Premte, 29 Gusht 2008 23:21:37

Lexoni versionin Print

Sindikatat e Arsimit: “Librat falas për fëmijët analfabetë”

Federata e Sindikatave të Arsimit dhe Sindikata e Pavarur e Arsimit Shqiptar, i ka kërkuar Ministrisë së Arsimit dhe të Shkencave që të japë libra falas për një pjesë të fëmijëve që për arsye të gjendjes së vështirë ekonomike, janë detyruar të braktisin shkollën.

Dritan Laci
Premte, 18 Korrik 2008 08:18:00

 

Sindikatat i kanë kërkuar MASH të japë tekste, mjete shkollore dhe uniforma falas për nxënësit e varfër

Analfabetizmi, qytetet e mëdha mbajnë numrin më të lartë të fëmijëve që braktisin shkollat në arsimin e detyrueshëm

Federata e Sindikatave të Arsimit dhe Sindikata e Pavarur e Arsimit Shqiptar, i ka kërkuar Ministrisë së Arsimit dhe të Shkencave që të japë libra falas për një pjesë të fëmijëve që për arsye të gjendjes së vështirë ekonomike, janë detyruar të braktisin shkollën. Kërkesa u bë e ditur nga kreu i kësaj federate, Xhaferr Dobrusha, i cili shprehu shqetësimin për numrin e lartë të fëmijëve që lënë shkollën për të punuar rrugëve të qyteteve.

Kreu i FSASH, ka theksuar në deklaratën për shtyp se numri i fëmijëve që i përkasin moshës së detyrimit shkollor, që nuk dinë shkrim dhe këndim, është rreth 1-2 për qind e numrit total të nxënësve. Sipas Federatës së Sindikatave të Arsimit dhe Shkencës (FSASH) dhe Sindikatës së Pavarur të Arsimit Shqiptar (SPASH), fenomeni i analfabetizmit paraqitet më shqetësues në qytetet e Tiranës, pranë zonës së Kamzës, në Fier, Elbasan Korçë dhe Shkodër. “Ne kemi ndjekur me shqetësim këtë fenomen gjatë vitit mësimor 2007- 2008 dhe jemi të angazhuar në një veprimtari të vazhdueshme për parandalimin dhe eliminimin e punës së fëmijëve, si shkaktari kryesor i analfabetizmit në shoqëri”,- u shpreh Xhaferr Dobrusha, kryetar i FSASH, duke parashtruar kërkesat për Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës.

***

Dy sindikatat e Arsimit, i kanë rekomanduar Ministrisë së Arsimit që të përdorë fondin

përkatës të parashikuar në Buxhetin e Shtetit për kompensimin e vlerës së librave shkollore, ekskluzivisht për prindërit e nxënësve të arsimit bazë 9-vjeçar. “Për ata nxënës analfabetë që në sajë të përpjekjeve janë rikthyer në punë, të përballohet dhënia e librave falas dhe një minimum shpenzimesh për mjete të tjera shkollore, përfshirë uniformën”,- theksoi Dobrusha. Po kështu, kreu i FSASH, i ka propozuar dikasterit të Arsimit të heqë nga buxheti i saj kostot për mjetet shkollore, uniformat apo udhëtimet jashtëshkollore për nxënësit në nevojë. Kërkesa e sindikatave të Arsimit, është parashtruar për zgjidhje për vitin e ri shkollor që nis në muaji shtator. Ata i kanë kërkuar gjithashtu Ministrisë së Arsimit, të bëjë përpjekje për rritjen e cilësisë së mësimdhënies në ciklin parashkollor. Për të bërë të mundur këtë synim, sindikatat kanë propozuar që të gjithë librat e sistemit parashkollor për fëmijët që shkojnë në kopshte, të jepen falas. Xhaferr Dobrusha, kreu i Federatës së Pavarur të Arsimit Shqiptar, ka pohuar se në rast se ministria do të ndërmerrte një hap të tillë, atëherë, në vitet në vazhdim do të kishim arsim cilësor publik më të mirë se ky i tanishmi.

