Kosova merr mbështetjen financiare të SHBA-ve për zhvillimin ekonomik dhe social në shtetin e ri
Shkëlqim Beqari
BBC, SHBA
Ky është takimi i parë zyrtar që presidenti Bush do të bëjë me përfaqësuesit më të lartë kosovarë që nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës. Sipas Shtëpisë së Bardhë, takimi i delegacionit kosovar do të krijojë mundësi që Presidenti Amerikan të shprehë mbështetjen e tij të thellë për përpjekjet e qeverisë kosovare për ndërtimin e një shteti demokratik dhe një shoqërie multi-etnike në Kosovë. SHBA ishte vendi i parë që e njohu shtetin e ri të Kosovës në muajin shkurt. Uashingtoni ka dhënë deri tani një ndihmë financiare të llogaritur në 1 miliardë dollarë për Kosovën dhe ka njoftuar se do të japë edhe 400 milionë dollarë të tjerë për shtetin e ri.
Delegacioni kosovar e ka cilësuar takimin në Shtëpinë e Bardhë dhe vizitën në tërësi në Shtetet e Bashkuara, si historike dhe shprehje të mbështetjes së administratës amerikane për shtetin e pavarur kosovar. Pala kosovare pritet të marrë nga presidenti Bush sigurinë për zhvillimin e mëtejshëm të Kosovës, të demokracisë dhe ekonomisë të ruajtjes së tërësisë territoriale. Para takimit të së hënës në Shtëpinë e Bardhë, delegacioni kosovar zhvilloi takimin me Sekretaren e Shtetit, Kondoliza Rajs dhe atë të Mbrojtjes, Robert Gates. Zonja Rice e quajti takimin me përfaqësuesit e lartë kosovarë, tashmë që Kosova ka shpallur pavarësinë, si një moment historik.
Znj.Rice i siguroi udhëheqësit kosovarë se SHBA-ja do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën, në të gjitha mënyrat. Pas takimit, në prani të presidentit Sejdiu dhe kryeministrit Thaçi, zonja Rice deklaroi se SHBA-ja do ta ndihmojë Kosovën për ndërtimin e një qeverie dhe shoqërie multi-etnike dhe të institucioneve demokratike. "Unë jam e nderuar të qëndroj përkrah Presidentit dhe Kryeministrit të Kosovës së pavarur. Këtë moment e bën edhe më historik betimi i Ambasadores së Parë Amerikane për Kosovën, Tina Kaidanov”,- deklaroi zonja Rice. Në takim dhe në konferencën për shtyp, u theksua edhe synimi amerikan i ndërtimit të një demokracie multi-etnike në Kosovë dhe mbrojta e komunitetit serb dhe grupeve te tjera etnike dhe lirive fetare. Edhe presidenti Sejdiu dhe kryeministri Thaçi vlerësuan takimin me zonjën Rice dhe e cilësuan momentin si historik. Ata vunë në pah, mirënjohjen për SHBA-në për ndihmën e pakursyer në arritjen e pavarësisë së Kosovës.