Premte, 22 Gusht 2008 00:26:26
    

Lexoni versionin Print

Matematika, mbesin në provim 3 mijë maturantë

Provimi i dytë me detyrim i Maturës Shtetërore në lëndën e Matematikës ka rezultuar më i fortë se ç’pritej, për një pjesë të mirë të nxënësve që iu nënshtruan testimit. Shifrat e publikuara së fundi nga Agjencia e Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve (AVA)

Dritan Laci
Merkure, 02 Korrik 2008 08:14:00

 

Matura, rezultate të dobëta në provimin e Matematikës. Nuk marrin provimin 11 për qind e maturantëve

Rreth 59 për qind e maturantëve nuk kanë marrë më shumë se nota 6 në provim. Në total, 70 për qind ishin nën mesataren e lejuar

Provimi i dytë me detyrim i Maturës Shtetërore në lëndën e Matematikës ka rezultuar më i fortë se ç’pritej, për një pjesë të mirë të nxënësve që iu nënshtruan testimit. Shifrat e publikuara së fundi nga Agjencia e Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve (AVA) flasin për shkallë të lartë të moskalimit të provës nga maturantët, gjë që mund të cilësohet normale për një provim të vështirë, siç është Matematika. Profesor Edmond Lulja, drejtor i Agjencisë së Vlerësimit të Arritjeve, ka bërë të ditur se në provimin e dytë me detyrim, pas përfundimit të fazës së korrigjimit të testeve, kanë rezultuar mbetës 11 për qind e maturantëve që morën pjesë në testim, ndërsa kanë marrë notë kaluese 89.11 për qind e tyre. E kthyer ndryshe, nga 31 959 maturantë që plotësuan testet e provimit në lëndën e Matematikës, pothuajse 3 mijë nuk arritën t’ia dalin mbanë për të vazhduar më tej rrugën e Maturës Shtetërore. Bazuar mbi statistikat e nxjerra nga AVA, numri i maturantëve që rezultojnë mbetës në provimin e Matematikës, është gati 2 për qind më i lartë se në provimin e parë me detyrim në lëndën e Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe, të zhvilluar më datë 9 Qershor.

***

Agjencia e Vlerësimit të Arritjeve, ka bërë të ditur për maturantët se, nga dita e martë ka përfunduar procesi i nxjerrjes së rezultateve në provimin e dytë me detyrim në lëndën e Matematikës. Menjëherë pas nxjerrjes së rezultateve, AVA, do të nisë printimin e notave, si edhe shpërndarjen e listave me pikët përkatëse për çdo maturant në Drejtoritë Arsimore Rajonale dhe Zonale në vend, për të kryer më pas afishimin në shkolla. Ashtu si në provimin e parë me detyrim të zhvilluar në lëndën e Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe, korrigjimi i testeve në provimin e Matematikës u krye në 4 qendra vlerësimi, përkatësisht në Tiranë, Shkodër, Elbasan dhe Fier. Në procesin e vlerësimit të testeve në dy provimet e para të Maturës Shtetërore 2008, Ministria e Arsimit angazhoi 150 vlerësues, të cilët për gati 10 ditë kaluan në duar mbi 30 mijë teste. Testi në provimin e Matematikës, i cili u hartua nga AVA, u nda në tri nivele vështirësie, kjo për t’i ardhur në ndihmë edhe maturantëve me përgatitje të ulët në këtë lëndë. Në vetvete, testi ishte i ndarë në pyetje me alternativa dhe me zhvillim, ndërsa në total ai përmbante 50 pikë.

