Ministri i Kosovës: Pasaportat i plotësojnë standardet ndërkombëtare
Republika e Kosovës pritet të hedhë në qarkullim pasaportat e reja javën e ardhshme, por ato janë quajtur të papranueshme nga serbët e Kosovës. Një përfaqësues i serbëve, Oliver Ivanoviq tha se për serbët, të vetmet dokumente të vlefshme janë ato të lëshuara nga Republika e Serbisë. Qeveria e Kosovës ka vlerësuar se serbët nuk kanë arsye t'i shmangen pasaportave të reja.Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar se pasaportat e reja të Kosovës do të hidhen në qarkullim javën e ardhshme dhe ato do të jenë të shkruara në tri gjuhë, shqip, serbisht dhe anglisht.
Politikani serb, Oliver Ivanoviq, thotë se serbët nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, prandaj nuk do t'i pranojnë as pasaportat e reja. "Ky dokument është në kundërshtim me Rezolutën 1244, e cila e përcakton Kosovën si territor të Republikës së Serbisë. Edhe dokumenti i mëparshëm i udhëtimit i lëshuar nga UNMIK-u ka qenë në kundërshtim me këtë rezolutë, sikurse edhe targat e automjeteve, por tani më duket se gjërat kanë shkuar shumë larg. Dokumenti i ri nuk është i pranueshëm për serbët, sikurse edhe pavarësia e Kosovës",- tha zoti Ivanoviq.
Ministri i Brendshëm i Kosovës, Zenun Pajaziti, ka thënë se pasaportat e reja i plotësojnë të gjitha standardet ndërkombëtare dhe, sipas tij, qytetarët serbë nuk kanë arsye t'i shmangen atyre. "Unë mendoj se për qytetarët e Republikës së Kosovës do të nxirret një dokument i vetëm, në respektim me ligjin për shtetetësinë ku qytetarët mund të kenë shtetësi tjetër, por në Kosovë do ta kenë vetëm një pasaportë", tha ministri Pajaziti.