****
Studentët e Gjuhë-Letërsisë, në rrugë të madhe. Udhëzimi i MASH, nuk u jep titullin “Mësues” me tre vite shkollë. Duhet Master
Udhëzimi është kundërshtuar nga universitetet. Studentët nuk kanë para të bëhen mësues me Master
Dritan Laci
Për t’u bërë, tani e tutje, Mësues nuk mjaftojnë më 3 vite studime të plota universitare, por nevojitet edhe diploma Master. Kështu thuhet në një udhëzim të fundit të dalë nga MASH, drejtuar universiteteve publike në vend, ku cilësohet se duke filluar nga ky vit akademik, studentët që ndjekin studimet sipas Sistemit të Bolonjës, detyrimisht duhet të ndjekin edhe një nivel tjetër universitar. Ky udhëzim i fundit i Ministrisë së Arsimit, ka shtangur jo vetëm universitetet por edhe studentët, të cilët pak muaj para diplomimit, gjenden në rrugë të madhe. Më të prekur nga ky udhëzim, janë studentët e Gjuhë-Letërsisë, të cilët në pamundësi të alternativave të tjera që u ofron shkolla, për të fituar titullin “Mësues”, tani duhet të bëjnë edhe Masterin e Nivelit të Parë. Ata thonë për gazetën “Shekulli” se nuk janë informuar mbi vendimin, qoftë gjatë nisjes së studimeve, ashtu edhe tani, kur janë në përfundim të tyre. Studentët e kontaktuar shprehen se janë të paqartë për të ardhmen dhe se nuk e dinë se çfarë pune mund t’u ofrohet me diplomën që do të marrin, kur për t’u bërë mësues duhet të paktën Masteri i Nivelit të Parë. Po sikur të mos mjaftojë ky problem, një tjetër dilemë shfaqet për studentët. Burime pranë fakulteteve kanë informuar për gazetën “Shekulli” se, për të kryer Masterin, çdo student duhet të paguajë tarifën përkatëse të studimit. Pra, e thënë ndryshe, për t’u bërë mësues, çdo student i cili dëshiron të ketë titull të tillë, duhet të paguajë një shifër goxha të majme, e cila do të vendoset nga vetë fakultetet. Kjo tarifë, e cila ende nuk është vendosur, mendohet të jetë tejet e kripur për xhepin e studentëve, çka nënkupton që një pjesë e mirë e tyre, në pamundësi për të përballuar koston e shkollimit, detyrohen t’i ndërpresin studimet vetëm me një diplomë të thjeshtë që nuk u vlen kurrgjë.
Studentët
“Është absurde kjo që po ndodh. Tani edhe vetë nuk e dimë se ku të mbytemi. Familja ime nuk ka mundësi të më ndihmojë për të ndjekur më tej studimet. Me këtë diplomë që do na japin, nuk e di se ku të trokas për të filluar punë”. Marsela është vetëm një nga studentët e Gjuhë-Letërsisë, që shpreh këtë shqetësim. Të njëjtin problem kanë edhe studentët e tjerë, që e ndjejnë veten të pasigurt pas diplomimit. Ata thonë se diploma që do të marrin, nuk vlen për asgjë, ndërkohë që po kaq të pasigurt janë edhe për vazhdimin e Masterit. Fjalët se Masteri do të kryhet në bazë të një tarife të caktuar i ka bërë ata edhe më pesimistë. Të paqartë për atë që po ndodh, janë edhe vetë drejtuesit e Fakultetit Filologjik. E vetmja gjë që ata dinë të thonë, është se në fakultetin e tyre ka mbërritur një udhëzim nga Ministria e Arsimit dhe Shkencave, në të cilin thuhet se për të fituar titullin Mësues, studentët e Gjuhë-Letërsisë që përfundojnë studimet, duke filluar nga ky vit akademik me Sistemin e Bolonjës, duhet të jenë të pajisur me diplomën Master i Nivelit të Parë. Të pyetur se cili do të jetë titulli i diplomimit për studentët, të cilët përfundojnë vetëm 3-vjeçarin e parë të studimeve, drejtuesit e këtij universiteti janë mjaftuar vetëm me një ngritje supesh. Pas mbërritjes së udhëzimit të parë, burime nga ky fakultet shprehen se presin një tjetër sqarim nga MASH, ndërkohë që janë të vetëdijshëm se me Diplomën e Nivelit të Parë, studentët nuk kanë asnjë mundësi punësimi.
Rektorati
Udhëzimi i MASH, është kundërshtuar fort edhe nga universitetet, të cilët e kanë cilësuar këtë vendim si të nxituar. Burime zyrtare nga Rektorati i Tiranës, thonë për gazetën “Shekulli” se udhëzimi, i cili penalizon me dhjetëra studentë të Gjuhë-Letërsisë që ndjekin studimet jo vetëm në Tiranë por edhe në rrethe, ka mbërritur në një moment të papërshtatshëm dhe nuk është diskutuar me universitetet. Por ajo që shqetëson më shumë rektorët, është fakti se shumë studentë, duke u përballuar me tarifat e larta të Masterit, do të heqin dorë nga zhvillimi tij. Ndonëse nuk është ende zyrtare, pasi kjo i mbetet në dorë fakulteteve, thuhet se tarifa e Masterit të Nivelit të Parë për studentët që kërkojnë të ndjekin këtë nivel studimi, do të jetë 150 mijë lekë të reja në vit. Pra, për t’u bërë mësues, duke qenë se Masteri i Nivelit të Parë zgjat 2 vite, një student duhet të paguajë jo pak, por 300 mijë lekë të reja. Kjo tarifë, nga burime brenda Rektoratit, padyshim që do të sjellë frenimin e studentëve, si edhe flakjen e tyre në rrugë pa pasur alternativë punësimi.