***

Sikurse e theksuam në hyrje të shkrimit, kalueshmëria në provimin e Matematikës u paraqit në masën 89.11 për qind, ndërsa jokalueshmëria në 11 për qind. Ajo që vlen të theksohet në provimin e Matematikës, është paraqitja e dobët që maturantët kanë treguar në këtë testim. Për këtë flasin vetë notat e dobëta që ata kanë marrë. Rezultatin e dobët e deklaron me shifrat kokëforte edhe Agjencia e Vlerësimit të Arritjeve. Kështu, në rang republike, 19 015 nxënës, ose 59.60 për qind e maturantëve në total që morën pjesë në provimin e Matematikës, nuk kanë arritur të marrin më shumë se 5 ose 6 në testim. Krahasuar me provimin e zhvilluar në provimin e Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe, rezultatet e dala nga provimi i Matematikës janë pothuajse 20 për qind më të dobëta. Në provimin e parë me detyrim, notat 5-6 i morën 12 483 nxënës, ose 39, 15 për qind e maturantëve që iu nënshtruan këtij testimi. Rënie e ndjeshme në provimin e Matematikës është vënë re edhe në maturantët që kanë marrë notën 7-8. Në ndryshim nga Letërsia dhe Gjuha Shqipe, ku këto nota i merituan 13 011 nxënës, ose 40,81 për qind e maturantëve, në provimin e Matematikës arritën të vlerësohen me këto nota gjithsej 7368 nxënës, ose 23,06 për qind e maturantëve që morën pjesë në provim. Shumë më ulët është paraqitur numri i maturantëve që kanë marrë notën maksimale 10. Nga 3 800 nxënës që u vlerësuan me notën 9-10 në provimin e Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe, në testimin e Matematikës, vetëm 535 maturantë u vlerësuan me notën 10, nga të cilët vetëm 8 maturantë kanë arritur të marrin sasinë maksimale të pikëve të mundshme, që ishte 50 pikë.

Jokaluesit në Matematikë, shlyerja e provimeve me detyrim, në sesionin e dytë që zhvillohet në vjeshtë

Mbetësit, humbasin provimet me zgjedhje

Reth 4 mijë maturantë, në dy provimet e para me detyrim, kanë humbur të drejtën për të dhënë provimet me zgjedhje

Nuk kanë humbur vetëm provimin e Matematikës, por edhe pjesëmarrjen në provimet me zgjedhje që zhvillohen më datë 10 korrik. 3 mijë maturantë, që rezultuan ngelës në provimin e dytë me detyrim, do të duhet t’i thonë lamtumirë studimeve të larta për vitin akademik 2008-2009, pasi rruga e tyre për të vazhduar më tej është ndalur nga nota jokaluese që ata morën. Sipas Rregullores së Maturës Shtetërore, nxënësit që rezultojnë jokalues në provimet me detyrim, do të duhet t’i japin provimet në sesionin e dytë, në vjeshtë, pa pasur të drejtë të marrin pjesë në provimet me zgjedhje. Në provimin e parë me detyrim në lëndën e Letërisë dhe Gjuhës Shqipe, humbën të drejtën për të dhënë provimet me zgjedhje 9 për qind e maturantëve që iu nënshtruan testimit. Ende nuk ka një shifër të saktë, lidhur mbi numrin e maturantëve që kanë humbur të drejtën për të dhënë provimet me zgjedhje, por deri tani mendohet se ky numër vërtitet në 4 mijë të tillë. Provimet me zgjedhje do të jepen më datë 10 korrik, ndërsa këtë vit maturantët do të japin 9 lëndë me zgjedhje.

Në provimin, që do të zgjasë 4 orë, do të marrin pjesë edhe maturantë që kanë përfunduar shkollën para vitit 2008, por që për arsye të ndjekjes së studimeve të larta u nevojitet të shlyejnë dy provime me zgjedhje. Sipas përllogaritjeve ende jo zyrtare, në provimet me zgjedhje mendohet të marrin pjesë rreth 35 mijë maturantë, nga të cilët një pjesë e konsiderueshme do t’i përkasë maturantëve që rijapin provimet e fundit që mbyllin Maturën Shtetërore. Maturantët do t’i japin dy provimet me zgjedhje në një ditë të vetme, ku të vetmet ndryshime me provimet me detyrim është afati i plotësimit të testeve (4 orë) dhe pikët në teste, që nuk do të jenë më 25, por 20 për secilin provim.


POSTO NE:

diggdigg it   YahooYahoo MyWeb   GoogleGoogle   SlashdotSlashdot   deliciousdel.icio.us   technoratiTechnorati

Emri juaj:
E-mail juaj:
Titulli:
Komenti juaj:


Reklama ne Shekulli Online


Tel: 042256994
Fax: 042256015
Cel: 0692187272
E-Mail:  reklama.shekulli@abissnet.al

© 1997 - 2008 shekulli.com.al Biznesi Online Sporti Shqiptar Revista Spekter Botimet Max Arti i Kuzhines Arkivi
© 2008 Te gjitha te drejtat Shekulli Kontakt Stafi Online Preview Chanel Lidhja RSS/XML