MASH nxjerr udhëzimin për pranimet në universitete dhe datat e regjistrimeve
Të gjithë kandidatët e Maturës Shtetërore 2007 ditën e martë, datë 18 shtator do të kenë mundësi të shohin në shkollat ku kanë konkurruar nëse janë pranuar apo jo në shkollë të lartë. Sipas burimeve të zyrtare të MASH, informacioni për fituesit nga kjo datë do të jetë përveçse në shkollat e mesme përkatëse dhe në çdo fakultet. Ministria e Arsimit bëri të ditur se kandidatët fitues do të përcaktohen në bazë të meritës dhe parimit të vullnetit të kandidatëve, shprehur nëpërmjet preferencës më të lartë të zgjedhur prej tyre në Formularin A2. Procesi i pranimit në institucionet publike të Arsimit të Lartë, do të jetë i ndarë në dy faza regjistrimi: regjistrimi paraprak dhe regjistrimi përfundimtar.
Regjistrimi
MASH ka parashikuar që mbi 2.000 maturantë që kanë aplikuar përveçse në universitetet publike të vendit edhe në universitete e huaja, do të lënë gjatë regjistrimit paraprak po aq vende bosh. Këto vende, sipas dikasterit më të lartë të arsimit, do të plotësohen nga kandidatë të regjistruar paraprakisht, që kalojnë nga një vend me preferencë më të ulët, në një preferencë më të lartë. Regjistrimi paraprak do të bëhet nga dita e mërkurë 19 shtator deri më ditën e diel, 23 shtator, nga ora 08:00-18:00. Institucionet publike të arsimit të lartë do të njoftojnë Qendrën e Përpunimit Informatik (QPI), për kandidatët që kanë kryer regjistrimin paraprak dhe për kandidatët që nuk kanë kryer këtë regjistrim. “Ritheksojmë se vendet e mbetura bosh nga kandidatët që nuk kanë kryer regjistrimin paraprak do të mbushen nga kandidatët e regjistruar, të cilët mund të kalojnë nga një preferencë e tyre e ulët, në një preferencë më të lartë”,- tha Pollo. Ai më tej shtoi se listat përfundimtare të kandidatëve që kanë kryer regjistrimin paraprak, pra, që kanë pranuar të jenë studentë në institucionet publike të arsimit të lartë, ku çdo kandidat sipas pikëve të grumbulluara shkon në preferencën më të lartë të kërkuar prej tij, do të shpallen në çdo fakultet në datën 29 shtator.
Mësimi më 1 Tetor
Ndërsa në datën 19 shtator do të fillojnë regjistrimet e studentëve nëpër fakultete, dekanët e fakulteteve të Tiranës bëjnë të ditur se deri më tani nuk janë plotësuar kërkesat e auditorëve dhe pedagogëve, që t’i dalin mbanë studentëve që do të pranohen për vitin e ri akademik, pasi nuk i kanë shtuar asgjë deri më tani kapaciteteve aktuale që ofrojnë universitetet. Numri i sivjetshëm i studentëve pritet që të shtojë problemet e mungesës së kapaciteteve, të cilat, veçmas këto dy vitet e fundit, janë bërë “ferrë” e padurueshme për fakultetet. Me sa duket, vuajtjet e fakulteteve për të strehuar siç duhet studentët në auditor nuk i ka marrë shumë për bazë Këshilli i Ministrave, pasi ka miratuar një numër kuotash, mbi atë që kanë propozuar universitetet. Por, edhe pse drejtuesit e Ministrisë së Arsimit garantojnë se pjesa më e madhe e të rinjve që i kanë kaluar me sukses provimet e lëndëve me zgjedhje, do të gjejë vend në universitetet shqiptare, sërish mundësitë për të kënaqur shijet dhe preferencat e të gjithëve janë të pakta. Kjo, edhe për faktin se seleksionimi i tyre nëpër degët e kërkuara, sipas një renditjeje të përcaktuar prej vetë atyre në Formularin A2, do të bëhet në përputhje me pikët e grumbulluara, duke i shtuar këtyre koeficientin për secilën lëndë. Studentëve i duhet të presin 18 shtatorin, për të marrë vesh nëse janë pranuar apo jo, pasi vetëm atëherë do të shpallen përgjigjet e mbledhura të kandidatëve.
Dokumentet e nevojshme për regjistrim
Ministria e Arsimit bëri të ditur se, kandidati fitues duhet të paraqitet personalisht pranë sekretarive dhe të dorëzojë dosjen individuale, me dokumentet origjinale: Dëftesë pjekurie, dokument identifikimi dhe fotokopje të tij, 2 fotografi dhe një mandat arkëtimi i tarifës së regjistrimit prej 1.500 lekë. Sipas MASH; kandidatët që nuk do të paraqiten gjatë kësaj periudhe për çfarëdolloj arsye, do të humbasin përfundimisht të drejtën e pranimit në institucionet publike të arsimit të lartë. Sekretaritë e fakulteteve do të kryejnë regjistrimet përfundimtare nga data 29 shtator deri në 5 tetor, që prej orës 08:00-18:00. Bashkë me listat përfundimtare, në fakultete dhe në shkollat e mesme do të dërgohet edhe Libri i Transparencës nr.2, që përmban të dhënat e të gjithë maturantëve si dhe listat e fituesve për çdo fakultet. Ndërkohë kandidatët shqiptarë nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Presheva, Bujanovci dhe Medvegja do të regjistrohen pranë sekretarive të fakulteteve në datat 26, 27 dhe 28 shtator 2007, duke paraqitur dokumentet të përkthyera dhe të noterizuara si më sipër. Qendra e Përpunimit Informatik, tashmë u është përgjigjur ankesave të maturantëve për të dhënat e Librit të Transparencës 1 dhe ka bërë korrigjimet përkatëse në rastet kur këto ankesa kanë qenë të drejta. Ankesat kanë qenë kryesisht për përllogaritjen e mesatares, profilin e shkollës së mesme, por edhe për gabimet e në mbushjen e preferencave nga maturantët.