Gruevski informoi Barroson për problemin e të shpërngulurve maqedonas nga Greqia pas Luftës së Dytë Botërore
Kryeministri i Maqedonisë, Nikola Gruevski kërkoi ndihmën e Presidentit të Komisionit Europian, për “përmirësimin e gjendjes së minoritetit maqedonas në Greqi”, dje, duke zgjatur më tej luftën e fjalëve me Athinën. Letra që z.Gruevski i dërgoi presidentit Jose Manuel Barroso u pasqyrua në mediat e Shkupit dhe Athinës. Por qeveria e Maqedonisë as nuk e konfirmoi dhe as e përgënjeshtroi lajmin. Në letër, Gruevski thotë se minoriteti maqedonas në Greqi është nën diskriminim intensiv, gjë që ka sjellë zhdukjen e identitetit maqedonas në Greqi, sipas burimeve të paemër nga qeveria e Shkupit, cituar nga një televizion lokal. Kryeministri i referohet minoritetit të panjohur maqedonas në Greqi si dhe emigrantëve maqedonas që lanë zonën përreth Selanikut gjatë luftës Civile Greke (1946-1949), të cilëve u është hequr e drejta e nënshtetësisë greke si dhe mundësia për të vizituar vendlindjen e vet, apo për të gëzuar pronat e veta. Maqedonia thotë se Greqia po dhunon ligjet ndërkombëtare mbi të drejtat e njeriut dhe pronave.
“Letra është një shenjë që tregon se Shkupi kërkon mbështetje të Komisionit Europian për këtë çështje”, komentoi e përditshmja greke “Ta Nea” të hënën. Javën e kaluar, Shkupi dhe Athina shkëmbyen letra dhe akuza mbi këtë çështje. Kryeministri grek, Kostas Karamanlis deklaroi të premten se “në Greqi nuk ka një minoritet maqedonas”, dhe i sugjeroi qytetarëve maqedonas t’i drejtohen gjykatave për të zgjidhur problemet e tyre të pronësisë, përfshirë edhe Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg. Nuk ka të dhëna të forta për numrin e qytetarëve të përzënë nga Greqia veriore dhe që njihen si maqedonas etnikë, por disa historianë vlerësojnë se kanë qenë rreth 100 mijë. Ata qenë viktima të luftës mes komunistëve dhe monarkistëve në Greqinë e post-luftës së Dytë Botërore. Të enjten e kaluar, zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Sean McCornack deklaroi se çështja në fjalë duhet të zgjidhet mes Athinës dhe Shkupit. Marrëdhëniet mes dy vendeve u përkeqësuan në prill të këtij viti, kur Athina bllokoi synimin e Shkupit për t’u anëtarësuar në NATO, duke argumentuar se Maqedonia duhet të ndryshojë emrin më parë. Greqia pretendon se emri i Maqedonisë nënkupton pretendime territoriale kundrejt një province në Greqinë e veriut, që mban të njëjtin emër zyrtar.