor i aktivistëve që kundërshtojnë me të drejtë ndërtimin e "Petroliferës" është një akt i papranueshëm, që tregon shenja dobësie. I bëj apel shtetit, të lirojë sa më parë aktivistët e ndaluar dhe t'i japë rrugëzgjidhje problemit të "Petroliferës", sa nuk është vonë".
Ahmet Premçi, kreu i Policisë së Shtetit
"Nuk kam kohë, po shkoj në mbledhje me ministrin. Do flas për ju vetëm kur të më japë leje ministri".
Ardian Klosi, analist
"Këto ndalime nuk janë gjë tjetër, veçse veprime të kundraligjshme. Tashmë mendoj se qeveria për të shkëputur vëmendjen nga ndodhia e Gërdecit, po kërkon të përqendrojë vëmendjen e opinionit publik diku tjetër. Mesa duket, për të realizuar këtë synim ka gjetur si pikë referimi protestën e aktivistëve të Aleancës së Mbrojtjes së Gjirit të Vlorës. Unë e ritheksoj sërish, se ndalimi i 8 aktivistëve dhe trajtimi i tyre në komisariat është antiligjor. Ajo që i bëj apel qeverisë dhe strukturave përkatëse, është lirimi sa më shpejt i të ndaluarve, si edhe hapja rrugë referendumit popullor, që do të mundësonte aprovimin ose jo të ngritjes së "Petroliferës".
Artan Lame, publicist
"Unë e kam ngritur disa herë në qeverinë e shkuar, problemin e "Petroliferës". Kam kërkuar gjithmonë një vlerësim të përgjithshëm të planit ekonomik të qytetit të Vlorës. Pa diskutim që ka pasur nevojë për rishikim të këtij plani. Kishte gjëra që duheshin rregulluar. Por qeveria aktuale, sapo erdhi në fuqi, në vend që të bënte këto rregullime, shtoi impiantet e erës. Reagimi është normal. Populli nuk është pyetur. Protesta është mëse legjitime. Unë e shikoj të vështirë që qeveria të tërhiqet nga ndërtimi i "Petroliferës". Po ashtu e shikoj të vështirë që çështja të zgjidhet me referendum. Në bazë të informatave që kam marrë nga juristët, kjo mënyrë ligjore të shprehuri nuk njihet në legjislacionin shqiptar, kështu që vlonjateve nuk u takon referendumi. Përsa i përket dhunës së ushtruar ndaj aktivistëve të Aleancës së Mbrojtjes së Gjirit të Vlorës, unë mendoj se nuk ka si të ndodhë ndryshe me këtë qeveri. Një qeveri birucash, patjetër që nuk ka si të veprojë ndryshe".