Pas përzgjedhjes së teksteve në shkolla, MASH vendos shpërndarjen e librave nga data 31 gusht deri më 20 shtator
Asnjë udhëzim për skemën e shpërndarjes dhe subvencionit. Pritet vendimi i Ministrisë së Arsimit dhe Financave
Shpërndarja e teksteve shkollore për nxënësit e sistemit parauniversitar, do të bëhet nga data 31 gusht deri më 20 shtator. Lajmin e bëjnë të ditur për gazetën ”Shekulli” burime pranë Drejtorisë Arsimore Tiranë, të cilët shprehen se për të pasur pasqyrë më të saktë të skemës së shpërndarjes së teksteve shkollore, pritet një udhëzim i posaçëm nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencave. Në këtë udhëzim do të përcaktohen kategoritë e nxënësve që do të përfitojnë subvencionin e teksteve, si dhe mënyrën se si shkollat do të procedojnë për të thithur subvencionin e përcaktuar nga MASH. Vitin e kaluar shpërndarja e teksteve është bërë në libraritë shkollore, ndërkohë që ky proces nuk ka kaluar pa probleme. Ministria e Arsimit tërhoqi disa herë vëmendjen e shtëpive botuese për mungesën e treguar të korrektësisë në shpërndarjen e teksteve shkollore. Për herë të parë gjatë vitit të kaluar, për të marrë informacionin se cilat tekste duhet të blinin dhe pikën e shitjes ku duhet të drejtoheshin, nxënësit dhe prindërit e tyre u drejtuan pranë shkollave. E njëjta procedurë parashikohet të aplikohet edhe gjatë këtij viti. Subvencioni i teksteve shkollore do t’u kalojë direkt përdoruesve, pra prindërve dhe nxënësve, ndërkohë që nxënësit, për çdo paketë tekstesh të blerë, duhet të tërheqin një faturë. Më pas vetëm pas dorëzimit të kësaj fature, ata do të kompensohen nga Drejtoria Arsimore Rajonale për çdo tekst të blerë, sipas subvencionit përkatës. Aktualisht, sipas burimeve nga Drejtoria Arsimore e Tiranës, në shkollat e ciklit 9-vjeçar dhe atij të mesëm, ka përfunduar përzgjedhja e teksteve shkollore me të cilat nxënësit do të mësojnë në vitin e ri shkollor. Për vitin që lamë pas, për fëmijët e familjeve që nuk marrin ndihmë ekonomike, subvencioni për përdoruesin ishte: në arsimin bazë 9-vjeçar në masën 70 (shtatëdhjetë) për qind të kostos të teksteve dhe në arsimin e mesëm 50 (pesëdhjetë) për qind të kostos të teksteve.