Sipas burimeve të MASH-it, regjistrimi i fituesve do të bëhet në dy faza. Regjistrimi bëhet në shtator dhe kini kujdes me procedurat
Në shtator do të jenë regjistrimet për në universitete për të gjithë maturantët që përfunduan me sukses Maturën Shtetërore. Kujdes me procedurat e regjistrimit pasi një gabim do t’u skualifikonte, edhe pse mund të keni marrë pikët e mundshme për të fituar ndonjë degë në universitete. Ky është apeli që ministri e Arsimit iu bën të gjithë maturantëve duke dhënë shpjegime se si do të bëhet regjistrimi këtë vit.
Regjistrimi
Regjistrimi i studentëve do të kryhet në dy faza kryesore, që është faza e regjistrimi paraprak dhe faza e regjistrimit përfundimtar. Pasi shpallet lista e fituesve me renditjen fillestare të të gjithë kandidatëve në programet e studimit (degët) përkatëse, bëhet regjistrimi paraprak pranë sekretarive të Institucione të Arsimit të Lartë (IAL-ve). Sipas zyrtarëve të MASH-it, regjistrimi paraprak është i detyrueshëm brenda afatit kohor të përcaktuar nga MASH dhe nëse nuk kryhet, maturanti humbet të drejtën për të vazhduar më tej. Pas regjistrimit paraprak, hiqen nga lista të gjithë kandidatët që nuk do të figurojnë të regjistruar për arsye të ndryshme dhe shpallet lista e re me fituesit përfundimtarë. “Ata kandidatë që në listën për regjistrimin përfundimtar do të jenë fitues në një program studimi tjetër nga ai i regjistrimit paraprak, duhet detyrimisht të ç’regjistrohen dhe të regjistrohen në programin e studimit ku kanë dalë fitues, sipas listës përfundimtare”,- shpjegojnë burime zyrtare të MASH-it duke shtuar se nëse maturantët nuk bëjnë regjistrimin përfundimtar, humbasin të drejtën për të vazhduar shkollën e lartë. Në të dyja rastet, njoftimin se në cilën preferencë apo program studimi ka dalë fitues, maturanti e merr në shkollën e tij të mesme.
Pse dy faza
Ministria e Arsimit jep shpjegime se përse do të ketë 2 faza regjistrimi dhe sa e rëndësishme është kjo. Së pari, mund të ndodhë që shumë maturantë të regjistruar për në universitetet tona publike të shpallur fitues gjatë fazës paraprake, vendosin të konkurrojnë për studime jashtë vendit dhe largohen. Ndërkohë, arsye tjetër është edhe fakti se mund të ketë edhe kandidatë të tjerë të regjistruar për në IAL tona publike, që vendosin të ndjekin studimet në universitete private. Por ka edhe nga ata kandidatë të tjerë që nuk dëshirojnë më të vazhdojnë studimet e larta. “Të gjithë këta kandidatë lënë kuota vakante (vende bosh) të cilat plotësohen nga kandidatë të tjerë. Pikërisht për të marrë këtë informacion dhe për të evituar bllokimin e kuotave, kërkohet regjistrimi paraprak”,- shpjegojnë burime zyrtare të MASH-it duke shtuar se pas marrjes së këtij informacioni, hiqen nga lista të gjithë kandidatët që nuk do të figurojnë të regjistruar paraprakisht brenda afatit kohor të përcaktuar.