Kriteret për përzgjedhjen e pedagogëve të rinj, ende në diskutim. Në muajin gusht nisin aplikimet në universitete
Rektori i UT-së ka bërë të ditur se nuk do të përjashtojë nga gara kandidatët “vendas”, por do t’u japë përparësi atyre që kanë mbarur studimet jashtë
Kur kanë mbetur diçka më shumë se dy muaj nga fillimi i vitit të ri akademik, institucionet e arsimit të lartë publik, ende nuk kanë përcaktuar kriteret e përzgjedhjes së pedagogëve të rinj që do të punësohen në universitete. Burime nga fakultetet shprehen se gjenden në fazën e bisedimeve të gjera, ndërkohë që po vetë deklarojnë se ende nuk është bërë i mundur dërgimi i propozimeve në universitete. Këtë vit në auditorë do të ulen 6 mijë studentë më shumë se vitin e kaluar akademik. Shifra e pranimeve është pothuajse 20 për qind më e lartë se viti pararendës i pranimeve, çka detyrimisht kërkon rritjen e numrit të pedagogëve në auditorë. Aktualisht, me miratimin së fundi të kuotave nga Këshilli i Ministrave, vetëm në universitetin e Tiranës kërkohen të punësohen diçka më shumë se 150 pedagogë. Shifrën e konfirmon edhe rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, i cili është shprehur se aplikimet e pedagogëve të interesuar do të nisin në muajin gusht, ndërkohë që pritet përcaktimi i kritereve. Rektori Kule është shprehur se nuk do të ketë diskriminim në përzgjedhjen e kandidatëve. Gjithsesi, ai ka pranuar faktin se do t’u jepet më shumë përparësi për punësim, kandidatëve që kanë mbaruar studimet jashtë vendit. “Mirëpresim edhe kandidatura të atyre personave që e kanë kryer shkollën e lartë dhe kanë mbrojtur tituj brenda vendit, megjithatë, përparësi kanë kandidatët që kanë mbaruar doktoratura në universitete jashtë vendit”,- u shpreh rektori Kule. Këtë vit, falë një Vendimi të Këshillit të Ministrave, në universitetet publike në të gjithë vendin pritet të punësohen rreth 400 pedagogë, pjesa më e madhe e të cilëve do të përqendrohen në fakultetet e Tiranës.
D.Laci