Kryeministri Berisha u përcolli dje urimet më të përzemërta të gjitha grave,vajzave, motrave dhe nënave shqiptare me rastin e 8 Marsit, Ditës Ndërkombëtare të Gruas. Kryeministri theksoi se në reformën elektorale përfaqësimi i duhur i gruas në vendimmarrje do të jetë një nga çështjet kryesore. Në këtë kontekst Kryeministri nënvizoi se duhet të përcaktohet që të mos ketë më pak se 30 % gra në parlament dhe qeveri. "Unë jam shumë i vendosur dhe e konsideroj jashtëzakonisht të rëndësishme përcaktimin e një kuote përfaqësimi për gratë jo më pak se 30 % në parlament dhe në qeveri dhe kam kënaqësinë të theksoj se po në këtë pozicion qëndron edhe opozita shqiptare", - u shpreh Kryeministri Berisha duke nënvizuar se hapat e tjerë do të përcaktohen nga beteja, solidariteti dhe lëvizja e vetë grave dhe vajzave.
PRESIDENTI
Topi: Bazë ligjore për barazinë gjinore
Në fjalën e tij gjatë ceremonisë me rastin e 8 Marsit, Presidenti Bamir Topi ka vënë theksin në krijimin e një baze ligjore për barazinë gjinore. "Përpjekjet e vazhdueshme për të ndërtuar një shtet ligjor dhe të integruar duhet të jenë në sintoni me luftën kundër çdo lloj diskriminimi. Që të marrë fund dhuna në familje dhe cënimi në punë, duhet të kujdesemi edhe nëpërmjet një baze ligjore rigoroze, e cila duhet të parashikojë mbrojtjen e dinjitetit të gruas në këto mjedise",- tha ai. Për të arritur në një qëllim të tillë, sipas Presidentit, është i domosdoshëm një impenjim mbarëshoqëror, edukativ në respekt të gruas dhe për një kulturë kundër dhunës që e ndjen si të patjetërsueshëm kriterin e barazisë gjinore.
TOPALLI
Kuvendi hap dyert për 8 Marsin
Kuvendi i Shqipërisë ka hapur dyert dje me rastin e 8 Marsit, Ditës Ndërkombëtare të Gruas. Në grupe dhe individualisht, gra të profesioneve e interesave të ndryshme i uruan 8 marsin dhe i kërkuan mbështetje Kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli. Nga ana e saj, Topalli tha se, gratë, por edhe e gjithë shoqëria shqiptare duhet të punojë, jo vetëm për gra të lumtura, por për gra të realizuara në jetë. "Le të drejtojë, kjo ditë simbol gjithë axhendën e shoqërisë shqiptare", tha ajo. Gjatë ditës së djeshme në Kuvend, Topalli u takua me gra të ndryshme, artiste, shkrimtare, por edhe gra të thjeshta, të cilat iu përgjigjën me kënaqësi ftesës publike bërë nga Topalli.
KREU I PS
Rama: Përfaqësimi i grave, drejt 50 %
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka kërkuar më 8 Mars një përfaqësim më të madh të gruas në jetën politike dhe vendimmarrëse në vend. Bashkë me urimin, shefi i opozitës ka nënvizuar faktin e domosdoshmërisë së rritjes së rolit e përfaqësimit të gruas në të gjithë jetën publike, politike e shoqërore të vendit. Për të realizuar këtë, Rama ka bërë të ditur se forca që ai drejton, do të kërkojë të sanksionojë në kodin e ri zgjedhor që në Kuvendin e ardhshëm, gratë të kenë një përfaqësim gati të barabartë me burrat. "Shqipëria ka sot një parlament me tetë gra, në 140 parlamentarë. Është një turp dhe një boshllëk i jashtëzakonshëm për një shoqëri, që ngulmon drejt integrimit europian, ngulmon drejt BE, ngulmon drejt standardeve evropiane, demokratike",-tha Rama.