Profesor Petrit Malaj prezanton platformën për kreun e Akademisë së Arteve
Ta kthejmë Akademinë e Arteve në një qendër të rëndësishme kombëtare të prodhimit dhe promovimit të vlerave dhe mendimit artistik. Ky është slogani me të cilin Petrit Malaj, kandidati për Rektor të Akademisë së Arteve ka zgjedhur të fitojë postin më të lartë të Akademisë së Arteve. I vetëdijshëm për nevojën e ndryshimeve që duhet bërë në Akademinë e Arteve, Petrit Malaj ka premtuar se, do të motivojë profesionalisht stafin për rritjen e cilësisë së diplomës në Akademinë e Arteve. "Jam i ndërgjegjshëm për vështirësitë, por jam i bindur se me forcën e talentin e studentëve, të cilët për mua përbëjnë një forcë gjeneruese të jashtëzakonshme për jetën artistike shqiptare e më gjerë, do të bëjë të mundur që diploma e Arteve të konkurrojë me ato të Kartës së Bolonjës. Ndërkohë në lidhje me ndryshimet që do të bëjë në Akademinë e Arteve, Malaj ka mendar që këtë ta fillojë nga pasurimin e Bibliotekës së Akademisë. Ky sektor, sipas tij, është ndër më të rëndësishmit për procesin metodik e shkencor. "Biblioteka do ketë përkrahjen time maksimale, me qëllim kthimin e saj në një qendër të rëndësishme të mendimit teorik të kualifikuar",- pohoi Malaj. Një pikë tjetër e rëndësishme ku do të japë prioritet, është pasurimi i Kurrikulave.
"Fakultetet e Akademisë së Arteve do të rishikojnë dhe përpunojnë në kuadrin e Kartës së Bolonjës, me synim rritjen e pretendimeve formuese dhe riformuese, tekstet mësimore, kurrikulat e lëndëve (sidomos atyre speciale), programet e tyre, përgatitjen e leksioneve, si dhe mënyrën e kryerjes së praktikave laboratorike me krijimet cilësore te studentëve",- tha Malaj. Ndërkohë ai ka premtuar se do të shtojë kujdes në menaxhimin e drejtë të institucionit të Arteve. Asnjë drejtues institucioni, sipas tij, nuk është i kënaqur me buxhetin që i caktohet institucionit që ai drejton. Këtë "pakënaqësi" që ekziston në përgjithësi mes institucioneve Malaj ka menduar ta thyejë nëpërmjet procedurave transparente me institucionet. "Personalisht do të jem gjenerues i idesë, që me buxhetin e Akademisë të kenë mbështetje projektet artistike e shkencore të individëve apo grupeve të studentëve e pedagogëve në tre fakultetet",- tha kandidati për rektor të Arteve. Falë përvojës disavjeçare në drejtimin e Fakultetit të Artit Skenik, Malaj ka premtuar se është drejtuesi që i duhet Akademisë së Arteve.