MASH
“Atë e ka në dorë tregu i punës”. Kështu janë shprehur burime zyrtare pranë Ministrisë së Arsimit dhe Shkencave, lidhur mbi interesimin e gazetës “Shekulli”, se çfarë do të bëhet me studentët e Gjuhë-Letërsisë, që nuk kanë mundësi të ndjekin Masterin për të fituar titullin “Mësues”. Ashtu si edhe mësohet nga universitetet, MASH ka pranuar faktin se Diploma e Nivelit të Parë, ose ndryshe 3-vjeçari i studimeve, nuk pi ujë për t’u bërë mësues. Në këto kushte studentët, sipas këtij dikasteri, duhet të ndjekin Masterin, në të kundërt, megjithëse kanë kryer tri-vite shkollë të lartë, duhet ta gjejnë vetë punën. Të pyetur për titullin që fitojnë studentët pas përfundimit të ciklit të parë të studimeve, burime nga MASH janë shprehur se nuk ata thjesht marrin një Diplomë të Nivelit të Parë, pra, me pak fjalë, nuk fitojnë asnjë “titull studimi”.
Diplomat, studentët e Letërsisë në Vlorë, bojkotojnë leksionet
Studentët e Fakultetit të Edukimit në Universitetin “Ismail Qemali” në Vlorë, pjesa më e madhe e të cilëve studentë të degës së Gjuhë-Letërsisë, kanë protestuar gjatë ditës së djeshme duke bojkotuar për një orë mësimin. Ata janë grumbulluar përpara godinës qendrore të universitetit për të parashtruar publikisht kërkesat e tyre. Sipas studentëve, shkak i kësaj proteste 1-orëshe është keqinformimi i tyre me kriteret e reja të ndryshuara, por edhe mosrealizimi i premtimit të rektorit të këtij universiteti, Tanush Shaskaj. Studentët deklaruan se në fillim të këtij viti akademik, gjatë fushatës për zgjedhjen e rektorit të ri u premtua se do të hiqej stazhi, ndërsa ky premtim jo vetëm që nuk u mbajt, por po pasohet me penalizime te tjera, ku për të kaluar vitin u vendos një kufi prej 25 kreditesh, të cilat duhen marrë në sezonin e vjeshtës, me qëllim që studenti të mos rrezikojë vitin. Një tjetër kërkesë e studentëve të Vlorës, ishte edhe njohja e Këshillit Studentor nga ana e Rektoratit dhe përfshirja e tij në mbledhje të ndryshme që kanë të bëjnë me problematikat apo procesin e mësimit në universitet. Përveç dy kërkesave të mësipërme, studentët vlonjatë i kanë kërkuar Ministrisë së Arsimit të miratojë për Fakultetin e Edukimit në Universitetin e Vlorës, sistemin 3+1, pasi shumë prej studentëve që janë në vit të tretë, nuk kanë më mundësi të vijojnë shtesën e përcaktuar. Studentë janë shprehur se në rast të mosmiratimit të shtesës së studimeve, e parashikuar kjo në Kartën e Bolonjës, ata penalizohen duke u kualifikuar vetëm me tri vite universitet, dhe jo me diplomë të plotë. Sipas tyre, kërkesat duhen marrë parasysh nga strukturat të cilave u janë drejtuar, pasi në rast të kundërt, ky bojkot prej një ore do të vijojë në një tjetër bojkot ditën e hënë, ku studentët pritet të lënë mësimin gjatë gjithë ditës.
A.Peçi
Bashkia çel dyert për 15 studentë rinj
Bashkia e Tiranës u ka krijuar mundësinë 15 studentëve të sapodiplomuar, brenda dhe jashtë vendit, të kryejnë për një periudhë 6-mujore praktikat e punës pranë administratës vendore. Në vijim të eksperiencës së krijuar tashmë në vite, këtë herë Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Punësimit, Tiranë, po fillon aplikimin e një programi të ri për punësim të punëkërkuesve, të cilët kanë mbaruar shkollat e tyre, brenda apo jashtë vendit. Këta studentë të sapodiplomuar do të kryejnë praktikat profesionale, sipas specialiteteve dhe profesioneve përkatëse, duke siguruar kështu mundësi për rritjen e aftësive të tyre praktike profesionale dhe duke i bërë ata të gatshëm dhe të aftë në treg. Gjatë kohës që këta studentë do të kryejnë praktikat e punës në administratën vendore, pagat dhe Sigurimet Shoqërore të tyre do të paguhen nga Drejtoria Rajonale e Punësimit, pranë Shërbimit Kombëtar të Punësimit. I pranishëm në prezantimin e programit të punësimit të të sapodiplomuarve, kryebashkiaku Edi Rama u shpreh se, “Bashkia e Tiranës ka pasur qysh në krye të herës, ambicien që të jetë edhe hapësira ku punësohen në rrugë sezonale të reja dhe të rinj”.