Rama: Rikonstruksioni i Unazës drejt përfundimit
Së shpejti do të përfundojnë punimet në segmentin e mbetur të Unazës nga Farmacia Nr.10 deri tek Bërryli. Kështu bëri të ditur dje kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, gjatë aksionit për mbjelljen e 225 pemëve në Unazë, në aksin nga Farmacia Nr.10 deri në kryqëzimin me rrugën "Hoxha Tahsim", duke synuar kështu rritjen e përmasës së gjelbër në këtë zonë. Kreu i cili ishte i pranishëm gjatë këtij aksioni të Ndërmarrjes së Punëtorëve Nr.1 të kryeqytetit, tha se, "Tirana do të ketë një kurorë të gjelbër në të gjithë Unazën e saj, e cila tashmë është në prag të përfundimit në të gjitha detajet". Kjo kurorë e gjelbër, sipas Ramës, në pak vite do të jetë një ndihmë shumë e madhe qoftë për të garantuar një ecje normale për të gjithë këmbësorët, qoftë edhe për të krijuar një unazë mbrojtjeje mjedisore. "Shkak për ngecjen e punimeve ka qenë një shtyllë elektrike. Kjo pjesë e unazës nga "Bërryli" deri te Farmacia Nr.10 po shkon drejt përfundimit",- u shpreh kryebashkiaku, Rama. Burime nga bashkia bënë të ditur se punimet duhet të përfundonin një muaj më parë, por vështirësitë që hasi firma në zhvendosjen e shtyllave elektrike ka bërë që të përfundojë më vonë nga afati i caktuar.