***

Kërkesa e Sindikatës së Pavarur të Arsimit është përkrahur edhe nga Ministria e Arsimit, e cila është shprehur në një komunikatë për shtyp, se mbështet propozimet e mbërritura në adresë të këtij dikasteri. “Propozimi i bërë nga kryetari i Federatës së Sindikatave të Arsimit, z.Xhaferr Dobrusha dhe kryetari i Sindikatës së Pavarur të Arsimit, z.Bajram Kruja për mbështetje të prindërve të nxënësve të arsimit bazë 9-vjeçar dhe kompensim të librave shkollorë ekskluzivisht për këta nxënës, na duket i vlefshëm dhe e mirëpresim”. Ministria e Arsimit, ka lënë të hapur mundësinë për dialogim për kërkesat e tjera të propozuara nga sindikatat, siç janë tekstet falas për arsimin parashkollor, apo mundësinë e dhënies gratis të mjeteve shkollore. “Të gjitha kërkesat e tjera për MASH-in të shtruara nga FSASH dhe SPASH do të shqyrtohen edhe me grupet e tjera të interesit si mësuesit, prindërit dhe nxënësit dhe shpejt, ministri i Arsimit dhe Shkencës, z.Genc Pollo do të bëjë të ditur për publikun, vendimet që do të merren. Sindikatat e Arsimit mbeten partnerët tanë në realizimin e reformave në arsim dhe ne vlerësojmë shumë rolin e tyre si përfaqësuese të interesave kolektive të mësuesve, por edhe të nxënësve dhe prindërve të tyre”,- është shprehur në komunikatën për shtyp, Ministria e Arsimit

Politekniku kërkon shtim të pedagogëve

Rritja e numrit të studentëve të pranuar për vitin e ri akademik, kërkon 46 pedagogë të rinj

Shtimi i numrit të pranimeve të studentëve ka rritur në Universitetin Politeknik në Tiranë nevojën për pedagogë të rinj. Krerët e këtij institucioni, kanë bërë të ditur se janë të gatshëm të shtojnë numrin e personelit akademik me 45 pedagogë të rinj. Nevojën më të madhe për pedagogë të rinj në Universitetin Politeknik e kanë lëndët e degës së Teknologjisë së Informacionit, pasi në këtë degë është shtuar numri i kuotave në krahasim me vitin e kaluar. Rektorati i Universitetit Politeknik të Tiranës (UPT) ka bërë të ditur për të gjithë të interesuarit, se kriteret përzgjedhëse për afrimin e pedagogëve pritet të shpallen në muajin gusht. Këtë vit akademik, më shumë pedagogë do të punësohen në Universitetin e Tiranës, për të cilët janë çelur rreth 157 vende të reja pune.

Aktualisht, universitetet janë në fazën e propozimeve të kritereve që do të publikohen për pedagogët e ardhshëm. Autoritetet drejtuese të fakulteteve po bëjnë propozimet përkatëse për këto kritere, në mënyrë që numri i pedagogëve që ka premtuar qeveria, të shpërndahet në mënyrë sa më të drejtë aty ku janë nevojat më të mëdha. Përsa i përket vendit ku kandidatët kanë kryer arsimin e lartë, apo edhe ku kanë mbrojtur titujt shkencorë, autoritetet drejtuese të Universitetit të Tiranës vazhdojnë të preferojnë më shumë ata studentë që kanë studiuar jashtë vendit. Këtë vit, falë një Vendimi të Këshillit të Ministrave, pritet që në universitetet publike të vendit të punësohen 400 pedagogë të rinj.


POSTO NE:

diggdigg it   YahooYahoo MyWeb   GoogleGoogle   SlashdotSlashdot   deliciousdel.icio.us   technoratiTechnorati

Emri juaj:
E-mail juaj:
Titulli:
Komenti juaj:


Reklama ne Shekulli Online


Tel: 042256994
Fax: 042256015
Cel: 0692187272
E-Mail:  reklama.shekulli@abissnet.al

© 1997 - 2008 shekulli.com.al Biznesi Online Sporti Shqiptar Revista Spekter Botimet Max Arti i Kuzhines Arkivi
© 2008 Te gjitha te drejtat Shekulli Kontakt Stafi Online Preview Chanel Lidhja RSS/XML