Sipas ministrit të Punës, Barka, duke filluar nga 1 Janari i këtij viti punonjësit e Shërbimit Social do të përfitojnë rritje page Punonjësit e Shërbimit Social do të kenë rritje të pagave duke filluar që nga 1 Janari i këtij viti. Këtë e ka pohuar vetë ministri i Punës dhe Çështjeve Sociale, Kosta Barka i cili ka theksuar se përmirësimi i pagave për këtë kategori punonjësish do të jetë i vazhdueshëm. "Do të ketë përmirësim të sistemit të pagave për punonjësit socialë",-pohon Barka.
Rritja e pagave
Personeli i qendrave të përkujdesit social do të marrin rritje page dhe kjo rritje do të pasohet nga rritje të tjera. Kështu duke filluar nga muaji që shkoi, më shumë se 3 mijë punonjës të qendrave të përkujdesit social do të përfitojnë rritje page me 10 për qind. Sipas ministrit Kosta Barka rritja e pagave të punonjësve do të jetë e vazhdueshme dhe kjo do t'i stimulojë ata të jenë më të angazhuar në punën e tyre. "Do të ketë përmirësim të sistemit të pagave për punonjësit socialë. Ajo që është e rëndësishme, është fakti se kjo kategori personeli angazhohet për t'i shërbyer disa shtresave sociale në nevojë",- tha Barka duke shtuar se kjo është arsyeja që për punonjësit socialë do të ketë rritje të vazhdueshme të pagës. Ndërkohë bëhet e ditur se në vendin tonë ka rreth 400 Qendra Sociale, që ofrojnë shërbime për njerëzit në nevojë. Kështu, punonjësit e këtyre qendrave shërbejnë në jetimore, të cilat janë të shpërndara në rrethe të ndryshme të vendit. Gjithashtu, punonjësit socialë ofrojnë shërbime edhe në shtëpitë e të moshuarve pasi në këto shërbime janë të punësuar dhjetëra punonjës. Madje numri i punonjësve në këto shërbime, sipas të dhënave të Shërbimit Social Shtetëror pritet të rritet, sepse, sipas projekteve do të hapen disa qendra ditore për të moshuarit të cilët do të marrin shërbime të ndryshme në këto qendra. Ndërkohë Shërbimi Social Shtetëror pohon se janë me qindra punonjës të tjerë që ofrojnë shërbime për personat me aftësi të kufizuar apo persona të tjerë në nevojë, që paguhen nga ky institucion. "Punonjësit socialë ofrojnë shërbim për personat më në nevojë, ndaj dhe puna e tyre duhet vlerësuar seriozisht",- pohojnë punonjësit e Shërbimit Social Shtetëror.
10 për qind do të jetë rritja e pagave për punonjësit socialë, duke filluar nga 1 Janari i 2008
400 Qendra Sociale janë në vendit tonë, që ofrojnë shërbime për personat në nevojë