Rritja e numrit të studentëve të pranuar për vitin e ri akademik, kërkon 46 pedagogë të rinj
Shtimi i numrit të pranimeve të studentëve ka rritur në Universitetin Politeknik në Tiranë nevojën për pedagogë të rinj. Krerët e këtij institucioni, kanë bërë të ditur se janë të gatshëm të shtojnë numrin e personelit akademik me 45 pedagogë të rinj. Nevojën më të madhe për pedagogë të rinj në Universitetin Politeknik e kanë lëndët e degës së Teknologjisë së Informacionit, pasi në këtë degë është shtuar numri i kuotave në krahasim me vitin e kaluar.
Rektorati i Universitetit Politeknik të Tiranës (UPT) ka bërë të ditur për të gjithë të interesuarit, se kriteret përzgjedhëse për afrimin e pedagogëve pritet të shpallen në muajin gusht. Këtë vit akademik, më shumë pedagogë do të punësohen në Universitetin e Tiranës, për të cilët janë çelur rreth 157 vende të reja pune. Aktualisht, universitetet janë në fazën e propozimeve të kritereve që do të publikohen për pedagogët e ardhshëm. Autoritetet drejtuese të fakulteteve po bëjnë propozimet përkatëse për këto kritere, në mënyrë që numri i pedagogëve që ka premtuar qeveria, të shpërndahet në mënyrë sa më të drejtë aty ku janë nevojat më të mëdha. Përsa i përket vendit ku kandidatët kanë kryer arsimin e lartë, apo edhe ku kanë mbrojtur titujt shkencorë, autoritetet drejtuese të Universitetit të Tiranës vazhdojnë të preferojnë më shumë ata studentë që kanë studiuar jashtë vendit. Këtë vit, falë një Vendimi të Këshillit të Ministrave, pritet që në universitetet publike të vendit të punësohen 400 pedagogë të rinj.