Janë shpërndarë bursat e Fondit të Ekselencës për 25 më të mirët e Vitit 2007. Kështu është shprehur dje ministri i Arsimit, Genc Pollo, gjatë ceremonisë të dhënies së çmimeve ku i pranishëm ishte kryeministri Sali Berisha. Kreu i qeverisë nga ana e tij, tha se “bursat e fituesve do të jepen nga fondi prej 500 mijë euro që qeveria ka caktuar t’u vihet në dispozicion studentëve, kërkuesve të rinj të shkëlqyer shqiptarë, kryesisht pedagogë, të diplomuar në universitetet e vendit apo të huaja, me synim mbështetjen financiare të tyre për të vazhduar studimet Doktorale apo Post-doktorale në universitete apo qendra kërkimore të njohura perëndimore”. Ndërkohë ministri i Arsimit, Genc Pollo i bëri të ditur fituesve se pas studimeve duhet të kthehen në Atdhe, për të kontribuar për të paktën 5 vjet me dijet e tyre të marra nga këto studime, financuar nga taksapaguesit shqiptarë. Fondi i Ekselencës i mbështetur edhe në Ligjin e ri të Arsimit të Lartë, këtë vit ka një vlerë 500 mijë euro, që do të rritet në vitet në vazhdim. Ky fond do të përdoret nga MASH jo vetëm për bursa të posaçme, për kryerje të studimeve të Doktoratës apo Post-doktoratës, por edhe për çmime për studentët fitues në konkurse apo olimpiada ndërkombëtare, si dhe për të mbështetur botime me nivel të lartë shkencor. Sipas ministrit të Arsimit, Genc Pollo, përmes këtyre të rinjve Shqipëria do të ketë një të ardhme më të mirë.