Bejtja: Nuk kemi vetëm virus gripi, por dhe viruse të tjera
Konkluzioni i specialistëve është se ky shtim i numrit të rasteve me infeksione të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes nuk i dedikohet vetëm visurit të gripit, por edhe një sërë viruseve të tjera, që prekin traktin e frymëmarrjes (adenoviruse, rinoviruese, etj). Kështu u shpreh drejtori i Shëndetit Publik në Ministrinë e Shëndetësisë i cili thekson se duhet treguar kujdes ndaj tij. "Virusi i fundit gripal ka prekur një kategori personash dhe moshash, ku më të atakuarit janë moshat e reja dhe të vjetra, sidomos ata që vuajnë nga sëmundje kronike. Krahasuar me vitin e kaluar, konstatohet një numër më i madh rastesh, sidomos në grupmoshën 5-14-vjeç",- pohon Bejtja. Nisur nga kjo situatë ai pohon se Ministria i këshillon qytetarët, të cilët janë prekur nga virusi sezonal i gripit, të përdorin medikamentet e autorizuara mjekësore, të përdorin sa më shumë lëngje dhe që mundësisht të evitojnë qëndrimin në ambiente të mbyllura, ku ndodhen një numër i madh qytetarësh të tjerë. Gjithashtu ai thekson se aktualisht infeksionet në rrugët e sipërme të frymëmarrjes janë shfaqur që në fillim të muajit dhjetor 2007 në Tiranë dhe në qytete të tjera dhe se Ministria e Shëndetësisë, përmes Institutit të Shëndetit Publik, është në fazën e fundit të përcaktimit të virusit shkaktar të këtyre rasteve.